Basha si minues i integrimit e
dhunues i vlerave demokratike

Basha si minues i integrimit e<br />dhunues i vlerave demokratike
Nuk do shumë mend për ta kuptuar që Partisë Demokratike i ka humbur besimi se mund t’i fitojë zgjedhjet e 18 qershorit. Gjithë rrëmuja që ajo ka sjellë tash një muaj ka qenë në funksion të pamundësisë që ka kryetari i saj për të bindur popullin se ai dhe partia që përfaqëson janë ekipi më i mirë për të marrë drejtimin e vendit. Në fakt, muajt e fundit kanë bërë bashkë si frikën që kaploi opozitën nga reforma në drejtësi, ashtu dhe përqindjen e ulët që ajo merr në sondazhe. Ndërthurja e tyre bën që grupe interesi që janë në drejtim apo strukturat e opozitës, të cilat preken qoftë direkt, qoftë indirekt nga secila prej tyre, ta shohin si alternativën më të mirë acarimin e situatës politike me braktisje të kuvendit (çka bllokon reformën) dhe të zgjedhjeve (çka rrezikon stabilitetin).

Shqipëria është vend i çudirave politike. Logjika normale ta pranon që më shumë se kushdo tjetër, është opozita ajo që është më e interesuara që vendi të ketë një sistem drejtësie të pavarur, me gjyqtarë dhe prokurorë të ndershëm dhe të aftë profesionalisht, që japin vendime vetëm duke u mbështetur në ligj dhe prova. Tek ne opozita bën të kundërtën, nxjerr lloj- lloj yçklash vetëm e vetëm që reforma të bllokohet. Edhe më naivi që besoi te lufta e saj për të kërkuar balancim 50:50 në pjesëmarrjen pozitë opozitë, duket ta ketë kuptuar tashmë se kjo nuk ishte për shkaqe mosbesimi, por për shkaqe bllokimi. Pra, kur opozita aktuale kërkon diçka ku ajo bëhet faktor përcaktues, mos mendoni se e ka për mirë, jo absolutisht, aty fsheh djallëzinë për ta shtyrë sa të mundet një çështje të caktuar, në rastin konkret reformën, për të mos thënë për ta bllokuar fare.

Gjithë faktori ndërkombëtar që merret me Shqipërinë e ka theksuar më se një herë se reforma, posaçërisht vetting-u, është kusht për hapjen e negociatave. Më i fundit që e theksoi këtë ishte zëvendësministri i Jashtëm estonez i cili merr presidencën e BE-së në korrik. Nuk di se me çfarë tjetër duhet të identifikohet kjo opozitë si bllokuese e integrimit të Shqipërisë, se sa me këtë çështje e cila e nxjerr kaq zbuluar përpara opinionit publik. Do mjaftonte vetëm ky fakt, kjo shtyrje në kohë, që ta ndëshkoje me votë këtë opozitë. Sepse kjo periudhë, kur komuniteti evropian ka çështje shumë herë më të rëndësishme për veten e vetë, ku qarqet politike ekstremiste po bëhen gjithnjë e më të forta, është një luks i madh për Shqipërinë që kjo Evropë që është sot (nesër nuk i dihet) po na i hap dyert më shpejt seç e meritojmë.

Ana tjetër e medaljes është klima e keqe politike që opozita po përpiqet ta imponojë si krizë të qeverisë. T’i imponohesh qeverisë që ka shumicë të cilësuar votash në kuvend, të heqë dorë nga mandati i saj kushtetues, për të krijuar një qeveri teknike, tregon hapur pafuqinë e opozitës për t’u përballur me këtë mazhorancë. Shumicat dhe pakicat në politikë i krijon populli me votën e tij. Jo vetëm më 23 qershor 2013 dhe 21 qershor 2015, por edhe në tri palë zgjedhje të pjesshme populli ka vendosur se cila është shumica e cila opozita.

Partia Socialiste dhe kryeministri Rama po akuzohen më se një herë për arrogancë për zgjidhjen e krizës. Unë nuk e di se ku e shohin arrogancën; tek ftesa e hapur e kryeministrit për të biseduar me opozitën qoftë edhe në çadrën e saj, apo tek ofrimi i ndryshimeve ligjore për ta bërë Kodin Zgjedhor dhe atë Penal më të fortë dhe më garantues të zgjedhjeve?! Epo, të konsiderosh arrogante mos plotësimin e kërkesës së opozitës që qeveria të largohet pa asnjë shkak ligjor, nuk hyn në asnjë rresht që Fjalori i Gjuhës Shqipe trajton fjalën “arrogancë”.

Thirrjet e opozitës për të mos marrë pjesë në zgjedhje, janë e drejtë e saj dhe atyre që i besojnë. Por të minosh sistemin demokratik të zgjedhjeve vetëm se opozita ka frikë se po hyri i humbet ato, kjo nuk ka logjikë as si precedent kund tjetër. Humbja e zgjedhjeve nga opozita nuk është tragjedi për vendin. Ajo mund të jetë tragjedi vetëm për kryetarin e opozitës i cili humbet vendin e punës si kryetar partie (po iu përmbajt Statutit) dhe mundësinë për t’u bërë kryeministër. Po pse, vetëm për kaq gjë, vetëm për Lulzim Bashën do mbahet peng vendi, si në aspektin e integrimit evropian, si në atë të shëndoshjes së vlerave demokratike?! Lulzim Basha është thjesht një i paaftë, që ka shkrehur gjithë punën organizative të partisë ku e kanë emëruar, që s’ka bërë zgjedhje strukturash nga frika se nga hatër mbetjet apo lufta e bërrylave përçahet partia, që jemi rreth 3 muaj para zgjedhjeve dhe nuk ka as program as konventë partie që të mobilizojë bazën, etj. Por nëse këto janë punë të brendshme të partisë së tij dhe ata që janë aty ia pranojnë këto mefshtësi që ai shfaq, nuk ka pse vendi ynë të vuajë pasojat prej tij.

Opozita është jetike për një vend demokratik. Por kur ajo vetë përjashtohet pa asnjë shkak të përligjur, veç atij të paaftësisë për të bindur popullin ta votojë pasivisht, atëherë le të rrijë e të vegjetojë siç ka bërë këto 4 vjet. Krijimi i precedentëve ku një opozitë refuzon pjesëmarrjen në zgjedhje me kërkesa absurde që nuk gjejnë mbështetje as nga faktori ndërkombëtar, thjesht sa rrënojnë vlerat demokratike mbi të cilat ngrihet një vend dhe pjellin kriza artificiale, kostot e të cilave i vuajnë drejtpërdrejt qytetarët shqiptarë. Por këta të fundit e kanë treguar këto 4 vjet se nuk duan të bëhen mish për topin e kësaj opozite dhe kanë ditur kë të zgjedhin. Ashtu siç do të dinë ta bëjnë shumë mirë edhe më datë 18 qershor 2017.

Pyetja 1 milionë dollarë-she me të cilën desha ta mbyll këtë shkrim është: po të ishte kryeministër, a do të qe i gatshëm Lulzim Basha të hiqte dorë nga detyra për t’ia lënë drejtimin një qeverie teknike, sipas kërkesave të opozitës aktuale? Kjo pyetje vlen edhe për analistët pranë tij, të cilët vrasjet e 21 janarit i përligjnin (bashkë me Lulin) me dhunën e demonstruesve, kurse sot bëjnë thirrje (bashkë me Lulin) për të sulmuar me dhunë institucionet…


dy.b/shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    25 Nëntor, 08:30

    Takimet jashtë, mendoni se diaspora do marrë pjesë masivisht në votime?



×

Lajmi i fundit

Trump: Akuzat penale ndaj meje ishin rrëmbim politik, demokratët shpërdoruan taksat e amerikanëve për të goditur

Trump: Akuzat penale ndaj meje ishin rrëmbim politik, demokratët shpërdoruan taksat e amerikanëve për të goditur