Edmond Spaho është zgjedhur kryetar i grupit të PD në vendin e Edi Palokës, ky i fundit merr postin e n/ kryetarit të parlamentit, ndërsa Grida Duma do të jetë zëdhënëse e grupit parlamentar.
Me statut dy nën kryetarët e partisë mbajnë postet e kryetarit të grupit dhe n/ kryetarit të parlamentit, ndërkohë që Spaho dhe Paloka do të jenë në detyrë deri në dhjetor 2018, pasi do të bëhen ndryshime sipas statutit.
Ervin Salianji zgjidhet sekretar i grupit të PD, ndërsa janë zgjedhur edhe kryetarët e Komisioneve parlamentare dhe n/kryetarët.
Drejtuesit e rinj të grupit të PD janë zgjedhur në mbledhjen e fundit, një ditë para konstituimit të Kuvendit nesër në orën 10:00.
Kupola drejtuese e PD
Edmond Spaho-kryetar i grupit të PD
Edi Paloka-n/kryetar i Parlamentit
Grida Duma- Zëdhënëse e grupit parlamentar
Ervin Salianji-Sekretar i grupit të PD
Strazimiri, Bylykbashi dhe Alibeaj-n/kryetar të grupit të PD
Oerd Bylykbashi-N/kryetar grupi për reformat dhe komisionet ad hoc
Bardh Spahia- Kryetar te Komisioni i Shëndetësisë
Albana Vokshi-Kryetare te Komisioni i Medias
Genc Pollo-Kryetar te Komisioni i Integrimit
Florion Mima- N/kryetar te Veprimtaria Prodhuese
Eduard Halimi- N/kryetar te Komisioni i Ligjeve
Flamur Noka- N/ kryetar te Komisioni i Sigurisë
Jorida Tabaku- N/ kryetare te Komisioni i Ekonomisë
Tritan Shehu-N/kryetar te Komisioni i Jashtëm
Kupola e re drejtuese e Partisë Demokratike
Basha: Protesta! Nuk do ketë përfshirje në qeverisje
Kryetari i PD, Lulzim Basha në fjalën e mbajtur para grupit parlamentar, deklaroi se Partia Demokratike në asnjë rast dhe asnjë rrethanë nuk do të përfshihet në qeverisje.
Pasi u është përgjigjur kritikëve brenda së djathtës se nuk do të ketë asnjë përfshirje të PD në qeverisje me Ramën, Basha deklaroi se objektiv është opozita e forta e mbështetur në tre pika.
Ai tha se duhet të bëhemi pengesë për të mos lejuar që vendi të rrëshqasë në kaos nga droga dhe krimi.
“Një mesazh të shkurtër. Dua ta filloj më një mesazh të qartë, ne jemi opozita dhe të bëjmë opozitën deri kur shqiptarët të na besojnë me votë. Nuk do të ketë asnjë ndarje pushteti dhe asnjë lloj përfshirje të PD në qeverisje në asnjë rast dhe asnjë rrethanë.
Një opozitë e fortë është domosdoshmëri për Shqipërinë. Kjo është një kohë kritike për Shqipërinë, ku do të përcaktohet nëse vendi do i rikthehet integrimit dhe demokracisë apo do të zhytet në sundimin e krimit me elitën e korruptuar.
Kemi tre sfida; në takon ne të bëhemi pengesë që vendi të mos rrëshqasë në kaos, droga, krimi dhe korrupsioni po e vdesin cdo mundësi për zhvillim në Shqipëri dhe po izolojë vendin” deklaroi ai.
Basha: Do modernizojmë PD, reformë zgjedhore
Kryetari i PD, i cili këtë mandat do të jetë edhe vetë në Kuvend deklaroi se do të ketë protesta kundër keqqeverisjes së vendit, ndërsa shtoi se reformimi i vendit do paraprihet nga reforma ne PD.
“Do të reformojmë e modernizojmë Partinë Demokratike, e cila do t’i paraprijë reformimit të të gjithë sistemit politik në vend duke filluar nga sistemi zgjedhor. Na takon ne që të jemi jo vetëm alternativë politike por edhe alternative morale. Ne do të jemi shembulli i ndershmërisë, i thjeshtësisë, i përgjegjshmërisë dhe i ndjeshmërisë ndaj njerëzve.
Ne do të propozojmë zgjidhjet tona politike dhe ligjore në interes të publikut. Do të informojmë dhe sqarojmë njerëzit mbi problemet reale të vendit. Ne do të denoncojmë dhe protestojmë kundër keqqeverisjes dhe korrupsionit, ne do të luftojmë kundër drogës dhe krimit. Mbi të gjitha ne do të jemi alternativa e njerëzve. Gjithmonë pranë njerëzve dhe gjithmonë me njerëzit.
Shqiptarët e thjeshtë sot janë më të braktisur se kurrë nga politika dhe elita e korruptuar e vendit. Ne duhet t’i kthejmë ata jo vetëm në qendër të politikës por edhe të ngjallim shpresën dhe besimin e tyre tek politika si një instrument ndryshimi për të mirë.
Sistemi ynë politik nuk i jep opozitës asnjë pushtet real ndërkohë qeveria kontrollon të gjitha instrumentat. Madje kontrollon edhe pushtet jo politike që janë të rëndësishme për funksionimin e demokracisë siç janë mediat dhe një pjesë të mirë të shoqërisë civile" tha ai.
Basha- deputetëve të rinj: Mirësevini në botën e ashpër të politikës
Grupi i PD ka 43 deputetë, 20 prej tyre janë të rinj, ndërsa qarqet e Korçës dhe të Shkodrës kanë më shumë emra të rinj.
Gjatë mbledhjes së grupit, Basha kishte edhe një mesazh për deputetët e rinj.
"Deputetëve të rinj iu uroj një fillim të mbarë, mirë se vini në botën e ashpër të politikës shqiptare; do iu fyejnë, por ju ruani dinjitetin, puna do u shpërblehet me mirënjohjen e njerëzve” përfundoi Basha në mbledhjen e grupit të PD.
Skenari, PD nesër voton kundër Ruçit dhe i bashkohet protestës
Këtë mandat të Kuvendit, kryetari i PD, Lulzim Basha do të jetë në Kuvend. Ndërsa aksioni nis nga kundërshtimi i dy emrave, Rucit dhe Xhafajt, pasi PD i akuzon për të kaluarën komuniste dhe lidhje me krimin.
Rama sot u bëri thirrje demokratëve që të votojnë Ruçin në postin e kryetarit të Kuvendit, por opozitarët po përgatiten për protesta.
Sipas burimeve të Report Tv nga selia blu, deputetët e PD do të vtojnë kundër Gramoz Rucit në Kuvend dhe më pas do të dalin në protestë para Kuvendit.