TIRANË- Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha i ka bërë thirrje qeverisë që të bëjë sa më shumë testime, në të kundërtën do të jetë shumë vonë.

Në reagimin e tij, Basha shprehet nëse kryhen shumë pak testime, atëherë edhe karantina do jetë shumë më e gjatë.

Kryedemokrati thekson se nëse një thirrje e tillë nuk merret parasysh atëherë ky është një tregues se fshihet e vërteta, por mbi të gjitha do t'i kushtojë shumë vendit.

"Transparenca dhe informacioni mbi gjendjen reale të infektimeve janë jetike për të ofruar garanci dhe siguri për stafet mjekësore dhe për të gjithë qytetarët. Testimi është mënyra më e suksesshme që po aplikohet sot për të identifikuar të prekurit nga COVID-19 dhe për të shkëputur zinxhirin e transmetimit.

Prandaj sa nuk është vonë i bëj thirrje qeverisë të shtojë urgjentisht numrin e testimeve dhe të bëjë publike gjithë kapacitetet tona laboratorike. Çdo vonesë jo vetëm fsheh të vërtetën, por do të na kushtojë shumë shtrenjtë!

Sa më pak testime, aq më pak persona të identifikuar, aq më shumë të infektuar, aq më gjatë do të vazhdojë karantina dhe më shumë do të thellohet kriza ekonomike. Koha për të vepruar është TANI! Çdo ditë e humbur kushton jetë", tha Basha.

Postimi i plotë i kreut të PD-së, Lulzim Basha