TIRANE - Lufta politike kërkon energji të mëdha por në një vit elektoral mazhoranca nevojitet që ato t'i shpenzojë të gjitha kundër opozitës. Ndoshta edhe për këtë arsye nënkryetarja e Partisë Demokratike, Jozefina Topalli, ka vendosur të luajë kartën e armëpushimit me rivalin e saj të hershëm brenda selisë blu, kryetarin e Bashkisë së Tiranës Lulzim Basha.

Pak ditë më parë, në faqen e saj në Facebook kryeparlamentarja Topalli ka publikuar një fotografi që ka kaluar pa u vënë shumë re. Në të, shfaqet Basha së bashku me bashkëshorten dhe vajzën e tyre. Numri dy i PD-së e ka shoqëruar foton me titullin “Një familje e mrekullueshme”, si për të theksuar edhe më shumë se kohët kur dy personalitetet politike të demokratëve nuk mund ta shikonin me sy njëri-tjetrin, tashmë kanë kaluar apo janë hedhur përkohësisht pas krahëve.

basha topalli ne fcb

Lehtësia me të cilën Basha lulëzoi menjëherë si një ndër figurat kyçe të qeverisjes së demokratëve shkaktoi xhelozi në radhët e lidershipit të partisë më të madhe në pushtet. Pas detyrës si ministër i Transporteve Kryeministri Sali Berisha i besoi Bashës postin e ministrit të Jashtëm që të paktën nga sa ishte aluduar në media lakmohej nga Kryeparlamentarja Jozefina Topalli. Mbështetja politike që ju dha kësaj prurjeje të re në parti dhe miqësia personale e Bashës me familjen e kryeministrit bënë që në opinionin publik ai të shihet si i "përkëdheluri" i Berishës.

Rivaliteti i kryeparlamentares me Bashën u shfaq hapur në vitin 2009 kur gjatë një diskutimi në Kuvend për projekt/buxhetin 2010, Topalli i fiku mikrofonin atëherë ministrit të Brendshëm pasi kishte mbaruar kohën në dispozicion.

Hamendësimet publike se Basha do të ishte "lideri rezervë" që Berisha po krijon për ta pasur gati kur të tërhiqet nga politika aktive, u përforcuan edhe nga një artikulim publik i kryediplomatit amerikan se Basha është një yll në ngjitje.

Pavarësisht gjithçka, duket e vështirë të besohet se paqja mes Bashës dhe Topallit të jetë afatgjate. Për momentin armët janë lënë veç për të tjera fushëbeteja ndërsa në Facebook PD ngjan… si të thuash… “Një familje e mrekullueshme”!