TIRANË - Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka artikuluar sot për herë të parë “rishqyrtimin e mandatit të qeverisë Rama”. Këtë e ka bërë në një takim me grupin parlamentar të PD pas takimit që ai pati sot me kreun e delegacionit të Parlamentit Europian për Ballkanin, Eduard Kukan në Tiranë, duke iu referuar miratimit të aktit normativ të buxhetit në Kuvend. “Ky mbetet një krim ekonomik, i kryer me gjakftohtësi dhe votuar me verbëri në tempullin e ligjshmërisë. Hera e parë që një qeveri heq dorë nga mbledhja e të ardhurave. Hera e parë që qeveria parashikon me gjakftohtësi krizën dhe kjo do të kërkonte rishqyrtimin e mandatit të saj”, deklaroi Basha, pasi theksoi mbështetjen e plotë në vijimësi për integrimin e vendit në BE.

Basha i ka theksuar Kukan edhe hapat e rrezikshëm që ka marrë kjo mazhorancë për ta rrokullisur vendin, ekonominë e saj, tashmë stabël në gjithë parametrat dhe mirëqenien e shqiptarëve në një recension.

"Dua ta vazhdoj me përgëzimet më të  thella për diskutimet në foltoren e Kuvendit për miratimin e aktit normativ në buxhetin e shtetit. Kemi premtuar opozitë të fortë, ballore, të drejtë, etike dhe demokratike. Do ta bëjmë çdo ditë. Falë qëndrimeve të opozitës shqiptarët kuptuan fare mirë se qeveria parashikoi të marrë borxh me një dorë atë që parashikon ta humbë nga mbedhja e taksave më dorën tjetër. Me këtë mënyrë dyfishohet debiti. Kjo s’ka ndodhur kurrë dhe asnjë kryeministër s’ka guxuar të marrë këtë hap".

"Kjo është rruga e rrokullisjes, dhe krizës. E pritëm më shqetësim të thellë këtë rënie me top që i qeveria Rama i bën jo vetëm arkës së shtetit, por dhe stabilitetit makro-ekonomik. Si mundet që qeveria që sa vjen në pushtet të parashikojë të mbledhë katër herë më pak se ajo paradhëse. Ku do shkojnë këto para? Për ku janë nisur 16 milionë dollarë në muaj, që nuk do t’i vijnë më arkës? Është dhe mbetet temë kryesore jo vetëm e diskursit parlamentar por dhe transparencës dhe llogaridhënies", tha Basha.

Çështja e dytë e bisedës së Bashës ishte samiti i radhës së Partive Popullore, që u mbajt në Bruksel të enjtën e javës së shkuar. "Si pjesëmarrës për herë të parë m’u dha rasti të takohem, prezantohem formalisht me të pranishmit, personalitete, liderë shumë të njohur të BE", tha Basha.

"Në këtë takim pashë dhe konstatova shprehjen dhe respektin më të madh të partive simotra europiane të qendrës së djathtë për PD. Vlerësimin e tyre të veçantë për rolin e saj kyç në zhvillimin e Shqipërisë". 

Redaksia Online
(mag/shqiptarja.com)