MIRDITË“Objektivi ynë politik është i qartë: zgjedhje të parakohshme parlamentare dhe një parlament legjitim të dalë nga vota e mirditorëve dhe vota e shqiptarëve, dhe jo të diktuara nga krimi dhe paraja e drogës", kështu është shprehur kryetari i opozitës, Lulzim Basha në një ndalesë në Mirditë duke theksuar përsëri se objektivat e PD nuk ndryshojnë. 

Më pas Basha në bashkëbisedimin e simpatizantët e PD në Mirditë, ka hedhur akuza ndaj qeverisë Rama duke thënë se e vetmja politikë e Ramës është grabitja.

“Preokupimi i vetëm i Edi Ramës është si të grabisë, si të vjedhë. Është një hajdut psiqik, nuk është një i çmendur apo i marrë, është një hajdut psiqik, që vjedh çdo gjë që i del përpara. E gjithë qeverisja e tij është vetëm për vjedhje e grabitje. Ai nuk ka asnjë politikë tjetër, prandaj ka vënë grabitjen dhe mbajtjen me dhunë të pushtetit në themel të vjedhjes dhe grabitjes së shqiptarëve.” tha Basha ndër të tjera.

Kreu i opozitës ndër të tjera ka thënë se për PD 30 Qershori ishte një mesazh besimi për partinë e tyre, besim që erdhi si rezultat i vendimeve të forta, përfshirë edhe djegien e mandateve.

“Rruga jonë për ta kthyer refuzimin masiv të 30 qershorit nga një shumicë “Rama ik” në një shumicë qeverisëse, kalon përmes kutisë së votimit. Për këtë askush nuk ka asnjë iluzion. Qëllimi i protestave ka qenë, është dhe mbetet të diktojë kushtet minimale për zgjedhje të lira e të ndershme.”- u shpreh Basha.

Më pas ai ka thënë se objektivat e PD mbeten të pandryshuara.  “Objektivi ynë politik është i qartë: zgjedhje të parakohshme parlamentare dhe një parlament legjitim të dalë nga vota e mirditorëve dhe vota e shqiptarëve, dhe jo të diktuara nga krimi dhe paraja e drogës. Zgjedhje të garantuara përmes një qeverie tranzitore, një reformë e thellë elektorale, çuarja para drejtësisë e të gjithë atyre që tashmë i ka dëgjuar e gjithë bota se si shkatërruan zgjedhjet e 2017-s dhe, natyrisht, pas farsës së 30 qershorit, mbajtja në të njëjtën ditë me zgjedhjet e parakohshme parlamentare, e zgjedhjeve legjitime lokale.”- tha kreu i opozitës.

Sipas pretendimeve të Bashës PD e ka nisur këtë betejë për interesin e njerëzve, ai u shprehu vendosmërinë për ta çuar atë deri në fund për interesin e njerëzve.

 “Ardhja e Partisë Demokratike në pushtet do të jetë dita e nisjes së një ndryshimi pozitiv për çdo shqiptar, pa dallime parttake, edhe për socialistët, për të gjithë. Ne jemi gati t’u tregojmë shqiptarëve rrugën e shpresës, rrugën e ndryshimit të thellë politik dhe ekonomik të vendit.” ka përfunduar ai.