VLORË – Kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha akuzoi socialistët e e kanë parë qytetin e Vlorës për përfitime personale dhe se i kanë zhytyr qytetarët në varfëri. Basha tha se kandidati i koalicionit të djathtë për Bashkinë e qytetit bregdetar, Genci Deromemaj do të përqendrohet veçanërisht tek shëndetësia e cila sipas tij po njeh ditët më të zeza.
 
 “Realiteti është ky por nga ana tjetër 5 milionë dollar i kanë vjedhur nga fondi i kompensimit për insulinën  dhe për sëmundjet e rënda. Lekët e të sëmurëve i kanë vjedhur. Deri këtu ka shkuar pashpirtësia”, u shpreh lideri i opozitës.
 
"Vota për Genc Deromemaj është vota për të ndalur të keqen që po përparon çdo ditë në familjet tuaja por është po kështu vota për zbatimin e platformës sonë për uljen me 25% të çmimit të energjisë dhe faljen e kamatë-vonesave, uljes së çmimit të naftës, rritjes së konsumit përmes rritjes së fuqisë blerëse, heqjes së TVSH për mallrat e shportës, rritjes së rrogave e pensioneve. Këto janë propozimet tona, kjo është platforma jonë, kjo është oferta  jonë", -theksoi Basha.
 
Gjatë fjalës së tij Basha iu referua vizitës që kryeministri Rama dhe ministri Beqaj patën dje në Vlorë për inaugurimin e spitalit të rikonstruktuar psikiatrik, kur tha se ndërtimi i tij është meritë e Halim Kosovë.
 
 “Nuk kanë  se çfarë bilanci të prezantojnë Edi Rama dhe Koço Kokëdhima edhe kur guxojnë siç guxuan sot të vijnë e të flasin për spitalin psikiatrik, të gjithë e dimë, filloi të ndërtohej në kohën kur ministrinë e Shëndetësisë e drejtonte kryebashkiaku i ardhshëm i Tiranës, dr. Halim Kosova, harron të thotë kryesoren. Programet investigative me kamera të fshehta treguan se si merrej 500 mijë lekë rryshfet për një KEMP”,- tha Basha.
 
Grua nga salla: Mua po më vdes djali....
Basha: Eja këtu ....
Gruaja: Po më vdes djali, 25 vjeç, nuk kam çfarë t’i bëj më. Punoj për 150 mijë lekë, nuk ma shtrojnë në spital, as nuk i japin as raport, as KEMP. Kjo është qeveria e Edi Ramës. Jemi të zhgënjyer që të gjithë nga Edi Rama.”
 
Kandidati për kryetar të Bashkisë së Vlorës Genc Deromemaj, prezantoi platformën e tij për zhvillimin e Vlorës.
 
"Para ca ditësh takova një grua e cila kishte shitur gjysmë litri gjak dhe këto lekë i kishte marrë e i kishte çuar për të paguar energjinë elektrike sepse kishte frikë të shkonte në burg. Ne do të bëjmë të mundur një fond rimbursimi për energjinë elektrike me vlerë 3500 lekë për familje. Janë 6000 familje që do i kushtojnë buxhetit të administratës së bashkisë nesër jo më shumë nga 21-22 milionë lekë të reja” -theksoi Deromemaj.