Basha takim online me presidentin e PPE-së: Do ta bëjmë Shqipërinë anëtare të plotë në Bashkimit Europian

Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka zhvilluar një takim online më presidentin e PPE, Donald Tusk dhe përfaqësues të lartë të PPE (parti aleate të PD-së). Basha, falënderoi Donald Tusk për mbështetjen, ndërsa shtoi se Partia Demokratike është e angazhuar për të hapur rrugën e Shqipërisë drejt Bashkimit Europian. Sipas Bashës dëshirën e shqiptarëve për ndryshim nuk mund ta ndalë asgjë.

“Faleminderit miq të dashur, anëtarë të kryesisë së familjes sonë të Partisë Popullore Europiane. Më lejoni të filloj duke shprehur mirënjohjen time dhe ekipit tim dhe të gjithë anëtarëve dhe mbështetësve të Partisë Demokratike që u keni gjetur kohë për të mbështetur Shqipërinë dhe popullin shqiptar, për të mbështetur aspiratat europiane të shqiptarëve. Prioriteti ynë është të hapim rrugën e negociatave dhe ta bëjmë Shqipërinë një anëtare të plotë të Bashkimit Europian.

Kjo nuk do të jetë një rrugë e lehtë por me mbështetjen tuaj dhe mbështetjen e vendeve anëtare që janë pjesë e familjes sonë të madhe ne kemi qenë në gjendje të tregojmë se kur jemi të bashkuar në qëllim dhe jemi të përkushtuar për të ndërmarrë reforma të vërteta, kjo ka funksionuar për t'i sjellë shqiptarët më pranë Bashkimit Europian. Ndihem i bekuar, ne të gjithë jemi të bekuar me miq si ju, me ndihmën që ju keni dhënë gjatë gjithë këtyre viteve që bënë të mundur që shqiptarët të arrinin një moment historik, një ëndërr që ishte lëvizja pa viza në Europë.

Sot dua të ritheksoj angazhimin tonë për të rihapur rrugën e Shqipërisë drejt anëtarësimit të plotë. Për 8 vite hapja e negociatave ka ngecur, dhe ky nuk është dështimi i BE-së. Populli shqiptar e kupton shumë mirë se ky është vetëm dështimi qeverisë e cila nuk i ka përmbushur reformat e nevojshme në mënyrë që Shqipëria të ecë përpara. Unë ju siguroj sot se ky është angazhimi im, angazhimi i ekipit tonë, i Partisë Demokratike para popullit shqiptar që pas zgjedhjeve të 25 Prillit brenda 100 ditëve të para të qeverisë së re të hapim negociatat për anëtarësim në BE. Të gjithë shqiptarët e kuptojnë që anëtarësimi i plotë në Bashkimin Europian është e vetmja garanci për një ekonomi më të fortë, për investime të huaja që ofrojnë punë dhe paga më të mira, për forcimin e demokracisë së institucioneve dhe sundimin e ligjit, për forcimin e konkurrencës për luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit. Hapja e vendeve të punës për të rinjtë tanë do të bëjë të mundur ndalimin e valës masive të emigracionit që e ka vendosur Shqipërinë në krye të vendeve të botës mbi bazën e kapitalit në tetë vitet e fundit. Shqiptarët duan masivisht ndryshimin dhe ne e kemi vënë theksin te pjesëmarrja që të gjithë të dalin dhe të votojnë masivisht për ndryshimin, për numrin 9, për Aleancën për ndryshim. Është në duart e tyre të përcaktojnë fatin e familjeve të tyre dhe fatin e vendit tone. Asgjë nuk mund të ndalë vullnetin e shumicës absolute të shqiptarëve për t'u bërë pjesë e Bashkimit Europian, për të përmirësuar ekonominë dhe për të mbajtur të rinjtë tanë në shtëpi dhe për t’ju mundësuar të rinjve tanë të qëndrojnë në vendin tonë duke ju garantuar atyre punësim përmes investimeve shqiptare dhe të huaja, për një e ardhme më të mire për të gjithë.  Dhe kjo është arsyeja për sloganin tonë “Bashkë për ndryshim, Shqipëria fiton".

Është një përgjegjësi e madhe për Partinë Demokratike dhe për mua nesër të jem në krye të popullit më pro-europian në botë dhe të jem pjesë e një familjeje politike që dominon sot Bashkimin Europian. Unë e di që kemi shumë punë për të bërë së bashku për t'i kthyer në suksese sfidat më të cilat po përballemi. Kështu punuam për liberalizimin e vizave, një proces shumë kompleks siç e dini shumë mirë pasi nënkryetari e theksoi gjatë bisedës time të fundit me të, se kishte shumë skepticizëm nga vendet anëtare por ne e bëmë atë realitet. Së bashku ne e bëmë atë të mundur ashtu siç bëmë edhe me anëtarësimin në NATO. Shqiptarët sot e dinë se pa Europën ne nuk mund të ndërtojmë një ekonomi më të fortë. Dhe unë shpresoj dhe jam mirënjohës për mbështetjen e familjes sonë politike, për mbështetjen tuaj, për mbështetjen e të gjithë miqve tanë të dashur, për mbështetjen e vendeve anëtare për ta realizuar atë që presin sot shqiptarët, për të hapur negociatat në njëqind ditët e para të qeverisë tonë” – tha Basha.

Siç thuhet në njoftimin për shtyp të PD-së Donald Tusk theksoi se zgjedhjet e 25 prillit janë vendimtare për vendin, ndërsa u shpreh besimplotë se kryedemokrati do të realizojë integrimin e vendit në BE.

“Të dashur përfaqësues të EPP, i dashur president, i dashur Lulzim, të dashur anëtarë dhe mbështetës të Partisë Demokratike, miq të dashur, është kënaqësi të jemi bashkë sot, përpara zgjedhjeve shumë të rëndësishme parlamentare të dielën më 25 Prill. Nuk ka mbetur shumë kohë, por unë shoh me shumë admirim programin tuaj zgjedhor dhe gjendjen shpirtërore dhe energjinë pozitive të fushatës suaj. Pas gjithë këtyre viteve të fundit është bërë shumë e qartë se Shqipëria meriton më shumë, se ajo meriton ndryshim. Shumë shqiptarë janë larguar nga vendi. Kjo është një arsye më shumë që Shqipëria duhet të anëtarësohet në Bashkimin Europian në mënyrë që të përmirësojë jetën dhe perspektivën për të gjithë qytetarët shqiptarë. Si president i familjes më të madhe të Partisë Popullore Evropiane, e cila përfaqëson sot shumë grupime parlamentare dhe parti europiane, unë jap mbështetjen time të plotë për Partinë Demokratike dhe kam besim se Lulzim Basha dhe ekipi i tij do të realizojnë integrimin e Shqipërisë në BE. Partia Demokratike dhe personalisht Lulzim Basha tashmë kanë provuar se mund të bëjnë shumë për Shqipërinë pasi bënë të mundur anëtarësimin në NATO dhe lëvizjen pa viza për të gjithë shqiptarët. Sot unë rikujtoj këtë përvojë dhe udhëheqje të rëndësishme, e cila është shumë e nevojshme edhe tani. Fatkeqësisht viti i kaluar ka shënuar skandale korrupsioni, krim të organizuar, një rrjedhje të madhe të trurit, blerje votash dhe papunësi. Kjo është arsyeja pse unë i besoj programit të Partisë Demokratike me fokusin për të rregulluar ekonominë me fondet e nevojshme që do të rikthejnë investitorët, krijojnë vende të reja pune, mbështetjen e familjeve dhe biznesit të mesëm, palcën e shoqërisë shqiptare e cila do të investojë në edukim dhe kujdesin shëndetësor dhe do të rikthejë besimin tek institucionet. Për më tepër, unë shoh ekipin tuaj shumë përfaqësues të grave dhe të rinjve, gjë që gjithashtu më bën të shpresoj se ky ndryshim mund të jetë i suksesshëm. Partisë Demokratike i duhet shumica parlamentare për të pasur sukses. Thirrja ime sot për qeverinë është që të garantojë zgjedhje të lira dhe të ndershme dhe të mos përdor paratë e pista, presion mbi njerëzit dhe blerjen e votës për të prishur zgjedhjet.  Shpresoj që njerëzit do ta kuptojnë se nëse duan ndryshimin, duhet të votojnë për ndryshim. Votoni 9! Shqipёria fiton!” – tha Donald Tusk.

//Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Ppe-istet: 21/04/2021 10:46

    O lyl nuk voton ppe-ja,por shqiptaret, i ke bere mire llogarite? Nuk mashtrohen njerezit se flet ti me ata demokatet e europes. Eshte ndare mendja, rrini dhe 4 vjet ne opozite, sa te digjeni, se ju nuk piqeni,vetem digjeni.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Si zgjidhen problemet me pronat, korrupsioni dhe digjitalizimi i Kadastrës, gjetjet dhe rekomandimet e ekspertëve në Komisionin Antikorrupsion

Si zgjidhen problemet me pronat, korrupsioni dhe digjitalizimi i Kadastrës, gjetjet dhe rekomandimet e ekspertëve në Komisionin Antikorrupsion