TIRANE, 27 Nentor/ATSH/-Kryetari i Bashkisë së Tiranës dhe kryetari i PD Lulzim Basha priti në një takim një delegacion të Federatës Pan-Shqiptare "Vatra", të kryesuar nga kryetari Gjon Buca, ku ju shprehu mirënjohje për kontributin e jashtëzakonshëm që kanë dhënë për Shqipërinë dhe çështjen shqiptare gjatë 102 viteve të ekzistencës së saj.
Basha tha se ndihma dhe kontributi i diasporës shqiptare në SHBA dhe i federatës Pan-Shqiptare "Vatra" është i pazëvendësueshëm në mbështetjen që i kanë dhënë Shqipërisë në rrëzimin e regjimit komunist dhe në konsolidimin e demokracisë.
Bucaj shprehu falënderimet për bashkëpunimin e shkëlqyer që ka pasur gjatë këtyre viteve mes PD dhe kësaj organizate. Si një ndër organizatat shqiptare në SHBA që u investua fuqimisht kundër regjimit komunist në Shqipëri, "Vatra" shpreh sot shqetësimin për përpjekjet për rehabilitimin e figurës së diktatorit Hoxha. 
Basha ka mirëpritur propozimin e "Vatrës" për të emërtuar disa rrugë në kryeqytet me emrat e personaliteteve të shquara  të kësaj organizate të cilët kanë dhënë kontribut të rëndësishëm për çështjen kombëtare.