Basha: Dorëzimi i dëshmitarit kyç
dorëzim i sigurisë e rendit në vend

Basha: Dorëzimi i dëshmitarit kyç<br />dorëzim i sigurisë e rendit në vend
TIRANË - Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha përmes një deklarate për mediat ka akuzuar qeverinë se ka zbuluar identitetin e dëshmitarit kyç të marrë në mbrojtje nga drejtësia  për vrasjen e kryekomisarit Dritan Lamaj.

“Rënia  e dëshmitarit kyç është rënia përfundimtare e shtetit. Dorëzimi i tij në këmbët e mafias së lidhur me politikën. Rama urdhëroi nxjerrjen në rrugë të dëshmitarit të mbrojtur.”- u shpreh Basha.

Më tej ai i ka bërë thirrje Prokurorisë që të nxjerrë përgjegjësit për zbardhjen e identiteti, ndërsa u ka bërë apel edhe përfaqësuesve të SHBA-së dhe Bashkimit Evropian për t’i kushtuar vëmendjen e duhur këtij rasti.

Basha:Rikthehemi në Parlament nëse plotësohen kërkesat tona
Kreu i opozitës, Lulzim Basha ka renditur një sërë kërkesash në mënyrë që Partia Demokratike të rikthehet në Parlament. Një nga pikat kryesore që ai përmendi ishte edhe krijimi i një instrumenti për largimin e personave të inkriminuar nga Parlamenti dhe për ndalimin e hyrjes së tyre në të ardhmen.

 “Kemi kërkuar për rikthimin e normalitetit politik në vend, për rikthimin e parlamentarizmit në vend, asgjë më shumë se sa na ofron Kushtetuta e vendit, gjykatat e vendit, standardi i praktikuar tashmë në Shqipëri. Nuk mund të kërkojmë më pak. 


Deklarata e plotë e kreut të opozitës, Lulzim Basha
Jam sot para jush për të denoncuar në emër të Partisë Demokratike dhe mbarë të opinionit qytetar dhe shqiptarëve të lirë,  një akt të pashembullt mafioz, dekonspirimin nga qeveria e Edi Ramës, e të dhënave dhe identitetin e plotë bashkë  me foto të  dëshmitarit kyç në procesin më të bujshëm gjyqësor në vend përsa i përket krimit të organizuar, për vrasjen e komisarit Dritan Lamaj.

Në media, në gazeta, në televizion, në rrjetet sociale, sot është publikuar emri, mbiemri dhe foto të identitetit të dëshmitarit të mbrojtur të drejtësisë.

Ky kompromentim i menduar dhe i ekzekutuar me gjakftohtësi nga qeveria, është skandal që kalon përmasat e çdo imagjinate. Edhe në shtetet më të dështuara të botës, edhe në regjimet më të dështuara të botës, dëshmitari i drejtësisë mbrohet.

Rënia e dëshmitarit kyç, në një procesi gjyqësor për vrasjen e një komisari policie, është në fakt rënia përundimtare e shtetit, kapja e tij, dorëzimi i tij në këmbët e mafies së lidhur me politikën.

Edi Rama dhe Ministri i tij i Brendshëm janë personat që kanë urdhëruar  nxjerrjen në rrugë, të zbuluar dhe pa mbrojtje, të dëshmitarit të drejtësisë. Edi Rama e ka urdhëruar këtë akt kriminal mafioz për llogari të aleancës së tij politike me mafian në Kuvend.

I bëj thirrje sot Prokurorisë të dëshmojë kurajo dhe të hetojë këtë krim të paprecedent, e të nxjerrë përgjegjësit para ligjit.

I bëj thirrje vendeve mike, përfaqësuesve të tyre që ndjekin dhe kanë ndjekur prej kohësh me shqetësim thellimin e zullumit antidemokratik në Shqipëri, i bëj thirrje përfaqësuesve të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe vendeve anëtare të Bashkimit Europian, të vëzhgojnë nga afër këtë proces kriminal të rënies së shtetit dhe policisë në duart e mafias së lidhur drejtpërdrejt me pushtetin.

Dorëzimi me duart e veta të dëshmitarit kyç  të mbrojtur nga drejtësia, nga Edi Rama, është po kështu dorëzimi i çdo garancie që ka dhe duhet duhet të ofrojë një qeveri për rendin dhe sigurinë, dhe qytetarët e këtij vendi.

Pyetje: A do të pranoni ofertën e Kryeministrit Rama për të bashkëpunuar me maxhorancën?
Basha: Cështja, skandali që denoncojmë sot mendoj se flet vetë. Kemi kërkuar për rikthimin e normalitetit politik në vend, për rikthimin e parlamentarizmit në vend, asgjë më shumë se sa na ofron Kushtetuta e vendit, gjykatat e vendit, standardi i praktikuar tashmë në Shqipëri. Dhe smund të pranojmë asgjë më pak. Kërkohet një ndjesë publike për moszbatimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese dhe gjykatave të tjera të vendit, por në veçanti për moszbatimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese. Dhe zbatimi i tyre i menjëhershëm pa debat, pa diskutim. Kërkohet një ndjesë publike për përgjegjësitë kryeministrore, për dhunën e organizuar, siç e pa çdo shqiptar në Kuvend nga ai, përmes strukturës së dhunës të sjellë aty nga ai kundër opozitës. Kërkojmë ngritjen e një instrumenti i cili do të nxjerrë jashtë Kuvendit të inkriminuarit, njerëzit e dënuar për trafiqe e vrasje, dhe që do të parandalojë futjen e tyre në Parlament në të ardhmen. Kërkesat tona janë të qarta, janë publike. Kryeministri, ka jo një javë, por 8 javë që i bën bisht përgjegjësisë dhe i bën bisht përgjigjes. Jemi ne që presim përgjigje nga ai. Dhe jo e kundërta.

Redaksia Online
(a.h/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Shqipëria hap negociatat me BE për kapitullin 1, kur do ndodhë integrimi?



×

Lajmi i fundit

SHBA, Departamenti i Drejtësisë ngre padi ndaj shtetit Virxhinia për shkelje zgjedhore

SHBA, Departamenti i Drejtësisë ngre padi ndaj shtetit Virxhinia për shkelje zgjedhore