Në këtë 100-vjetor të Pavarësisë, kreu i bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha, ka vendosur t'i bëjë "një nderim" të veçantë një prej revolucionarëve më të mëdhenj të vendit tonë, Avni Rustemit, duke i hequr emrin e tij, sheshit te Pazari i Ri. Kjo pasi në listën e gjatë të projektvendimeve, që u janë dërguar këshilltarëve të bashkisë për mbledhjen e datës 20 nëntor, midis tyre është edhe një projektvendim ku u kërkohet të miratojnë propozimin e kreut të PDIUsë, Tahir Muhedini, për heqjen e emërtimit të sheshit "Avni Rustemi" dhe zëvendësuar atë me emrin "Çamëria".

Dhe bashkisë duket se i ka pëlqyer kjo nismë, ndaj jo vetëm kërkon votat e këshilltarëve për ta bërë këtë gjë, por në relacion ajo e quan "sheshi me ish-emërtimin "Avni Rustemi". Ajo që nuk kuptohet në gjithë këtë histori, është fakti se përse duhet t'i hiqet emri dhe busti i një figure kaq të respektuar në historinë tonë, kur fare mirë, mund të gjenden sheshe apo rrugë në ndërtim dhe pa emërtime, për të vendosur emrat e rinj që propozohen. RELACIONI Në fakt, duket se vetë bashkia është e vetëdijshme se ndryshimi i emrit të këtij sheshi nuk do të kalojë pa debate. Me sa duket, për këtë arsye, është munduar ta mbajë të "fshehtë" se për cilin shesh bëhet fjalë, duke qenë se edhe në projektvendim thuhet "Riemërtimin "Çamëria" të sheshit që lidh rrugët "Hoxha Tahsin" me "Luigj Gurakuqi", duke mos specifikuar konkretisht sheshin.

Sheshi nuk përmendet asnjëherë në projektvendim, ndërsa përmendet vetëm dy herë edhe gjatë gjithë relacionit shpjegues, ku njëherë madje etiketohet me "ish-emërtimin". "Me propozim të anëtarit të këshillit bashkiak, z. Tahir Muhedini, përfaqësuesi i partisë Drejtësi, Integrim dhe Unitet(PDIU) në këshillin bashkiak të Tiranës, Drejtoria e politikave dhe zhvillimit të qytetit i paraqet këshillit bashkiak miratimin e një prej shesheve të qytetit të Tiranës, me emërtimin "Çamëria", konkretisht të sheshit (me ish-emrin Avni Rustemi) që lidh rrugët "Hoxha Tahsini" me atë "Luigj Gurakuqi", - thuhet në relacionin që shoqëron projektvendimin për ndryshimin e emrit. Më poshtë kjo drejtori, shpjegon edhe arsyet se përse e pranuan këtë kërkesë.

"Në kuadër të rikujtimit të gjithë kalvarit të vuajtjeve të popullit të Çamërisë, dhe për t'i bërë një homazh përpjekjeve për të mbajtur gjallë frymën dhe ndjenjën e atdhedashurisë, tek i gjithë brezi i të rinjve dhe të vjetërve që kanë përjetuar dramën e Çamërisë, si brenda dhe jashtë Shqipërisë, si dhe për të gjithë sensibilitetin e treguar nga të gjithë qytetarët e qytetit të Tiranës për çështjen çame, i propozojmë këshillit bashkiak për miratim riemërtimin "Çamëria", konkretisht të sheshit (me emërtimin aktual Avni Rustemi, - korrigjon veten bashkia) që lidh rrugët "Hoxha Tahsin" me atë "Luigj Gurakuqi", - përfundon relacioni. Avni Rustemi hyri në histori me atentatin vdekjeprurës që i bëri më 13 qershor 1920, në Paris, Esat Pashë Toptanit, ndërsa vetë mbeti i vrarë më 22 prill 1924, dhe dyshohet se vrasjen e tij e organizoi Ahmet Zogu.

(ad.ti/shqiptarja.com)