Gjatë prezantimit të programit për turizmin kreu i PD Lulzim Basha ka deklaruar se turizmi është një nga bazat e ekonomisë tonë, por sipas tij si shumë fusha të tjera edhe kjo është lënë pas dore.
"Kemi folur për ekonominë dhe se si Shqipëria më në fund mund të fitojë. Kemi folur për shëndetësinë dhe se si Shqipëria do të fitojë. Javën e shkuar folëm për arsimin, çështjen më të rëndësishme për familjet tona, për fëmijët tanë dhe tani është e qartë për të gjithë se si Shqipëria do të fitojë. Shqipëria fiton kur ka një qeveri që kujdeset për njerëzit dhe jo për veten e saj.
Shqipëria fiton kur të sjellim 110.000 vende pune! Fiton kur të ngremë pagat e mjekëve dhe infermierëve tanë të palodhur! Pagat e arsimtarëve dhe pedagogëve. Shqipëria fiton kur fëmijët tanë të marrin arsimin më të mirë të mundshëm!
Të dashur miq, Sot ju prezantoj me krenari planin tonë për turizmin! Ne jemi të bekuar me vendin më të bukur në botë. Kemi plazhe të mrekullueshme. Kemi peisazhe madhështore, që nuk gjenden askund tjetër. Kemi kaq shumë për t’i ofruar botës, por që i japim kaq pak. Nëse ne arrijmë potencialin tonë të vërtetë, do mund të bëjmë shumë gjëra të mëdha së bashku. Turizmi është një nga bazat e ekonomisë tonë. Si shumë fusha të tjera, edhe ai është lënë pas dore. Kur nuk ecën para, nuk mbetesh në vendnumëro, por rrëshqet prapa.
Shikoni vetëm vendet e Ballkanit rrotull nesh. Shikoni si lulëzon industria e tyre e turizmit. Ata kanë kuptuar pikërisht atë që kjo qeveri nuk e ka bërë kurrë: nëse investon në mënyrën e duhur, nëse vendos të kujdesesh për njerëzit dhe jo për veten, mund të arrish gjëra të mëdha! Niveli i punësimit në industrinë e turizmit, të ardhurat mesatare nga turistët dhe kohëzgjatja e sezonit turistik, janë të ardhurat më të ulëtat në rajon! Kjo duhet të ndryshojë", tha Basha.
Lajmi kryesor: