Nga Lushnja Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha deklaroi se "pas 6 muajsh teatër e balet, u bë pazar për karrige dhe interesa personale", duke iu referuar dakordësisë PS-Rithemelimi për rikthimin e normalitetit në parlament.
Sipas Bashës ky është një pazar që mundohet të fshehë gjërat më të thjeshta dhe më të kuptueshme nga çdo shqiptar.

"Sot partia Demokratike qëndron përballë një kaste politike që bën sikur zihet me njëri-tjetrin, por pas 6 muajsh teatër, është e gatshme të arrijë pazare, marrëveshje, për interesat e tyre, kundër interesave të shqiptarëve. I tillë është pazari që kanë bërë. Ndaj edhe javën që shkoi donin të mbysin transparencën dhe denoncimin e këtij pazari në Kuvendin e Shqipërisë, natyrisht që nuk ia dolën. Ky është një pazar që mundohet të fshehë gjërat më të thjeshta dhe më të kuptueshme nga çdo shqiptar. 6 muaj pseudo revolucion me flakadanë! Çfarë u arrit? U arrit një ligj i ri për komisionet hetimore që është 10 herë më i keq se ligji i mëparshëm dhe që zhduk transparencën, zhduk aftësinë e opozitës për të mbledhur fakte e dokumenta, për të detyruar dëshmitarët e për ta bërë këtë në mënyrë transparente. Pra, jo vetëm që nuk u arrit diçka pozitive, por u humbën të drejta parlamentare, të drejta opozitare, të drejta publike që opozita i kishte. U kërkuan 8 komisione, u morën dy dhe populli me të drejtë thotë: ua bëri 8 me 2.
Një prej atyre komisioneve është sa për sy e faqe, sepse siç e dini fare mirë, si mund të kërkohet një hetim parlamentar për sterilizimin, ndërkohë ministri i shëndetësisë së kohës së sterilizimit u mor i pandehur në fillim të javës nga SPAK, me një akuzë e cila rrezikon të shkojë deri në 4 vite burg. Atëherë për çfarë e kërkon komisionin hetimor kur prokuroria i mbaroi hetimet? Sigurisht nuk ka transparencë, ka një lojë, ka një balet të palëve për të fshehur të vërtetën. Po të lexosh dokumentet është e qartë se ia ashtu quajturi komision I transparencës për sterilizimin, do merret me masa administrative dhe ndryshime ligjore. Pra ndërkohë që SPAK do ta fusë në burg Ilir Beqën për vjedhjen e sterilizimit, këta do të merren me masa administrative, që do të thotë se maksimumi do të propozojnë gjoba?!Dëmi tjetër shtrihet në mungesën totale të hapësirës dhe zërit opozitar për 6 muaj. I binin bilbilave për të penguar zërin e opozitës sepse qeverinë nuk e pengonin dot. Qeveria kalonte për 3,4 apo 5, maksimumi 7 minuta. Për 4 minuta e 50 sekonda miratuan buxhetin 7 miliardë euro taksa që po i merren dhe do ti merren shqiptarëve për tu shpenzuar siç do Edi Rama dhe qeveria e tij e korruptuar. Po a pati mundësi PD ta ngrinte këtë çështje në Parlament?! Sigurisht që jo sepse bilbilfryrësit nuk e kishin mendjen këtu. Ata e kishin mendjen si e si të arrinin një marrëveshje për veten e tyre, për karriget e tyre dhe kjo është një akuzë që nuk e bëj lehtësisht, por që ju vetë e keni parë se cili është motivi i vërtetë. Motivi i vërtetë është mbajta në fuqi të Kodit zgjedhor siç është me lista të mbyllura", tha Basha.
Lajmi kryesor:
'PD ka gati ofertën për shqiptarët', Basha nga Lushnja: I japim fund politikës me premtime të ditëve të fundit të fushatës
B.K/E.H/Shqiptarja.com
