TIRANE-Kryetari i opozitës, njëherësh dhe kreu i bashkisë së Tiranës Lulzim Basha është shprehur në mbledhjen e grupit të PD se do të monitorohet çdo lëvizje ekonomike e mazhorancës dhe evazioni fiskal përmes të cilit tentohet përvetësimi i parave publike.
 
Mbledhja e përjavëshme e mbledhjes së grupit të PD-së ka pasur si kryefjalë të ardhurat që futen në buxhetin e shtetit. Në mbledhjen me dyer të mbyllura, Basha është treguar skeptik për mënyrën se si do të mblidhen të ardhurat nga qeveria Rama, duke menduar se mund të ndodh një evazion fiskal. Mësohet nga burimet pranë PD se Basha ka kërkuar nga ligjvënësit e PD të monitorojnë evazionin fiskal që mund të prodhojë planifikimi i të ardhurave në buxhet. “Do të monitorojmë evazionin fiskal që prodhohet nga ulja e planifikimit të të ardhurave në buxhetin e rishikuar të shtetit për këtë tremujor, i cili është shumë më i ulët se sa planifikimi për të njëjtën periudhë të vitit të kaluar nga qeveria e djathtë. Ne do të monitorojmë se ku do të shkojnë këto para, dhe monitorimi do të jetë kryesisht tek tatimet dhe doganat”, mësohet të jetë shprehur kryetari i PD Lulëzim Basha në mbledhjen me dyer të mbyllura të grupit.

Duke bërë një rezyme se çfarë është thënë mbi mbledhjen e të ardhurave, Basha ka shtruar dy pyetje: “Ku do të shkojnë këto para që do t’i mungojnë arkës së shtetit? Për ku janë nisur 60 milionë dollarë në muaj që nuk do të mbërrijnë më në arkën e publikut?”. Sipas Bashës, është hera e parë që ndodh që një qeveri planifikon një dështim në lidhje me mbledhjen e të ardhurave. “Është hera e parë që një qeveri planifikon një dështim të këtij lloji dhe të këtyre përmasave. Kjo është rruga e rrokullisjes drejt recesionit, drejt krizës “Rama”. Sipas testimeve tona qytetarët e përcollën me shqetësim të madh këtë rënie me top të qeverisë “Rama” ndaj stabilitetit makro ekonomik dhe financiar të vendit.

Sidomos ligjërimin e uljes drastike të të ardhurave nga taksat dhe tatimet. Si mundet që në tremujorin e fundit të vitit një qeveri që sapo ka ardhur në pushtet, vendos të mbledhë 4 herë më pak se qeveria paraardhëse”, është shprehur Basha. Lulëzim Basha përpara deputetëve ka thënë se do të përshkallëzohet beteja kundër paligjshmërisë në Kuvend. “U kemi premtuar qytetarëve opozitë të fortë. Përshkallëzim betejës kundër paligjshmërisë në Kuvend dhe kudo ku opozita mundet të thotë fjalën e saj. Opozita është në një betejë kundër paligjshmërisë dhe arbitraritetit që janë rreziku në i madh, me paligjshmërinë e saj qeveria na ka imponuar këtë axhendë, mbrojtje pa kompromis të shtetit ligjor dhe vlerave të demokracisë, do ta përshkallëzojmë betejë, në Kuvend dhe kudo ku mund dhe të themi fjalën si opozitë, kundërshtarët po rrezikojnë stabilitetin e vendit dhe integrimin”, tha Basha.

Shkrimi u publikua sot (29.10.2013) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com)