TIRANË, 10 Shkurt/ATSH- I. Vata/- Partia Demokratike ka akuzuar qeverinë se po abuzon me zonat e përmbytura në jug të vendit dhe se nuk po vlerëson realisht gjendjen e të përmbyturve, duke mos shpallur gjendjen e emergjencës civile.
Partia Demokaratike ka mbledhur pasditen e sotme Grupin Parlamentar për të analizuar situatën në vend e kryesisht atë të përmbytjes në jug të vendit.
Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, e ka paraqitur si të vështirë gjendjen në zonat e përmbytura në jug të vendit dhe jo vetëm, por ka sjelle si argument të pasigurisë shpërthimet që ndodhen sot në kryeqytet.
"Ku ta kërkojmë qeverinë kur nuk është në krah të të qytetarëve, te përmbytjet, te siguria e tyre dhe siguria në vend, por e gjejme në Facebook, në ekran. Kjo qeveri nuk është zgjidhja por problemi. Ne do të vazhdojmë deri në fund të mbështesim njerëzit e përmbytur në zonat e jugut të vendit. Shqipëria dëshmoi se ka virtyt të solidaritetit në mbështetje të familjeve të përmbytura. Shqiptarët pa dallime politike kanë kërkuar shpalljen e gjendjes emergjente dhe çeljen e fondeve në nevojë të familjeve", tha Basha.
"Është një popull i tërë që i kërkon kryeministrit të zgjohet e të marrë vendime. Të çele fonde në favor të familjeve të rrënuara në Fier, Vlorë a kudo. Qeveria duhet të këtë iniciativën të ndërhyjë në zonat e përmbytura, pasi nuk ka një plan konkret, por ka akuza dhe shpifje ndaj opozitës. Brukseli e tha qartë se është i gatshem të ndihmojë Shqipërinë, por Shqipëria duhet të vlerësojë pasojat e përmbytjes", theksoi Basha. /a.ke/









