TIRANE - Kryetari i Bashkisë së Tiranës Lulzim Basha është shprehur se në zyrën e tij nuk ka shkuar asnjë dorëheqje tjetër nga punonjësit e LSI-së. Basha gjithashtu është shprehur se dorëheqja e e ish-nënkryetarit Petrit Vasili lidhet me angazhimin e tij politik.

"Nuk kam patur asnjë dorëheqje tjetër përveç dorëheqjes së zotit Petrit Vasili, zëvendëskryetarit të Bashkisë, të cilin dua ta falenderoj për bashkëpunimin e tij dhe për rolin që ka luajtur gjatë detyrës si zëvendëskryetar i Bashkisë.

Dua të kujtoj që Vasili është nënkryetar i LSI-së dhe në këtë kuadër do të ishte e çuditshme mëse angazhimi i tij paraelektoral, pse jo kandidimi i tij si deputet, nuk do të kushtëzonte vendimin që më paraqiti para 24 orësh për dorëheqje nga posti i nënkryetarit të Bashkisë së Tiranës", tha Basha.

Këto deklarata ai i ka bërë gjatë prezantimit të fondit të garancisë te të rinjë e kryeqytetit. Kurse lidhur me zëvendësimin e nënkryetarit të Bashkisë, nëse do t'i përkasë LSI-se, Basha u shpreh "Është një çështje, e cila do t'i përgjigjet realitetit politik, që kjo forcë politike do të vendosë në raport me Bashkinë e Tiranës”.

Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com (print) 13.04.2013
Redaksia Online
(b.m/shqiptarja.com)