Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha bën thirrje në aktivin demokrat të Tiranës, për marshimin e protestës që do të mbahet të enjten me 20 shkurt ne orën 14 në sheshin “Skënderbej”


Basha: 20 shkurti, dita e madhe e rinisë shqiptare, që nuk pranon mashtrimin, varfërinë e arbitraritetin


Të nderuar zonja dhe zotërinj, 
Të dashur anëtarë të aktivit të Partisë Demokratike të Tiranës, 
Të dashur të rinj e të reja, 
Të nderuar drejtues, sekretarë seksionesh
Të nderuar deputetë e përfaqësues të Tiranës në Kuvendin e Shqipërisë

Kam kënaqësinë e madhe dhe të veçantë ndodhem sot mes jush tu përshëndes si kryetar i Partisë Demokratike, si anëtar i strukturave të degës së Partisë Demokratike të Tiranës por edhe si bashkëluftëtarë me aktivin e Tiranës në shumë beteja. E ndër këto shumë beteja spikat njëra që sot gjithë ditën e gjithë natën, është dhe mbetet ankthi dhe makthi, parathënia e së ardhmes të z kryeministër, beteja e Tiranës e vitit 2011 që bashkë e luftuam dhe bashkë e fituam. 

Por sot në këtë sallë të tej mbushur të aktivit të Tiranës, dua të ndalem me kënaqësinë dhe privilegjin që më jep kjo foltore dhe detyra e kryetarit të Partisë Demokratike për të prekur, konstatuar dhe njoftuar përmes këtij aktivi e përmes jush, një lajm të mirë e të gëzuar për gjithë demokratët e Tiranës dhe Shqipërisë. Faktin që një numër i madh të rinjsh e të rejash nga Tirana kanë vendosur të bëhen anëtarë të Partisë Demokratike, kanë vendosur të kontribuojnë për Lirinë dhe dhe Demokracinë nëpërmjet partisë që i solli dhe i shenjtëroi këto vlera të shenjta në jetën shqiptare pas dhjetorit të vitit 1990, kanë vendosur të ofrohen dhe të përgatiten në një shkollë dhe arenë të madhe politike siç është opozita e drejtuar nga Partia Demokratike, për t’u dalë zot bashkë me ne sfidave të kohës, për të ndërtuar bashkë me ne alternativën e fitores, për të marrë në dorë bashkë me ne fatet e vendit, për të bërë bashkë me gjithë shqiptarët e lirë Shqipërinë europiane, për të çuar pastaj përtej nesh, siç është në vetë dialektikën e gjërave, në vetë natyrën e Partisë Demokratike të Shqipërisë, shtëpisë së lirisë së shqiptarëve. 

Sa janë?! 

Janë shumë, shumë. Në gjithë Tiranën. Në lagje, në blloqe, në qendra pune, biznese të vogla, të mesme e të mëdha, në universitete, kudo. Ne nuk i shohim si numra, edhe pse frymëzohemi me këtë vërshim kuptimplotë në PD të rinisë së Tiranës dhe mbarë Shqipërisë. Sepse ne nuk jemi parti e numrave. Jemi parti e njerëzve të lirë, ndaj i shohim dhe i presim si individë të lirë të rinjtë e të rejat, të gjithë ata që po vijnë e do të vinë në PD, si miqtë tanë të rinj, si kolegët tanë të rinj, si bashkëluftarët tanë të rinj në betejat politike që po zhvillojmë e do të zhvillojmë në vijimësi.

Mirëserdhët në Partinë Demokratike ju, të rinjtë dhe të rejat që jeni sot në këtë sallë, mirëserdhët bashkë moshatarët e vërsnikët tuaj anembanë kryeqytetit, anembanë Shqipërisë. 

Mirëserdhët në shtëpinë tuaj të lirisë, e cila prej këtij çasti është e do të jetë përgjithnjë shtëpia juaj politike. Kjo është shtëpia e përgjegjësisë gjithashtu dhe unë e di mirë se për këtë keni vendosur të bashkoheni me Partinë Demokratike parasëgjithash: për të marrë përgjegjësi sot në opozitë, nesër në qeverisje dhe kështu në vazhdimësi. Prandaj ju them po ashtu: mirëserdhët në shtëpinë politike të përgjegjësisë dhe njerëzve të përgjegjshëm. 

Nuk jemi parti në pushtet, s’ka shumë muaj që jemi në opozitë, nuk jemi afër zgjedhjeve të shpallura. Ky realitet i jep një kuptim shumë më të madhe e të thellë dhe domethënës vërshimit të rinisë në Partinë Demokratike. 

Rinia po vjen sot dhe kjo do të thotë se demokracia jo vetëm nuk mund ta ulë kokën, siç ëndërrojnë oligarkët e sotëm në qeveri, por po përgatit që tani një nisje të re të fuqishme nëpërmjet një Partie Demokratike të bashkuar e të ripërtërirë. Po hipotekon qysh tani një të ardhme të re që do të jetë Demokracia e re.

Ky është një zgjim i madh i rinisë shqiptare, një reagim i pazakonshëm i saj ndaj kursit të pandalshëm të përkeqësimit dhe rreziqeve që ka instaluar qeveria Rama-Meta. 

Ky është mesazhi që u japin gjithë shqiptarëve të rinjtë dhe të rejat që po vërshojnë më ditë të vështira, në dyer e hapura të Partisë Demokratike.

Vinë për të mbrojtur bashkë me ne Liritë dhe Demokracinë.

Vinë për tu përballur bashkë me ne, në vijën e parë, për ligjin, për punën, për punësimin, për mirëqenien, për konsensusin, për statusin, për integrimit, përballë një qeverie që i ka shkelur dhe po i shkel me këmbë këto ideale, pritshmëri dhe aspirata të qytetarëve shqiptarë.

Nuk është rastësi që sa më dendur dhe më fort godet dhe lajmëron të godasë arbitrariteti, arroganca, për të mos thënë edhe urrejtja e kësaj qeverie mbi shtyllat e demokracisë që janë ligji dhe zgjedhjet, aq më fort ushton thirrja e ngritjes në këmbë të brezit të ri, qoftë e atyre që po vinë në Partinë Demokratike, qoftë e qindra mijëra të tjerëve që nuk mund të pranojmë në asnjë mënyrë zhbërjen e asaj që kemi arritur përgjatë më shumë se njëzet vjetëve, nuk mund të pranojnë në asnjë mënyrë kthimin prapa.

Nuk është rastësi që sa më shumë godasin në xhepat, tavolinat, buxhetet familjare dhe standardin e jetesës së shqiptarëve,e politikat ekonomike konfuze, klienteliste, të gabuara e të pakokë, të papërgjegjshme dhe të gabuara të qeverisë, sipas bindjes sonë, aq më shumë rinia dhe jo vetëm rinia kërkojnë angazhim, kërkojnë përballje, kërkojnë ballafaqim qytetar, politik dhe demokratik me qeverinë dhe qeveritarët, kërkojnë rrugëdalje nga dara e krizës dhe përkeqësimit që vetëm shtrëngohet si një mallkim nën tamtamat propagandistike të dyshes Rama-Meta. 

Rinia shqiptare e ka të qartë dhe gjithë njerëzit e lirë po e kuptojnë çdo ditë e më mirë mësimin e madh të lirisë e demokracisë dhe ky mësim është se vetëm liria, vetëm dinjiteti i lirë, vetëm ligji, vetëm Kushtetuta, vetëm konsensusi punojnë për të mirën e tyre, ndërsa arbitraritetit, paligjshmëria, arroganca, papërgjegjshmëria punon për të keqen e tyre.

Liria dhe mirëqenia janë anë të së njëjtës medalje. 

Arbitraritetit dhe varfëria janë anë të së njëjtës medalje gjithashtu. 

Kush kërkon të mësojë dhe të kuptojë pse po bëhet keq e më keq çdo ditë e ço javë më ketë qeveri, përgjigjen e gjen të mashtrimet kolosale me të cilat mori votat Edi Rama, te dështimet spektakolare që po shënon qeverisja Rama-Meta, te arbitraritetit dhe paaftësia që ka ngritur në sistem kjo dyshe për të mbuluar sadopak mashtrimet dhe dështimet. 

Të enjten, në orën 14.00, në 23 vjetorin e rrëzimit të monumentit të Enver Hoxhës, simbolit të diktaturës, shtypjes, izolimit dhe mashtrimit, kemi thirrur në Tiranë marshimin e madh të protestës popullore kundër mashtrimeve dhe dështimeve të Ramës dhe Metës.

20 shkurti i vitit 1991 është gdhendur në histori në kujtesën tonë kolektive, në ndërgjegjen kolektive të të gjithë shqiptarëve të lirë si dita e madhe e rinisë së Tiranës, dita e madhe e Tiranës Demokratike që hoqi e para nga toka e saj monumentin e diktatorit, që bëri e para ndarjen e madhe dhe drejtësinë e madhe me të djeshmen e robërisë dhe mjerimit, hapjen e madhe dhe bashkimin e madh me të ardhmen pa diktaturë, pa izolim, pa shtypje dhe pa mashtrime.

E tillë do të jetë e duhet të jetë kjo ditë brez pas brezi. E tillë do të jetë kjo ditë edhe të enjten dhe përgjithmonë.

Të gjithë në sheshin e historisë për të përkujtuar ngjarjen e madhe dhe mesazhet e saj të gjalla e të pavdekshme.

Të gjithë për të dëshmuar se dinjiteti dhe krenaria që ngriti në këmbë tiranasit dhe të gjithë shqiptarët njëzet e tre vjet në parë nuk janë në gjumë, por janë gjallë, më vitalë se kurrë, janë garancia se me popullin nuk nuk mund të luhet, populli nuk mund të mashtrohet, populli nuk mund të nëpërkëmbët. 

Të gjithë në sheshin e historisë, që nga ata të njëzet e tre vjetëve më parë e deri te njëzetvjeçarët e sotëm që lindën në shoqërinë e lirë e nuk mund ta falin lirinë për asnjë çmim. 

Të gjithë për ti përcjellë me zërin e fuqishëm të bashkimit qeverisë Rama-Meta, mesazhin dhe paralajmërimin se paligjshmëria, arbitrariteti, mashtrimet dhe papërgjegjshmëria, shartime të sistemit enverist totalitar në demokraci; ne i refuzojmë prerë dhe me neveri. 

Tiranën e zgjodhën të parët tanë të jetë kryeqytet.

Tiranë e tregoi veten 23 vite që është e para, të parët janë, të parët duhet të jemi, të parët në shesh; më 20 shkurt.