Basha: Marrëveshja për reformën pas presionit ndërkombëtar! S'kam marrë garanci nga Rama për zgjedhje të parakohshme (VIDEO)

TIRANË - Ulja në një tryezë diskutimi me mazhorancën dhe opozitën e re parlamentare, për liderin demokrat Lulzim Basha, nuk do të thotë se reforma zgjedhore do të diktohet nga qeveria. Në një konferencë për mediat një ditë pas marrëveshjes politike që e bën edhe opozitën jashtëparlamentare pjesë të reformës zgjedhore, kryetari i Partisë Demokratike, Basha, tha se asnjë nuk ndryshon nga kërkesat e opozitës së bashkuar, ku më kryesorja siç tha ai, është që vendi të shkojë në zgjedhje të parakohshme të cilat duhet të mbahen në një ditë me ato lokale. 

"Për opozitën, objektivi politik është i qartë, largimi i një orë e më parë e kësaj qeverie përmes zgjedhjeve të parakohshme të lira dhe të ndershme, të cilave do t’u paraprijë një reformë zgjedhore sipas standardeve të diktuara nga OSBE/ODIHR. Po të ishte për interesa politike meskine, po të ishte për ekuacione pushtetesh e karrikesh, kishte dhjetëra rrugë të tjera të cilat ne i kemi refuzuar dhe do t’i refuzojmë me përbuzje", u shpreh Basha.

Por a ka marrë garanci nga kryeministri Edi Rama se pas miratimit të reformës zgjedhore me konsensus do të mbahen zgjedhje të parakohshme? Me përgjigjen e tij Basha la të kuptohet se kjo nuk ka ndodhur, por se zgjedhjet e parakohshme mbeten objektiv i opozitës së bashkuar. 

"Garancia e vetme që vendi të normalizohet janë qytetarët. Nëse qytetarët largohen dhe e lënë në dorë të Ramës, injorantëve, përdhunuesve, trafikantëve, atëherë nuk ka faktorët ndërkombëtarë që mund të bëjë diçka. Ka një opozitë të bashkuar që jemi mazhorancë numerike, dhe synojmë të jemi mazhoranca politike një orë e më parë", tha Basha.

I pyetur nga gazetarët nëse marrëveshja politike e arritur pas zgjedhores, ka të bëjë me faktin që ndaj kryedemokratit gjykata pushoi hetimet për falsifikim formulari, vule e stampe, Basha tha: "Nuk janë kritikë të mi, janë miq të Edi Ramës, përfitues të Ramës. Njerëz të cilët kanë vënë gjithçka në funksion të pushtetit të korruptuar dhe të dështuar të Edi Ramës".

Shefi i opozitës së bashkuar tha se drafti përfundimtar që pritet të dalë nga tryeza për reformën zgjedhore, duhet të jetë me konsensus të plotë, por nuk ndali sulmin ndaj mazhoranës dhe parlamentit të ri, i cili sipas tij është jolegjitim nga momenti kur PD, LSI dhe aleatët dogjën mandatet. Basha tha se parlamenti në këtë rast, do të jetë vetëm "noter" i draftit të reformës zgjedhore që do të nxjerrë tryeza e marrëveshjes politike.

"Reforma Zgjedhore nuk do të diktohet nga qeveria e dalë me votat e blera dhe pseudo-opozita e blerë me paratë e krimit dhe të oligarkisë. Vendimet për reformën zgjedhore do të merren me konsensus midis dy palëve- opozitës së bashkuar dhe parlamentit monist, plus patericat e veta. Parlamenti vetëm do të noterizojë formalisht marrëveshjet e tryezës politike, nga e cila vendimet do të dalin me konsensus, tha Basha.

Dje opozita e bashkuar mandatoi Petrit Vasilin dhe Oerd Bylykbashin si përfaqësues në tryezën e zhvendosur jashtë kuvendit me bashkëkryetarët e komisionit të posaçëm parlamentar për reformën zgjedhore, Damian Gjiknuri dhe Rudina Hajdari. Sipas marrëveshjes, reforma zgjedhore nuk duhet të miratohet më vonë se 15 marsi, ndërsa merret garanci se do të votohet pa asnjë ndryshim në seancë plenare, drafti i dakordësuar nga tryeza. 

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 14:36
Basha: Mazhoranca firmosi 3 kushtet e opozitës pas presionit ndërkombëtar

Për liderin demokrat Lulzim Basha, marrëveshja për të bërë pjesë të diskutimeve për reformën zgjedhore edhe opozitën jashtëparlamentare, erdhi pas presionit ndërkombëtar ndaj mazhorancës. Sipas Bashës, ky presion ka qenë deri në moment të fundit kur u realizua takimi dje në Pallatin e Kongreseve, pasi ka pasur siç tha ai - tentativa për zvarritje.

"Prej fillimit të dhjetorit faktori ndërkombëtar ka ushtruar presion për tre kushtet e opozitës. Nëse takimi do të zhvillohej dje apo jo këtë nuk mund ta thonim deri në moment të fundit për shkak të tentativave për ta zvarritur.  Presioni ndërkombëtar bëri që në letër të pranoheshin tre kushtet e shpallura të opozitës", tha Basha, teksa falenderimet e tij i veçoi për ambasadorin britanik në vendin tonë.

"Falenderim kam edhe për komunitetin ndërkombëtar dhe përfaqësuesit e tyre në Tiranë, për SHBA dhe BE, vendet anëtarë të BE dhe, në veçanti për ambasadorin britanik, Duncan Norman, përmes së cilit u vu në lëvizje mekanizmi i cili çoi në plotësimin e tre kërkesave të opozitës, pavarësisht se me katër muaj vonesë", theksoi Basha.

3 kërkesat e përfaqësuesve të opozitës për reformën zgjedhore 
 
1. Miratim i reformës zgjedhore në mënyrë transparente, gjithëpërfshirëse, konsensuale mes partive politike.
 2. Hartimi dhe diskutimi i reformës jashtë parlamentit në tryezën politike të partive.
 3. Miratimi pa ndryshime nga komisioni dhe Parlamenti i produktit konsensual të tryezës politike.

Ora 14:23
A e fali Damian Gjiknurin?! Basha: Nuk ka amnisti për shit-blerjen e votave

Ulja në një tryezë me Damian Gjiknurin nuk është amnisti për shit-blerjen e votës, tha kryedemokrati Lulzim Basha

"Nuk ka asgjë më të pavërtetë dhe naïve se kjo. Mund të rri këtu e të habitem sesi propaganda e Ramës ka arritur në këto nivele apo naiviteti i njerëzve ka arritur në këto nivele, por kjo nuk është detyra ime. Detyra ime është t’ju tregoj fare qartë se teza se “u legjitimua Damian Gjiknuri” është një tezë e dalë direkt nga kancelaria e Edi Ramës dhe e shpërndarë përmes renegatëve dhe patericave të tij, pre e të cilës mund të ketë rënë edhe ndonjë naiv apo ndonjë person që ka pritshmëri jorealiste dhe revolucionare për mënyrën sesi duhet të ndryshojë Shqipëria. Shqipëria do të ndryshojë përmes të njëjtave mekanizmave që ndryshon dhe përparon Europa. Njëri prej këtyre mekanizmave është zbatimi i ligjit. Përsa i përket pyetjes konkrete, më lër të të jap një përgjigje fare konkrete. Në kushtet e Bundestagut është edhe “fillimi i ndjekjes penale dhe proceseve gjyqësore kundër atyre që lidhen me blerjen e votave në zgjedhje dhe ndjekjen serioze e të shpejtë të procedimeve.” Në rezolutën e PPE-së ky kusht është forcuar edhe me “arrestimin e personave të kapur në përgjime duke vjedhur votat.” I njëjti kusht përsëritet edhe nga Unioni Demokratik Ndërkombëtar, ku, përveç Partive Popullore Europiane, përfshihet edhe partia në pushtet e SHBA dhe partia në pushtet në Britaninë e Madhe. Duke parë në sy qytetaret dua t’ju them se nuk ka për të patur amnisti as për Damian Gjiknurin, as për Imer Lalën, as për Vangjush Dakon, as për Avdylajt, për askënd që është përfshirë në shitblerjen e votave. Dërgimi i tyre para drejtësisë dhe aty ku e kanë vendin është prioritet absolut i PD-së, i opozitës së bashkuar dhe institucioneve euroatlantike. Ju lutem ta kuptoni realitetin, ashtu siç është. Këta janë të gjithë ushtarë të Edi Ramës. Stigmatizimi i procesit të reformës zgjedhore, nuk është gjë tjetër veçse rënie viktimë e kësaj propagande. Synimi im është të largojmë fenomenin e Edi Ramës, personin e Rdi Ramës, qeverinë e Edi Ramës, bandat e Edi Ramës dhe të krijojmë kushtet që kurrë më, asnjë parti politike, asnjë individ të vendosë shqiptarët dhe Shqipërinë në kushte pengmarrje nga krimi. Për këtë, ne kemi një hartë rruge, një udhërrëfyes solid që është rezoluta e Bundestagut për të cilën dje kemi dhënë kontributin tonë, duke krijuar një proces për reformën zgjedhore:

1.            jashtë parlamentit ilegjitim antikushtetues,
2.            me konsensus të forcave politike
3.            që do të kalojë pa asnjë ndryshim, pas miratimit në nivelin politik"
, tha Basha.

G.M./r.k./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Lui: 15/01/2020 15:20

    Marrveshja pas presionit nderkombetar. E pranon dhe vete! Dmth te jete per keta qelbesira as nuk do uleshin per marreveshje ( gje qe dihej gjithesesi). Ja dhe nje rast tjeter ku e tregojne veten, madje edhe hapur fare, qe keta pislleqe te shoqerise shqiptare nuk duan t’ia dine as per popull e as per atdhe..

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë