Kryeministri Edi Rama i është përgjigjur Lulzim Bashës mbi anëtarët e Komitetit Teknik të Ekspertëve të cilët kryedemokrati i quan vetëm fasadë të qeverisë.

Përmes një video në Facebook, Rama ka paraqitur një jetëshkrim të anëtarëve të këtij komiteti ekspertësh dhe eksperiencën e tyre në fushën e mjekësisë.

Në përbërje të këtij komiteti janë emra të spikatur të mjekësisë si Mira Rakacolli mjeke neurologe, Najada Çomo shefe e Shërbimit të Sëmundjeve Infektive në QSUT, Andi Koraqi, shef i laboratorit të mikrobiologjisë në QSUT i cili i ka kushtuar një jetë të tërë mikrobiologjisë.

Tritan Kalo profesor i sëmundjeve infektive, Silva Bino shefe e departamentit të epidemiologjisë pranë IShP-së e cila është konsulente e OBSh-së. Disa prej këtyre mjekëve janë infektuar dhe vetë nga koronavirusi ku fatmirësisht kanë fituar betejën.

Të gjithë qytetarët i njohin këta mjekë, ku kontributi i tyre në sistemin shëndetësor është i pazëvendësueshëm.

Vetëm pak ditë më parë, në një komunikim me gazetarët, Lulzim Basha i ka konsideruar këta ekspertë të shëndetësisë vetëm një fasadë për të mbuluar sipas tij dështimet e Ramës në menaxhimin e pandemisë.

"Kush janë ekspertët e Komitetit Teknik që përcaktojnë strategjinë e gjurmimit të Covid19 dhe udhëzojnë qeverinë në çdo hap për masat e nevojshme kundër Armikut të Padukshëm" - shkruan Rama në Facebook.