Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha zhvilloi të enjten një takim me përfaqësuesit e misionit paraprak faktmbledhës të ODIHR-it, ku u diskutua mbi situatën parazgjedhore në Shqipëri. Sipas një njoftimi për shtyp të shpërndarë nga selia blu, gjatë takimit Basha ngriti shqetësimin për rrethanat e krijuara që sipas tij, shkojnë kundër klimës dhe standardeve që kërkojnë zgjedhjet e lira e të ndershme.
"Ndarja administrative ishte një proces i njëanshëm i bërë nga qeveria, pa konsultime, pa konsensus, gjë që nuk ka ndodhur asnjëherë në politikën e 25 viteve. Kjo ndarje është bërë për kalkulime elektorale, duke e dëmtuar që në nisje garën e ndershme e të barabartë", citohet të ketë thënë Basha gjatë takimit.
Një tjetër çështje për të cilën Basha ngriti shqetësimin e tij ishte ajo e dekriminalizimit, lidhur me të cilën ai tha se mazhorancës i mungon vullneti për të ecur përpara me këtë proces. Kryetari i PD veçoi edhe presionin e vazhdueshëm që, sipas tij, po i bëhet Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, duke e cilësuar një akt të rëndë që dëmton frymën e këtij procesi. Ai u kërkoi përfaqësuesve të ODIHR që të sjellin në Shqipëri për zgjedhjet e 21 Qershorit misionin më të madh të mundshëm, duke parë premisat aspak të mira për zgjedhje të lira e të ndershme. Basha theksoi se prania sa më e madhe e vëzhguesve do të ndihmonte për ruajtjen e standardeve dhe shmangien e pasojave që mund të vijnë nga cenimi i votës së qytetarëve./a.gjonaj/atsh/