Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha, ka inspektuar sot projektet për rehabilitimin e lumit të Tiranës në njësinë administrative Nr 11.

Bashkia e Tiranës, tha Basha, "do të marrë të gjitha masat e nevojshme për të parandaluar përmbytjet nga Lumi i Tiranës", ndërsa ka nënvizuar faktin se politika nuk duhet të bllokojë projektet e Bashkisë.

"Po hiqen 600 mijë ton mbetje nga lumi. Do të largohen mbetjet 30-vjeçare. Do jetë parku blu dhe i gjelbër i Tiranës. Projekti do të mundësojë parqe në të dyja anët e lumit dhe do të mundësohet mbrojtje ndaj vërshimeve të ujit. Projekti është një vepër historike për Tiranën", u shpreh Basha.

"Me anë të këtij projekti, Tiranës do t'i shtohen 1 milion metër katror gjelbërim dhe e gjithë zona do të ketë një pamje tjeter në shërbim të qytetarëve", ka pohuar Basha.

ATSH