Basha takon Kukan e Fleckenstain 
"Dialog pa kushte për "drejtësinë"

Basha takon Kukan e Fleckenstain <br />"Dialog pa kushte për "drejtësinë"
TIRANE - Demokratët kanë mbetur të inkurajuar nga mesazhet që morën nga dy eurodeputetët Kukan dhe Fleckenstain gjatë takimit të mbajtur këtë pasdite në selinë blu. Në një deklaratë për mediat pas diskutimeve që zgjatën për më shumë se 60 minuta në zyrën e kreut demokrat, lideri i PD Lulzim Basha tha se tre ishin pikat kyçe që shtroi para europarlamentarëve Eduard Kukan dhe Knut Fleckenstein, reforma në drejtësi, dekriminalizimi dhe zgjedhjet. Ftesën publike që i ka bërë kundërshtatit të tij politik Edi Rama për reformën në drejtësi, Basha e vuri në vëmendje të eurodeputetëve, para të cilëve tha se opozita nuk ka asnjë kusht dhe është e hapur për bashkëpunim me mazhorancën.

"Për reformën në drejtësi përsërita vullnetin e opozitës për një bashkëpunim të hapur dhe pa kushte me maxhorancën në frymën e konsensusit politik, për të prodhuar një reformë në drejtësi e cila lufton korrupsionin por pamundëson kapjen politike dhe vendosjen e gjyqtarëve dhe prokurorëve në shërbim të qeverisjes, qeverisë apo kryeministrit aktual apo kushdo qoftë ai. Në këtë kuadër theksova rëndësinë që merr dialogu politik. Risolla në vëmendje faktin që në një vit e gjysëm nën alibira të ndryshme kryeministri nuk i është përgjigjur asnjëherë ftesës së opozitës për një dialog të vërtetë politik dhe një punë gjithëpërfshirëse konsensuale e cila do të ishte në gjendje, nëse do të bëhej, të riparonte mungesën e besimit dhe ti jepte shqiptarëve të paktën në këtë fushë një reformë në drejtësi për të cilën palët janë rakorduar dhe e kanë cilësuar një prioritet për Shqipërinë", - tha Basha.

I pyetur nga gazetarët nëse Kukan dhe Fleckenstein i shtynë demokratët për dialog politik, Basha u përgjigj: Ne e kërkojmë dialogun politik. Dikush tjetër duhet të shtyhet në dialog politik. Por qëndrimi i tyre ishte jashtëzakonisht pozitiv dhe mbështetës. 

Kreu demokrat tha se ligji i dekriminalizimit po sfidohet, duke ju referuar rastit të deputetit Arben Ndoka.

"Shpirti i ligjit për dekriminalizimin po sfidohet akoma pa nisur punë. Ka shumë raste për këtë. Po përmend rastin e Arben Ndokës që u bë emblema e kauzës së dekriminalizimit, por nga ana tjetër i shpëtoi një vendimi të drejtë të gjyqësorit për shkak të presionit politik në Gjykatën e Lartë dhe sot është figura kryesore e Partisë Socialiste në Lezhë, prej nga ku, për interesat politike përsëri të Edi Ramës kërcënon me jetë tashmë një deputet brenda radhëve të Partisë Socialiste. Faktin pra, që jo vetëm krimi nuk po ndahet nga partia e Edi Ramës dhe nga Edi Rama por se Edi Rama vazhdon ti përdorë këta individë dhe po i armatos me pushtet politik, pushtet financiar, me leje të paligjshme ndërtimi siç është leja që po shfrytëzohet sot në hyrje të qytetit të Lezhës ku po rrafshohet një kodër e tërë në hyrje të Kodër-Marlekaj për të ndërtuar  një pallat 12 katësh. Pra lidhja krim, para, pushtet vazhdon të mbetet shumë e fuqishme tek Edi Rama dhe ky është një problem që kërkon ndjekje të vazhdueshme sepse nuk është vetëm ligji që duhet implementuar por duhet edhe vullneti politik", shtoi kreu i Partisë Demokratike.

Shqetësim për Shqiëprinë sipas Bashës mbetet ende blerja e votës

 "Pa këtë vullnet politik as që mund të bëhet fjalë për zgjedhe të lira dhe të ndershme, pa hyrë në aspekte të tjera siç janë financimi i partive, të shit-blerjes së votës, të intimidimit të votuesve, përdorimit të administratës, keqpërdorimit të Policisë së Shtetit etj. Ndava pikëpamjet me dy bashkëbiseduesit se këto janë dhe mbeten problem kryesor i Shqipërisë dhe shqiptarëve. Dhe se Shqipëria nuk mund të bëjë asnjë hap përpara pa zgjidhur problemin e rikthyer fuqishëm nga Edi Rama dhe Ilir Meta në zgjedhjet e 2015 të cilat vetë z Fleckenstein, ne median tuaj, i cilësoi si zgjedhje të dështuara sepse me të vërtetë të tilla ishin", perfundoi Basha.


Redaksia Online
(Gre.M/SHqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    21 Dhjetor, 15:03

    Si e vlerësoni mbylljen e TikTok në Shqipëri për një vit?



×

Lajmi i fundit

Interi në emergjencë totale, Simone Inzaghi: Nuk kam katër mbrojtës

Interi në emergjencë totale, Simone Inzaghi: Nuk kam katër mbrojtës