Basha i shpreh shqetësimet zyrtarit
të DASH: Oligarkia, realiteti ynë sot

Basha i shpreh shqetësimet zyrtarit<br />të DASH: Oligarkia, realiteti ynë sot
TIRANE - Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, priti Drejtorin për Çështjet e Europës Qendrore dhe Jugore në Departamentin amerikan të Shtetit, Thomas Yazdgerdi në një takim ku shprehu shqetësimin e thellë sipas tij të rrënimit nga mazhoranca në një vit e gjysëm të standardeve demokratike të arritura në 24 vite.

Kryetari Basha e informoi Yazdgerdi për asgjësimin e instrumentave të mbikqyrjes parlamentare dhe sulmet fizike me skenarë të mirëorganizuar nga kryeministri, me anë të deputetëve me të shkuar kriminale, ku sipas Bashës  gjenden enkas në Kuvend për të kërcënuar fjalën e lirë.

Basha i bëri të ditur zyrtarit amerikan se në kundërshtim me Kushtetutën dhe vendimet e Gjykatës Kushtetuese, mazhoranca refuzoi tre kërkesa radhazi të opozitës për të ngritur komision hetimor për shitblerjen e votave në Korçë, vjedhjen e miliona të dhënave të serverit të tatimeve, si dhe për të hetuar mekanizmin e emërimeve kriminale.

Ndër të tjera Kryetari i PD i shprehu përfaqësuesit të DASH alarmin për kapjen e institucioneve të pavarura nga dyshja Rama-Meta dhe rritjen e presionit ndaj gjykatave.

“Pushteti absolut oligarkik dhe shteti arbitrar, e jo demokracia dhe shteti ligjor është realiteti që po instalon në vend kjo dyshe.” tha Basha.

Basha vijoi shqetësimet e opozitës ku u ndal edhe tek dhunimet masive të të drejtave dhe lirive themelore të qytetarëve, dhunimin e banesës, veprimet në kundërshtim me ligjin dhe urdhrat e vendimet e gjykatave dhe shoqërimet e paligjshme në polici deri të fëmijëve të mitur, si dhe natyrën sipas tyre thellësisht selektive dhe arbitrare të fushatave të ndërmarra nga ekzekutivi.

Në takim kryetari i opozites vuri në pah faktin se media dhe shoqëria civile janë nën trysninë e vazhdueshme të qeverisë.

Basha theksoi se opozita kërkon prej muajsh normalizimin e jetës parlamentare përmes funksionimit të Parlamentit sipas rregullores e Kushtetutës dhe cmontimit të mekanizmit që promovon të inkriminuarit nga administrata deri në Parlament.

Duke i bërë të ditur zyrtarit të lartë amerikan se rrënimi i standarteve demokratike po rrezikon bashkëjetesën demokratike në vend, kryetari i opozitës shprehu bindjen se monitorimi dhe asistenca e partnerëve tanë strategjikë do të kontribojnë në rikthimin e stabilitetit politik të vendit.

Basha rikthesoi qëndrimin e Partisë Demokratike se harta territoriale e miratuar nga shumica ka për synim kapjen e zgjedhjeve në tavolinë dhe deformimin e vullnetit dhe të drejtës së qytetarëve për një qeverisje sa më afër tyre.

Redaksia Online
(e.c/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    A justifikohen aktet e dhunes gjatë një proteste politike?



×

Lajmi i fundit

Valbona turistike, destinacioni i preferuar nga turistët vendas dhe të huaj

Valbona turistike, destinacioni i preferuar nga turistët vendas dhe të huaj