Basha thirrje qytetarëve për protesta
Do hapim rrugë të re për Shqipërinë

Basha thirrje qytetarëve për protesta<br />Do hapim rrugë të re për Shqipërinë
Kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha u ka bërë thirrje qytetarëve të Kukësit që të ngrihen në protestë për të hapur një rrugë të re jo vetëm për këtë qytet por për gjithë Shqipërinë.

“Qytetarët kanë të drejtë të marrin në dorë fatet e tyre kur u shkelet e drejta. Dhe kam besim se Kukësi do të ngrihet e Shqipëria do të ngrihet. Mos t’i lëmë të keqen kohës që të gërryej edhe më shumë shpresën në këtë vend. Të ngrihemi e të frymëzojmë anembanë vendit përmes akteve të mosbindjes civile e të qëndresës hapjen e një rruge të re për Kukësin dhe Shqipërine”, ka thënë Basha.

Gjatë takimit me tregtarët e Kukësit, Basha është shprehur se Shqipëria është zhytyr në krizë ekonomike pasi kryeministri Edi Rama ka vënë taksat më të larta në Ballkan, ndërsa premtoi se me ardhjen e tij në pushtet, taksat do të ulen.

“Me voten tuaj dhe me vendosmërinë tuaj do të ndërtojmë një shtet ligjor dhe demokratik që në qendër të ketë qytetarin dhe jo pushtetarin. Ekonomia është zhytur në krizë prej kryeministrit i cili ka vënë taksat më të larta në Ballkan. Ka rritur energjinë, ka rritur taksën e karburantit e tallet me shqiptarët. Sot e neser me besimin tuaj si kryeministër i Shqipërisë gjëja e parë që do bëjmë është ulja e taksave, taksat më të ulta në Ballkan do t’i paguajnë kuksianët dhe shqiptarët. Do të ulim çmimin e energjisë dhe do të falim pa kushte kamatvonesat e energjisë për gjithë shqiptarët,” premtoi lideri i opozitës.

Nga ana tjetër qytetarët e Kukësit kanë pranuar situatën e rëndë ekonomike, duke thënë se fuqia blerëse ka rënë, pasi taksat janë rritur.

Ja deklarata e plote e Bashes me tregtarët në Kukës:
Rikthehem në këtë vizitë në tregun e Kukësit, pas afro 10 muajsh dhe siç e patë gjendja ka shku nga keq edhe më keq. Shteti me të cilin krenohet Edi Rama është shteti që u merr edhe kacidhen e fundit me padrejtësi, me kërbaç, me pashpirtësi qytetarëve të thjeshtë dhe nga ana tjetër pasuron një grusht njerëzish të cilët vjedhin ditë për ditë nga arka e përbashkët e shtetit përmes doganave dhe tatimeve 1 milionë dollarë.

1 milionë dollarë janë më shumë se sa qarkullojnë para në tregun e Kukësit në një ditë të vetme, pra më shumë se sa hanë e pinë,e shpenzon Kukësi e gjithë kuksianët në një ditë vjedh Edi Rama dhe ministrat e tij nga Dogana e Tatimet, pa llogaritur këtu tenderat për të cilat Kontrolli i Lartë i Shtetit i nxori se kanë abuzuar në shumën rekord, një rekord tjetër ka vendosur për Shqipërinë Edi Rama, 1 miliardë dollarë në një vit, abuzime, vjedhje, korrupsion, majmen, pasurohen, bredhin si turistë nëpër botë. 162 ditë ditë në dy vite ky njeri që i thotë vetes kryeministri i Shqipërisë, i ka harxhuar në hotelet më luksoze të botës me paratë e shqiptarëve që i ka çu drejt varfërimit dhe mjerimit, azilit e deri vetëflijimit.

Këtu para se të futeshim në treg një zotëri i nderuar e në moshë më pyeti: A do të presim edhe një vit e gjysëm kështu, a ka kohë, a ka mundësi populli i Kukësit, qytetarët e Kukësit, qytetarët e Shqipërisë, fermerët e Shqipërisë ta shtyjnë edhe për një vit e gjysëm kështu? A është ky shteti që meritojnë shqiptarët, apo është shteti i zuzarëve, i hajdutëve, i njerëz të korruptuar e më damkë që OSBE-ja dhe Europa i tregon me gisht, siç tregon Edi Ramën ku në raportin e punës thotë se ka grumbulluar 200 milionë euro pasuri dhe është një krim në çdo vend, është një krim kapital në një vend, populli i të cilit shkon refugjat i dyti pas sirianëve në Gjermani.

Unë e di që jam mes njerëzve të vuajtur që nuk kërkojnë asgjë më shumë se drejtësinë e tyre, nuk kërkojnë asgjë më shumë se sa të respektohet ligji i barabartë për të gjithë dhe shteti ti shërbejë popullit dhe jo populli shtetit. Ndaj dua t’ju them se me votën tuaj dhe me vendosmërinë tuaj ne do të ndërtojmë së bashku një shtet ligjor dhe demokratik që në qendër të ketë qytetarin dhe jo shtetarin.

Shteti që ndërtohet për shtetarët meriton të përmbyset me çdo formë, me çdo mjet demokratik popullor. Shteti duhet të ketë një dhe vetëm një interes mirëqenien e qytetarëve, punësimin e qytetarëve, shëndetin e qytetarëve, arsimin e qytetarëve, drejtësinë për qytetarët. Duke e nisur me ekonominë e cila është zhytur në greminë jo prej Zotit por prej kryeministrit, njeriut që ka vënë taksat më të larta në Ballkan, njeriut që u merr shqiptarëve taksën më të lartë të karburantit, njeriut që ka ngritur çmimin e energjisë elektrike. Njeriut që nga njëra ana kërkon kacidhen e fundit qytetarët e tij dhe nga ana tjetër i bënë rrush e kumbulla për papulë e carapulë. Prandaj pyetjen e atij zotërisë së mençëm dua t’jua shtroj sot ju: A keni mundësi me prit edhe një vit e gjysëm? 

Atëherë iu bëj thirrje ta filloni këtu nga Kukësi, ta filloni këtu nga Kukësi frymën popullore të ndryshimit dhe të jeni të sigurt që në krah do të keni dibranë e shkodranë, korçarë e vlonjat, populli, qytetarët kanë të drejtë të marrin në dorë fatet e tyre kur iu mohohet e drejta elementare, kur iu shkelet ligji për ti dhunuar, kur i nxjerr nga puna, kur nuk kanë të ardhurat minimale, popujt e qytetëruar ngrihen ndaj kam besim se Kukësi do të ngrihet, Kukësi do të ngrihet, Shqipëria ngrihet, shqiptarët ngrihen për drejtësi dhe një shtet në funksion të qytetarëve.

E kur të ngriheni ta dini se në fund të një rruge që të gjithë e dimë se çfarë rruge është ajo kur ngrihet populli, ajo është fundi i çdo qeverie autokratike, arrogante e të padrejtë. Por duhet ta dini që qeveria për të cilën ngriheni duhet të japë llogari që nga çasti i parë para jush, që qeveria për të cilën do të ngriheni dhe do të votoni do të jetë qeveria që do ulë taksat. Ju jap fjalën e nderit sot si kryetar i  opozitës dhe kryetar i Partisë Demokratike e nesër me besimin tuaj se gjëja e parë që do të bëjmë është ulja e taksave. Shqiptarët njerëzit më të paprivilegjuar të Ballkanit që të krijojnë ekonomi, pasuri e punësim kanë nevojë për taksa më të ulëta në Ballkan dhe unë do ta mbaj fjalën që jap sot, taksat më të ulëta në Ballkan do ti paguajnë kuksianët dhe gjithë shqiptarët. Çmimin e energjisë për qytetarët do ta ulim, kamatëvonesat e bandës së OSHË-së do të falen pa kusht për të gjithë shqiptarët nga jugu në veri. Mos ti lëmë të keqes kohën që ta gërryejë akoma më shumë shpresën që ka mbetur në këtë popull

Të ngrihemi, të ngriheni e të frymëzojmë anembanë vendin përmes akteve të mosbindjes civile, e qëndresës, hapjen e një rruge tjetër për Shqipërinë, për shqiptarët, për Kukësin dhe çdo qytetar.

Redaksia online
(shqiptarja.com)


 

  • Sondazhi i ditës:
    25 Nëntor, 08:30

    Takimet jashtë, mendoni se diaspora do marrë pjesë masivisht në votime?



×

Lajmi i fundit

E rëndë në Fier/ Gruaja bie nga kati i shtatë, ndërron jetë

E rëndë në Fier/ Gruaja bie nga kati i shtatë, ndërron jetë