Basha takoi ambasadorin rus
​për aksionin kundër qeverisë

Basha takoi ambasadorin rus<br />​për aksionin kundër qeverisë
Një takim i kryetarit të opozitës Lulzim Basha me ambasadorin e Rusisë në Tiranë, z. Aleksandër Karpushin, në datën 13 Mars, zuri në befasi opinionin publik, qarqet politike dhe mediatike, duke lënë pas një mjegull me dyshime dhe pikëpyetje rreth qëllimit të kamufluar të takimit dhe mesazheve të koduara.
 
Takimi u zhvillua në një kohë kur Partia Demokratike ka nisur një përpjekje të dëshpëruar në kërkim të mbështetjes së munguar ndërkombëtare ndaj aksionit të saj politik, për rrëzimin e qeverisë ‘Rama’. Për t’iu kundërvënë qëndrimit zyrtar të qeverisë amerikane, PD ka gjetur disa miq të Fatmir Mediut, të cilët, herë pas here, bëjnë deklarata kundër ambasadorit amerikan. Gjithashtu, takimi Basha-Karpushin erdhi në një kohë kur kryeministri Edi Rama deklaroi se çadrën e opozitës e duan disa qarqe të huaja, që nuk janë miq të Shqipërisë.
 
Kontakti publik i kryetarit të opozitës me të dërguarit e Putinit në Tiranë, vjen gjithashtu në një kohë kur drejtuesit e Partisë Demokratike pothuajse u kanë shpallur luftë ambasadorëve të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian në Tiranë, Donald Lu dhe Romana Vlahutin, për shkak të angazhimit të tyre për Reformën në Drejtësi dhe pozicionimit kundër bojkotit të Kuvendit dhe zgjedhjet të 18 Qershorit.
Prapaskenat e takimit
 
Teksa Lulzim Basha e paraqiti takimin thjeshtë si një takim rutinë pune, nga Ambasada Ruse në Tiranë ka ardhur një sqarim më i qartë, i ndryshëm për nga përmbajtja me njoftimin e Partisë Demokratike. Ndërsa PD, në njoftimin e saj, thotë se Lulzim Basha iu përgjigj interesit të ambasadorit Karpushin mbi zhvillimet politike në vend, Ambasada Ruse në Tiranë jep një tjetër version. Sipas ambasadës, bashkëbiseduesit, pra Basha dhe Karpushin, diskutuan për zhvillimet e fundit në politikën shqiptare, duke hedhur poshtë versionin se Basha thjeshtë i është përgjigjur interesit të ambasadorit.

“Bashkëbiseduesit diskutuan për zhvillimet e fundit në politikën shqiptare, si dhe për situatën aktuale në rajon, përfshirë këtu në Maqedoni dhe Kosovë”, thuhet në njoftimin e Ambasadës Ruse. Sqarimi i Ambasadës nënkupton se nuk ka qenë vetëm Karpushin ai që ka pasur interes për zhvillimet në politikën shqiptare, por po aq interes ka pasur edhe Lulzim Basha.
Aksioni kundër qeverisë
 
Si Partia Demokratike, ashtu edhe Ambasada Rusa pranojnë se kryefjala e takimit kanë qenë zhvillimet e fundit në politikën shqiptare. Dhe zhvillimi më i rëndësishëm ditët e fundit sigurisht që është aksioni i Partisë Demokratike për rrëzimin e qeverisë ‘Rama’ dhe krijimi i një qeverie teknike, e cila sipas opozitës do të garantojë zgjedhje të lira dhe ndershme. Megjithatë, si PD, ashtu edhe ambasada, janë kujdesuar për të theksuar se, ambasadori rus ka nënvizuar se parimi bazë i politikës së jashtme të Rusisë është ai i mosndërhyrjes në punët e brendshme të vendeve të tjera.
 
Partia Demokratike dhe Ambasada Ruse ndahen edhe sa i takon datës së zhvillimit të takimit të kryetarit të opozitës, Lulzim Basha me ambasadorin e Rusisë në Tiranë, z. Aleksandër Karpushin. Ambasada Ruse, në sqarimin e saj, thotë se takimi është zhvilluar në datën 13 Mars. Ndërkaq, Partia Demokratike, në njoftimin e saj, thotë se takimi është zhvilluar në datën 14 Mars. Nëse versioni i ambasadës është i vërtetë, rezulton se Lulzim Basha, për arsye të caktuara, e ka mbajtur për 24 orë të fshehtë takimin e me ambasadorin rus.
 
Ndërsa PD, në njoftimin e saj, thotë se Lulzim Basha iu përgjigj interesit të ambasadorit Karpushin mbi zhvillimet politike në vend, Ambasada Ruse në Tiranë jep një tjetër version.
 
Si Partia Demokratike, ashtu edhe Ambasada Rusa pranojnë se kryefjala e takimit kanë qenë zhvillimet e fundit në politikën shqiptare. Dhe zhvillimi më i rëndësishëm ditët e fundit sigurisht që është aksioni i PD për rrëzimin e qeverisë ‘Rama’.
 
Deklarata e Edi Ramës 
 
“Do të dëshpëroheshin nëse për arsye të politikës dhe për interesa pushteti, apo për instinkte frike, në Shqipëri do të ndodhnin gjëra që i shkojnë kundër të gjithë këtij procesi, ku ne si Shqipëri kemi një mbështetje kaq të madhe nga partnerët tanë strategjikë. Dhe e fundit, kryetari i opozitës është në të drejtën e tij që të mos i dallojë kush janë miqtë më të mirë të Shqipërisë dhe kush janë ata që nuk janë miqtë më të mirë të Shqipërisë. Ashtu sikundër është në të drejtën e tij, që t’iu kërkojë ndihmë këtyre të dytëve. Në parim po flas.

Një kryetar opozite mund të shkojë deri në pikën që të thotë ‘më ndihmoni mua të hedh në erë këtë pengesë që kam dhe unë jam në dispozicionin tuaj’. Këto gjëra kanë ndodhur. Prandaj flas për gjëra që lidhen me qarqe të caktuara, lidhen me interesa të caktuara. Potencialisht, çdo situatë e tillë është një oportunitet dhe historia ka treguar se, kur krijohen oportunitete të tilla, gjenden edhe oportunistët që janë gati, jo flamurin, jo dinjitetin e atdheut, por gjithçka ta vënë në dispozicion të një qëllimi, që është një qëllim mizerabël”.

 
 
Versioni i Ambasadës së Rusisë në Tiranë
 
Më 13 mars 2017 Ambasadori i Rusisë në Tiranë, z. Aleksandër Karpushin, zhvilloi një takim me Kryetarin e Partisë Demokratike të Shqipërisë z. Lulzim Basha. Bashkëbiseduesit diskutuan për zhvillimet e fundit në politikën shqiptare, si dhe për situatën aktuale në rajon, përfshirë këtu në Maqedoni dhe Kosovë. Një vëmendje e veçantë iu kushtua marrëdhënieve dypalëshe Rusi-Shqipëri. Në këtë kontekst Ambasadori rus nënvizoi se parimi bazë i politikës së jashtme të Rusisë është ai i mosndërhyrjes në punët e brendshme të vendeve të tjera.

Z. Karpushin theksoi gjithashtu se Federata Ruse vlerëson se ekzistojnë mundësi të pashfrytëzuara për të rritur bashkëpunimin ekonomik pragmatik mes dy vendeve tona dhe shpreson se në të ardhmen të punohet për të rritur nivelin e këtij bashkëpunimi. Ambasadori shprehu besimin se një impuls të fortë shkëmbimeve dypalëshe ekonomike do t’i japë takimi në muajin prill në Tiranë i bashkëkryetarëve të Komisionit Ndërqeveritar Rusi-Shqipëri për Tregtinë, Bashkëpunimin Ekonomik dhe Tekniko-Shkencor, si dhe sesioni i ardhshëm i këtij Komisioni qe pritet të mbahet ne vjeshtë, kur të formohet qeveria e re shqiptare. Ambasadori Karpushin dhe z. Basha e vlerësuan si konstruktiv një komunikim të tillë dhe ndanë një bindje të përbashkët se pikëpamjet e ndryshme në disa çështje nuk duhet të pengojnë përpjekjet për të eksploruar fusha të bashkëpunimit reciprok.

 
Versioni i Partisë Demokratike
 
Kryetari i PD, Lulzim Basha priti në selinë e Partisë Demokratike ambasadorin e Federatës Ruse z. Aleksandër Karpushin. Gjatë takimit z Basha iu përgjigj interesit të ambasadorit Karpushin mbi zhvillimet politike në vend. Z. Karpushin nga ana e tij nënvizoi se parimi bazë i politikës së jashtme të Rusisë, të cilit i qëndron edhe Ambasada Ruse në Tiranë, është parimi i mosndërhyrjes në punët e brendshme të vendeve të tjera.

Z. Basha dhe z. Karpushin shkëmbyen opinione edhe mbi zhvillimet në rajon. Z. Basha theksoi se njohja e pavarësisë së Kosovës dhe mbështetja për zbatimin e plotë të marrëveshjes së Ohrit në Maqedoni përmes aplikimit të dygjuhësisë nga Federata Ruse do të rihapnin një kapitull të ri në marrëdhëniet bilaterale. Ambasadori Karpushin theksoi se Federata Ruse vlerëson se ekzistojnë mundësi të pashfrytëzuara për të rritur bashkëpunimin ekonomik pragmatik mes dy vendeve tona dhe shpreson se në të ardhmen të punohet për të rritur nivelin e këtij bashkëpunimi.

Z. Karpushin shprehu besimin se një impuls të fortë shkëmbimeve dypalëshe ekonomike do t’i japë takimi në muajin prill në Tiranë i bashkëkryetarëve të Komisionit Ndërqeveritar Rusi-Shqipëri për Tregtinë, Bashkëpunimin Ekonomik dhe Tekniko-Shkencor, si dhe sesioni i ardhshëm i këtij Komisioni qe pritet të mbahet ne vjeshtë, kur të formohet qeveria e re shqiptare. Z. Basha dhe ambasadori Karpushin vlerësuan si konstruktiv një komunikim të tillë dhe vlerësuan se pikëpamjet e ndryshme në disa çështje nuk duhet të pengojnë përpjekjet për të eksploruar fusha të bashkëpunimit reciprok.
14 Mars 2017.
 
Redaksia Online
D.T/Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Ngjarja në Pogradec, jeni dakord me akuzën si vrasje nga pakujdesia?



×

Lajmi i fundit

Mbappe debuton me gol! Reali fiton Superkupën e Europës ndaj Atalantës, 'Galaktikët' trimfuan 2-0

Mbappe debuton me gol! Reali fiton Superkupën e Europës ndaj Atalantës, 'Galaktikët' trimfuan 2-0