Basha me profesionistët: Fiskalizimi do të anulohet, do i kursejmë bizneseve 600-2000 euro në vit! Taksat nuk do të ndryshojnë për 4 vjet

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ka zhvilluar njё takim me profesionistë të lirë në njësinë 7, në Tiranë ku u premtoi se për 4 vite kur të vij ai në pushtet nuk do të ketë ndryshim të taksimit. Ndryshimi i sistemit të taksimit disa herë në vit, sipas Bashës është tregues i ngecjes në vendnumëro të ekonomisë shqiptare.

Basha tha se sapo të vijë në pushtet do të anulojë fiskalizimin, pasi sipas tij, kjo është një aferë korruptive që do të hetohet. Ai gjithashtu tha se me tavanin 0.5% të xhiros vjetore për taksat dhe tarifat vendore, si dhe pulla fiskale në hyrje të biznesit, janë dy garancitë e qeverisë së ardhshme që do të çlirojnë biznesin e vogël dhe të mesëm.

“Nuk është e rastësishme që ekonomia ka ngelur në vendnumëro dhe që në 8 vite janë ndërruar kushedi sa herë sistemet e taksimit të biznesit. I tillë është dhe i ashtuquajturi fiskalizim. Në fakt bëjmë gabim t’i themi fiskalizimi, është i ashtuquajturi fiskalizim, një aferë e nisur prej kohësh, e denoncuar nga ne dhe gjetën një moment, para zgjedhjeve, ku menduan se kanë bërë sa kanë bërë PPP e koncensione, e po bëjnë dhe fiskalizimin. Në fakt plani ynë është i qartë dhe i thjeshtë. Fiskalizimi do të anulohet! 600 deri në 2000 euro që duhet të paguajë biznesi i vogël, pasi i jepet fatura e energjisë dyfish krahasuar me dy vite më parë, pasi është rritur çmimi i naftës, pasi me çdo gjobë i merret fitimi i muajit, nganjëherë dhe i vitit. Biznesi i vogël nuk do të paguajë koston e fiskalizimit dhe kjo aferë do të hetohet deri në fund, ashtu siç kemi thënë prej ditës së parë, ashtu siç kemi denoncuar me fakte sepse për biznesin e vogël dhe të mesëm, që për ne fillon nga 140 milionë lekë të vjetra, do ketë një dhe vetëm një masë. 0.5% tavani i xhiros vjetore për taksat dhe tarifat vendore, një pullë fiskale në hyrje të biznesit, që do të ndalojë praninë e tatimorëve, janë dy garancitë që do të çlirojnë biznesin e vogël dhe të mesëm që është kolona vertebrale, është shtylla kurrizore e ekonomisë shqiptare. Për farmacitë në veçanti kam edhe diçka tjetër. Në reformën tonë shëndetësore pa diskutim rimbursimin sipas diagnozës zë një vend të veçantë dhe një nga grupet e interesit me të cilën kemi diskutuar është urdhri i farmacistit, që ti japim fund majës së ilaçeve, që ilaçet që hynë në Shqipërisë të mos jenë skarco apo ilaçe fallco që i blenë dhe nuk të shërojnë. Prandaj ne do të rikthejmë cilësinë e barnave dhe do të kthejmë një kriter, në Shqipërisë të moshuarit shqiptar, pensionistët shqiptarë, foshnjet shqiptare dhe çdo pacient shqiptar do të kurohet vetëm me medikamente të aprovuar nga agjencitë e Bashkimit Evropian, Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Kanadasë, Japonisë, Australisë, pra të vendeve të OESI-së. Reforma jonë shëndetësore do të mundësojë në radhë të parë që këto para të shkojnë për reformimin e shëndetit publik, që paraja të ndjekë pacientin dhe që brenda dy vjetëve të parë përmes kësaj reforme të ndalet largimi i mjekëve dhe infermierëve dhe të ofrohet cilësi e shërbimit shëndetësor në spitalet publike he në sistemin shëndetësor në tërësi, të paktën e të njëjtit nivel siç ofrohet në vendet e rajonit për të përparuar më tej pastaj drejt nivelit europian. E treta për farmacistët, dhjetëra-mijëra familje në Tiranë, ndoshta qindra-mijëra në gjithë Shqipërinë kanë kaluar COVID-in me një, dy, apo nganjëherë të gjithë familjarët e sëmurë me COVID. Po ashtu po hartojmë së bashku me ekspertët më të mirë, një paketë për rimbursimin retroaktiv me efekt prapaveprues të të gjitha familjeve të dëmtuara në financat e tyre nga pakujdesia, nga neglizhenca e nga braktisja e kësaj qeverie” – tha Basha.

Basha gjithashtu u shpreh se paketa fiskale që do të miratohet nga qeveria e ardhshme, e cila ka në thelb të saj taksën 9%, uljen e kontributeve shoqërore në 18% dhe heqjen e taksës Rama mbi karburantin, do të jetë më konkurruesja në rajon. 

“Pankarta jonë fiskale është publikuar. Ajo parashikon që Shqipëria të jetë konkurruese me vendet e tjera të rajonit dhe jo të jetë me taksat më të larta dhe çmimet më të larta. Një vend që ka taksat dhe çmimet më të larta në rajon nuk i thith dot investimet e huaja. Për të mos folur pastaj si i shpenzon këto taksa ku prioriteti me ne do të jetë trajnimi I rinisë dhe thithja e investimeve të huaja përmes transferimit të teknologjisë se përndryshe na ndodh kjo që sot është realitet në çdo familje shqiptare. Na ikën rinia në kërkim të një vendi pune, futen në borxh për të shkuar emigrant. Pra, paketa jonë fiskale është realisht më konkurruesja në rajon, me taksën e sheshtë 9%, me kontributet për sigurimet shoqërore 18%, me heqjen e taksës Rama mbi karburantin 24 lekë për litër dhe me masat e tjera fiskale ne e bëjmë Shqipërinë ambientin me taksat më të ulëta, ose në rastin e disa vendeve fqinjë me taksa të barabarta me vendet rreth nesh. Angazhimi i qeverisë  dhe angazhimi im personal është që kjo paketë taksash nuk do të ndryshojë, nuk do të ketë pra ndryshim, shtim të taksave. Sigurisht nëse hapësira ekziston për ulje të taksave do të veprohet në këtë drejtim. Sikundër do të ngrihet një institucion, një bord i pavarur nga qeveria, i kontrollueshëm nga parlamenti, detyra e të cilit do të jetë pikërisht që qeveria nesër e tutje të mos të jetë në gjendje të marrë masa arbitrare, të jetë arrogante dhe të bëjë gjëra të papritura në kurriz të sipërmarrjes, në kurriz të ekonomisë dhe në kurriz të xhepave të shqiptarëve” – tha Basha.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 12:59
Basha nënshkruan marrëveshje bashkëpunimi me PAK: Pjesëmarrja juaj në vendimmarrje, standard europian

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ka firmosur ditën e sotme marrëveshjen e bashkëpunimit me shoqatat e Personave me Aftësi të Kufizuar. Basha tha se kjo marrëveshje është produkt i një dialogu dhe negocimesh prej dy vitesh e cila konkretizon angazhimet dhe zotimet e qeverisjes së ardhshme ndaj mijëra personave me aftësi të kufizuara dhe familjeve të tyre në Shqipëri. 

Basha e cilësoi pjesëmarrjen e tyre në vendimmarrje si rikthim i standartit europian në vend dhe kthimin e fytyrës njerëzore të qeverisë.  Marrëveshjen e nënshkruar mes tij dhe PAK, Basha e cilësoi si angazhimi i përbashkët nё zbatimin e detyrimeve qё rrjedhin nga këto vendimmarrje dhe jo thjeshtë angazhime qeveritare

“Kjo është një marrëveshje e cila është hartuar nga ekspertët tanë më të mirë dhe ekspertët më të mirë të organizatave tuaja që ka për qëllim të vendos një kulturë të re bashkëpunimi midis qeverisë shqiptare dhe përfaqësuesve legjitim të personave me aftësi të kufizuara në Shqipëri. Si e tillё unё do tё thoja se themeli i marrëveshjes nuk janë thjesht angazhimet qeveritare, buxhetore por ёshtё: sё pari vendosja e standardit europian i cili parashikon që nё gjithё vendimmarrjet e rëndësishme qё kanё tё bёjmё me çdo sferë, me çdo aspekt tё jetës, tё sfidave dhe tё pritshmërive tё personave me aftësi tё kufizuara, konsultimi, bashkërendimi, bashkёvendimarrja dhe angazhimi i përbashkët nё zbatimin e detyrimeve qё rrjedhin nga këto vendimmarrje, janë instrumenti qё e çon përpara kauzën e drejt dhe vuajtjet, dhimbjet dhe pritshmëritë e personave me aftësi tё kufizuara. Prandaj jam nё veçanti falënderues dhe mirënjohës, drejtuesve tё organizatave, ekspertëve tuaj por edhe ekipit tonё qё ka insistuar qё ndryshimi i parё tё jetë njё ndryshim nё mentalitet, nё përqasje, siç e thash nё kulturën e re qeverisëse sepse fakti ёshtё qё nё këto 30 vite ky standard i mirëqenë nё Europë i konsultimit, i vendimmarrjes sё përbashkët, i vetadminsitrimit dhe i besimit reciprok e nё veçanti i besimit i qeverisё tek përfaqësuesit legjitim tek organizatat e personave me aftësi tё kufizuara ka njohur uljet e ngritjet e saj. Sot unë do ta ndërmarr këtë angazhim në emër të Partisë Demokratike, të koalicionit tonë, Aleancës për Ndryshim dhe gjithë koalicionit tonë i cili më 25 prill me votën e shqiptarëve do të marrë përsipër barrën e qeverisjes. Prandaj e theksoj edhe njëherë se  ndryshimi themelor do të vijë përmes kësaj përqasje të re, të re për Shqipërinë, por standard europian për çdo shoqëri europiane dhe për çdo vend dhe për çdo shtet që ne sot e marrin si shembull dhe nesër standardet e këtyre vendeve do t’i kemi po kështu shembuj për t’i përcaktuar në legjislacionin shqiptar dhe për t’i zbatuar së bashku me një dobi, me një interes të madh publik që është  shërbimi ndaj kësaj pjese të shoqërisë që përtej të qenarit pjesa më vunerabël është edhe  treguar se si  shoqëria i trajton, mënyra se si qeveria i trajton, është tregues i shkallës së emancipimit të qytetërimit dhe i natyrës dhe i fytyrës njerëzore të politikës së atij vendi’ tha Basha.

( Kliko këtu ) Marrëveshja e plotë 

I.K/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Free: 13/04/2021 11:51

    Vetem me qene idiot i lindur ti besosh Bashes.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    7 Dhjetor, 15:58

    Sipas jush kush duhet ta numërojë votën e diasporës?



×

Lajmi i fundit

Në punë është një ditë e favorshme për të marrë vendime të rëndësishme, horoskopi për sot

Në punë është një ditë e favorshme për të marrë vendime të rëndësishme, horoskopi për sot