TIRANE – “Çdo biznes që do të punësojë më shumë se 50 punonjës, do të përjashtohet tërësisht nga taksat lokale për 4 vjet”. Pohimi ka ardhur nga kryebashkiaku i Tiranës, Lulzim Basha, gjatë Forumit Ekonomik Shqipëri – Kinë. “Për 4 vjet taksat lokale do të jenë zero”, u tha Basha investitorëve kinezë, nëse plotësojnë kushtet.

Basha premtoi edhe “regjistrimin e biznesit brenda gjysmë ore, me një kosto simbolike prej një euro, marrjen e gjithë licencave dhe lejeve në një ndalesë të vetme me kohëzgjatje 7 deri në 10 ditë dhe marrjen e një leje ndërtimi jo më gjatë se 55 ditë”.

“Këto janë disa prej arsyeve kryesore se pse ne mendojmë që ardhja juaj këtu është një ogur i mirë dhe nuk keni ardhur për të ikur, por për të qëndruar. Ju siguroj se Bashkia e Tiranës do të shumëfishojë përpjekjet për ta bërë vendosjen e bizneseve tuaja në Tiranë dhe nisjen e investimeve tuaja në këtë qytet, sa më të lehtë dhe sa më të shpejtë”, theksoi Basha.

Kryebashkiaku njoftoi se “këtë muaj Tirana do të shpallë planin e ri urbanistik, i cili së bashku me investimet strategjike në fushat e infrastrukturës, telekomunikacionit, dhe ndërtimeve të sektorit privat, do t’i japë një shtysë të jashtëzakonshme ekonomisë se qytetit dhe mbarë vendit”. Për këtë, “besoj se meritojnë vëmendjen tuaj të plotë”, u tha investitorëve kinezë.

(im/shqiptarja.com)