Basha paralajmëron bojkot
të zgjedhjeve parlamentare?

Basha paralajmëron bojkot<br />të zgjedhjeve parlamentare?
​Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ka paralajmëruar bojkotimin e zgjedhjeve parlamentare të 2017-ës. Në një deklaratë të shpërndarë për mediat, Basha thekson se tashmë vendimi është marrë dhe se zgjedhjet e lira e demokratike garantohen pa Edi Ramën Kryeministër. 

"Nuk ka zgjedhje me Edi Ramen kryeminister dhe me langot e tij te korruptuar e të bërë njësh me krimin dhe drogën", shkruan Basha.​

Ndonëse pak ditë më parë, kreu i PD kërkoi krijimin e një qeverie teknike për të garantuar sipas tij, zgjedhjet e lira dhe të ndershme, në deklaratën e kësaj të shtune duket se Basha e ka shmangur këtë artikulim, duke i mëshuar vetëm largimit të Ramës. 

Kreu i opozitës pat deklaruar një javë më parë se me Ramën kryeministër dhe Tahirin ministër i Brendshëm, zgjedhjet e ardhshme janë në rrezik dhe se vendi duhet të shkojë drejt një qeverie me bazë të gjerë. Por zërat kundër në PD, ku më i fortë ishte ai i Genc Rulit një ditë më parë  i cili theksoi se qeveritë teknike ndërtohen në situata krizash, ndërsa solli në vëmendje vitin 1991 dhe 1997, duket se kanë bërë që Basha të heqë dorë nga ky propozim. Por sërish mbetet evaziv sesi e mendon ai largimin e Edi Ramës dhe zhvillimin e zgjedhjeve pa atë Kryeministër!

Gjithashtu, kreu i PD është i paqartë kur flet për një "vendim popullor" (s'dihet se kujt populli i referohet Basha) që ka vendosur në mënyrë të pakthyeshme se zgjedhjet e lira dhe të ndershme do të zhvillohen vetëm pa Ramën në krye të qeverisë. 

"Vendimi është marrë. Është një vendim popullor i pakthyeshëm. Zgjedhje të lira dhe të Ndershme vetëm pa Edi Ramën kryeministër", thotë Basha. 

Deklarata e plotë e Bashës:
"Me shpresen e kotë se mund të ndalë betejën tonë vendimtare për Zgjedhje të Lira e të Ndershme, Edi Rama me nje grusht mercenarësh mediatikë po përpiqen të shpikin fijen e kashtës në PD për tu kapur si i mbyturi.
E njëjta intrigë që i doli huq në planin e tij për të kapur drejtësinë duke përjashtuar opozitën. Të njëjtat mendje të prishura që mbështetën "të sëmurin e Tiranës" kundër konsensusit për reformën në drejtësi sepse ashtu do të përçante opozitën. 
Te njëjtët që bënë çmos të pengojnë dekriminalizmin për llogari të Rroshit, Bushit, Frrokut, Ndokës, Prengës, Shullazit, Habilajt dhe mbarë kupolës së krimit të veshur me pushtet dhe pushtetit të veshur në krim.
Te njëjtët që shpallën zinë 7 ditore (prej të cilës nuk po dalin dot), kur Shqipëria dhe PD fituan pa kushte betejën për drejtësi sipas Venecias e jo sipas Ramës.
Tani që bien topat e betejës për zgjedhje të lira e të ndershme, kuisin me dëshpërim kundër kushtit të patejkalueshëm opozitar dhe popullor që është njëkohësisht edhe ankthi i përnatshëm i “të sëmurit të Tiranës”. 
Nuk ka zgjedhje me Edi Ramën kryeministër dhe me langot e tij të korruptuar e të bërë njësh me krimin dhe drogën. Vendimi është marrë. Është një vendim popullor i pakthyeshëm. Zgjedhje të lira dhe të Ndershme vetëm pa Edi Ramën kryeministër
".​

Ndërkaq, pas hovit të Bashës javën e kaluar se domosdo vendi duhet të shkojë drejt një qeverie teknike, si kryeministri Edi Rama ashtu edhe kryetari i Kuvendit, Ilir Meta e rrëzuan këtë tezë, ndërsa pas këtyre qëndrimeve, reagime pati edhe brenda Partisë Demokratike. Eksponentë të rëndësishëm të PD u shprehën se s'mund t'i kërkohet një mazhorance me mbi 84 vota kalimi në qeveri të përbashkët, apo dhe se qeveria e profesionistëve është e denjë për situata krizash të stërzgjatura kur klasa politike është e paaftë të gjejë zgjidhje, situatë në të cilën Shqipëria nuk është. 

Redaksia Online
l.q/Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    PD paralajmëron protesta, bllokim rrugësh e kaos në Kuvend, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

VIDEO/ Ndërpritet derbi i Madridit, Reali i shënon Atleticos! Tifozët hedhin sende të forta kundër Courtois

VIDEO/ Ndërpritet derbi i Madridit, Reali i shënon Atleticos! Tifozët hedhin sende të forta kundër Courtois