Bashkëbisedim i Kryeministrit Edi Rama me fermerë të fshatit Strumë në Fie

Pavarësisht se Majlinda, (Majlinda Bufi) është e vogël fizikisht, është shumë e fortë. Unë e kam ditur këtë që në momentin kur bashkë me Gramozin e thirrëm dhe i kërkuam që të linte mandatin e deputetes për të marrë përsipër sfidën e bashkisë së Roskovecit dhe më tha: “Unë e marr përsipër këtë sfidë dhe jam e bindur që fitoj, por detyra ime është që të fitoj, detyra jote është që të mbështesësh bashkinë sepse për shumë vite bashkia e vogël dhe gjithë këto komuna janë trajtuar si xhep fallco i gjithë qarkut të Fierit”. Unë i dhashë fjalën që do ta mbështesim Majlindën. 

Dua ta falenderoj sepse ka sjellë në këtë bashki një lidership të munguar për vite të tëra. Mjafton të hysh në rrugën që lidh bashkinë me pjesën tjetër për të filluar menjëherë ndjesia e ndryshimit, e pastërtisë, e kujdesit të veçantë që Majlinda e reflekton në punët e saj.

Prandaj shumë faleminderit kryetare për gjithë përkushtimin e nuk mundet mos ta them edhe në sy të gjithë këtyre njerëzve që mbështetja do të jetë me të gjitha mundësitë që kemi. E sigurisht një nga prioritetet kryesore është kjo rrugë që është një gangrenë prej shumë e shumë vitesh, për gjithë njerëzit e kësaj zone, që siç e tha dhe Majlinda janë vërtet të admirueshëm, sepse pavarësisht vështirësive që kanë pasur, pavarësisht rrugës që ka qënë e mbetet një makth, pavarësisht mungesës së shumë gjërave, që nga uji, kanalizimi, etj, kanë jetuar me punë të ndershme duke luftuar me thonj për bukën e familjes së tyre e vazhdojnë të jenë në punë e padyshim meritojnë gjithë mbështetjen tonë.

Majlinda e filloi duke folur për një ekskavator që është atje e do vijë këtu, etj. Ne po diskutonim me Gramozin e në fakt, nga një anë është dhe pak turp që në vitin 2016, në mes të Europës, në një vend të bekuar si i yni, vazhdojmë diskutojmë punë ekskavatorësh. Por ia tregova dhe disa miqve që takova në Divjakë. Isha në një zonë tjetër dhe vizitova bashkinë. Shoh disa fotografi në mur, mes të cilave fotografinë e një personi, - s’ka nevojë emri, politikan, - që nuk ka lidhej fare me atë zonë.

E pyeta, po ky çdo këtu? Është qytetar nderi - më thanë - sepse shumë vite përpara na solli nga Tirana një ekskavator që nuk punonte. Ekskavatorin që nuk punonte në Tiranë ia u kishte sjellë atyre. Ata sigurisht diçka kishin bërë dhe e kishin bërë qytetar nderi. Ndërkohë që ekskavatori i fundit që ka ardhur në Shqipëri për bujqësinë, daton në vitin 2005 dhe flota jonë e ekskavatorëve që ju e dini shumë mirë, janë mjeti jetik për funksionimin e të sistemit të prodhimit të bujqësisë,  është një flotë që e trashëguam me treçerekun e mjeteve që ishin në tako. E natyrisht, trashëguam dhe praktikën e ekskavatorëve të shtetit, ato pak ekskavatorë që jepeshin me qera për punë private. Të ashtuquajturat borde kullimi rrinin këmbë mbi këmbë dhe ata që ishin aty, drejtorë e shefa merrnin para nga privatët që merrnin ekskavatorët e shtetit e bënin punët e tyre. Kjo ishte bujqësia që na la Saliu, i cili ka kurajën, del dhe flet e flet, e arrin të thotë kemi investuar 3.2 miliardë për fshatin.

Më falni që e përmenda Saliun këtu, se e di që është fjalë e ndaluar në këtë zonë. Se na ka përfshirë dhe ky diskutimi i plehrave dhe nuk ke çfarë bën. Është si puna e asaj shprehjes që “kush fle me qenin gdhihet me pleshta”.

Ajo që unë dua t’ju them është që ne së pari, bëmë një reformë që ju po e shikoni vetë si po funksionon. Reformën administrative territoriale, duke krijuar 61 bashki nga shkrirja e afro 400 njësive që edhe kur ndodhte që të kishin në drejtim njerëz të përkushtuar, nuk kishin fuqi fare t’ju ndihmonin juve. Nga ana tjetër, bëmë një reformë të bordeve të kullimit. Sot nuk kemi 12 borde kullimi, por kemi vetëm 4, në 4 rajone të Shqipërisë që merren vetëm me magjistralet.

Ndërkohë që për gjithë kanalet e ujitjes, dytësore e tretësore që lidhen direkt me parcelën tuaj, merren bashkitë e reja. Bashkive të reja iu dhamë fondin më të madh që qeveria ka dhënë ndonjëherë në 25 vjet për ujitjen dhe kullimin.

Sot, ne kemi mijëra hektarë tokë që deri dje nuk punoheshin, jo se njerëzit nuk donin t’i punonin, por se nuk kishin ujë për vaditjen. E trashëguam në 2013 Shqipërinë me afro 130 mijë hektarë që ujiteshin. Në qershor të 2017, Shqipëria do ketë 225 mijë hektarë që ujiten. E ndërkohë, 10 ekskavatorë të rinj kanë ardhur për magjistralet, që do t’i mbajnë 4 bordet e kullimit, të cilat një pjesë të ekskavatorëve të tyre që i përdorin do t’ia kalojnë disa bashkive, e ndërkohë brenda vitit do të kemi dhe 61 eskavatorë të rinj të tjerë që do ti jepen bashkive, të cilat pak nga pak, do të krijojnë flotën e tyre dhe ndërmarrjen e tyre të ujitjes dhe të kullimit, jo më me tendera, me qera, me histori pa kuptim që thjesht qarkullonin para nga një xhep në xhepin tjetër, nga xhepi i shtetit tek xhepat e privatëve, nga xhepat e privatëve tek xhepat e drejtorëve të korruptuar, - por ndërmarrje për të cilat përgjigjet bashkia dhe qeveria krijon kushtet që bashkia t’i ketë në dispozicion mjetet që i duhen. E sigurisht, pak nga pak, sipas nevojave këto flota do të përmirësohen, fuqizohen e do të jenë aty një normalitet.

Sigurisht që është një siklet që të flasësh sot, të diskutosh punën e ujit, kur bujqësia, në BE ku ne duam të integrohemi, është kthyer në art. E falë bujqësisë nuk ka në Europë fshatarë të varfër. Nuk ekziston koncepti i fshatarit të varfër, sepse njerëzit që jetojnë në fshat janë njerëz që jo vetëm arrijnë të plotësojnë nevojat e tyre, jo thjesht për tu ushqyer, por për gjithë çfarë ju duhet, por janë pjesë e fuqisë së madhe të këtij sektori për ekonominë kombëtare të këtyre vendeve. Mirëpo bujqësia nuk është si shumë sektorë të tjerë që mund të bëjë çudira nëse shteti nuk është në krah të njerëzve. Sepse uji, sado i zoti të jesh, po nuk ta solli shteti në parcelë nuk e sjell dot vetë. Po ashtu dhe shumë aspekte të tjera të prodhimit lidhen drejtpërdrejt me shtetin, me efikasitetin e shtetit e kështu me radhë.

Nga ana tjetër, kemi 25 vjet në këtë vend që nuk kemi treg toke sepse kemi njerëz si ju që e kanë tokën në përdorim, por nuk e kanë të tyre. Me një copë letër atje, AMTP, që duhet të zhduket sa më parë ajo lloj letre, që duhet të kthehet në titull pronësie. E njerëzit që e kanë marrë tokën në përdorim me 7501, duhet të bëhen pronarë, sepse kështu thotë ligji 7501. Nuk thotë, jepja në përdorim, e ndërkohë shfaqen ca pronarë këtej, e ca andej, vijnë ca që thonë “unë e kam se mi ka lënë gjyshi, etj”.

Janë dy elementë që është e habitshme sesi një shtet nuk arriti dot t’i vërë në vijë 20 e kusur vite. E natyrisht, në momentin që kur duhet të merresh me këto gjëra kaq thelbësore, është normale që shumë gjëra të tjera, janë ende të pazgjidhura e nuk zgjidhen dot të gjitha përnjëherë. Se është kollaj të flasim, por flasin përgjithësisht ata që nuk dinë çfarë thonë dhe fjalët i qarkullojnë në atë kazanin e madh të politikës qorre të mllefit e të baltës e të mediave që ushqehen nën atë kazan.

Por, vetëdija që këto gjëra nuk mjaftojnë na ka bërë që të përpiqemi e të gjejmë rrugën se si ta fuqizojmë familjen fermerë me para që të shkojnë për investim. Ne e kemi rritur mbështetjen për bujqësinë nga buxheti, por sado ta rrisim ajo nuk mjafton.

Po ju jap një shembull shumë të thjeshtë. Ne kemi kaluar nga një sistem i korruptuar lëmoshe ku ajo që quhej subvencion shpërndahej thërrime – thërrime, dhe ju e dini si është shpërndarë, - “ky është i partisë tonë”, “ai tjetri ka ca vota”, “ai tjetri atje na duhet”, - pa asnjë sistem, pa asnjë orientim. Ca mbillnin kumbulla, aty ku në fakt rendimenti merrej me misër. Ca mbillnin mollë, aty ku në fakt rendimenti merrej me perime, ca të tjera s’mbilleshin fare, merrnin ato subvencione i hidhnin naftë “Mercedesit”, ngrinin muzikën dhe iknin për Tiranë dhe paratë i merrte dreqi.

Kemi kaluar në mbështetje me skema të vogla në para, por të organizuara sipas skemës organizative që ka Bashkimi Europian dhe shembulli është ky: Sot ne kemi arritur deri në 60 financime për 60 projekte në vit për fermerë që kërkojnë mbështetje për linjat e tyre të përpunimit, për serat, për pikat e grumbullimit. Mirëpo, sot janë qindra projekte të tjera çdo vit që meritojnë financim dhe mesatarisht vetëm 60 në vit mund të financohen.

A mund t’ia dalim ne me nga 60? Ja po i bëjmë 70 vitin tjetër, ja po i bëjmë 80 pas dy vitesh, ja po i bëjmë 100 pas tre vitesh. S’ia dalim dot! Për më tepër, ata që e meritojnë, por nuk e marrin, sepse ne s’kemi mundësi, bëhen më shumë të pakënaqur, me të drejtë, sepse thonë: “ky e merr”, “ai se merr”.

Ne  duhet të krijojmë kushte që ju të keni mundësi të gjeni para të lirë, domethënë kredi, të cilat që nuk janë kredi të zakonshme, sepse dihet shumë mirë që ju nuk mund të shkoni në bankë dhe të merrni një kredi për prodhim bujqësor se nuk del llogaria.

Janë kredi të shtrenjta për bujqësinë dhe nuk e  bën këtë asnjë vend, as vendet e pasura.Ne kemi krijuar një fond garancie. Një pjesë parash të marra nga buxheti i shtetit i kemi kthyer në fond që garanton kreditë për ju, që do të thotë që bankat me të cilat ne jemi marrë vesh do fillojnë të japin kredi, të vogla, pak më të mëdha, sipas kërkesave, e nuk do kenë hallin që “po t’ia jap unë kredi a do marr gjë unë mbrapa, apo jo”, se “si do ma garantojë mua kredinë ky”, ashtu sikundër ju nuk do keni hallin që, “çfarë të vë unë në bankë që të marr kredinë”. Kjo është krijuar dhe shumë shpejt ky fond do të jetë operativ. 

Ne parashikojmë që potenciali, - sepse kemi punuar me BERZH këtë skemë, që është një skemë inovative që përdoret për herë të parë, e bëjnë në Shqipëri, ata duan ta shtrijnë dhe në rajon, por duan të shohin në fillim si funksionon, - mund të shkojë deri në 300 milionë euro në 3 vjet, por janë 300 milionë euro që nuk janë të buxhetit të shtetit. Ato janë në banka dhe për t’i marrë duhen projekte të argumentuara dhe këtu në këtë zonë ka fermerë që kanë bërë investime me kredi të marra jo direkt nga bankat, por nga agjencitë e pagesave, etj. etj., që tregon se fuqia ekziston nëse organizohemi mirë.

Ne e dimë shumë mirë që nga e thëna në të bërë është një det i tërë, kollaj ta thuash por më e vështirë ta realizosh, e për këtë arsye, bashkitë do bëjnë asistencë për t’i bërë këto projekte dhe janë bashkitë që do t’i çojnë këto aplikime, bashkë me qeverinë drejt bankave. Pra ju nuk do shkoni t’i bini derës së bankës e të prisni, e të firmosi, sepse kreditë garantohen nga ne. Sipas skemave mund të jenë kredi me zero interes, mund të jenë kredi më të buta, që gjithsesi, janë kredi që sjellin që dhe ju të bëni punën dhe të nxirrni fitimin që keni parashikuar dhe banka të marrë mbrapsht atë që kërkon.

Pra është e gjitha një risi që varet shumë nga ne, varet nga qeveria, varet nga bashkitë, por varet dhe nga ju që të funksionojë me sukses. Prandaj në gjithë këto takime, unë mundohem ta përsëris që duhet të dalim nga ai rrethi i vogël që “të më bjerë shteti ndonjë gjë”, sepse shteti nuk ka mundësi që të plotësojë gjithë këto nevoja e të rrish të presësh që t’i plotësojë shteti është të presësh diçka që mund të mos vijë kurrë.

Ne kemi investuar shumë. Janë rreth 500 projekte komunitare në qendrat e qyteteve në rrugët bujqësore dhe këtu në këtë zonë të Fierit janë bërë disa rrugë bujqësore, ku Gramozi ka pasur ndikim, qoftë duke influencuar kryetarët e bashkive që të bëjnë projekte serioze, të argumentuara, qoftë duke përfaqësuar interesat imediate të komuniteteve më në nevojë për këto ndërhyrje. Na thonë: “Pse i bëni këto?” “Çfarë janë këto?” etj, etj. Këto i thonë ata që jetojnë në Bulevardin e Tiranës e nuk e kuptojnë që këto bashki të reja kanë nevojë për qendrat. Se qendrat janë hapësirat e përbashkëta të një komuniteti. Sot nuk është më: “Bashkia është qyteti”, “komunat janë fshati”; po është Bashkia që ka zonën e vet urbane dhe ka zonën e vet rurale.

Faktikisht, qendra e Roskovecit nuk është vetëm qendra e atyre që jetojnë në ish-Bashkinë e Roskovecit, është dhe qendra juaj. Rritja e kapaciteteve të qendrës, jo thjesht nga pikëpamja e hapësirës që bëhet një hapësirë normale, si kudo në Europë, ku mund të shkosh, të takosh njerëz, mund të shëtisësh, mund të nxjerrësh fëmijët, mund të ketë kushte dhe për pensionistët, por dhe aktivitete të tjera, atëherë kjo forcon sensin e bashkësisë, rrit cilësinë e jetës, e mbi të gjitha, qendrat po bëhen. Roskoveci është nga të fundit që do investohet. Pastaj, kjo do shtrihet në çdo komunë. Do plotësohen nevojat shkallë-shkallë për infrastrukturë që nuk është vetëm rrugë, por është edhe çerdhe, kopsht, shkollë, për të gjitha komunat.

Mirëpo të gjitha këto duan kohë dhe duan punë. Prapë e përsëris dhe me ju, - se është shumë më kollaj me ju, se me ata të kazanit në parlament, - që një kokërr gruri, apo një kokërr misri të bëhet miell është një proces shumë i gjatë që do dije, do punë, do hyzmet, do durim.

Imagjinoni tani një shtet, për tu bërë shtet, duke filluar nga uji, sikur të ishim në kohën kur këtu kishte ikur Princ Vidi dhe s’kishte ardhur akoma mbreti Zog, në mes të Europës, në shekullin e 21-të.

Pra ajo që po bëjmë ne, është po ngremë baza. Që do të thotë që, jam unë i pari, sepse jam në krye të kësaj detyre, që e di shumë mirë se sa shumë gjëra duhen, se sa shumë plagë janë akoma pa u prekur fare, se sa shumë ka akoma fshatra që mund të thonë: “ore ne kemi votuar Partinë Socialiste, donim që ta bënim këtë njeri kryeministër, donim që të na vinin këta, e të na drejtonin. Ca u bë te fshati im, se s’shoh asgjë, është njësoj siç ka qenë?” Është e vërtetë. Por nuk duhet harruar që nëse ne do kishim pasur aftësinë që të kishim bërë në çdo fshat ndryshime të dukshme, ne pastaj as nuk do na linin këtu. Do na merrnin të na çonin të zgjidhnim hallet e botës, se do ishim magjistarë nuk do ishim njerëz. Nuk bëhen me magji këto punë.

Ajo që është e rëndësishme është që të shohim a po i bëjmë gjërat me radhën e duhur? Ato që po i bëjmë, a po i bëjmë mirë? Sigurisht, edhe me gabimet që janë të pashmangshme dhe me besim të vazhdojmë këtë rrugë, duke pasur dhe fatkeqësinë që në këtë rrugë të kemi  bashkudhëtarë që gjithë ditën përpiqen të helmojnë njerëzit. Gjithë ditën kërkojnë të kapen pas një fatkeqësie këtu, pas një problemi atje, pas një çështjeje të pazgjidhur akoma diku, e ta përdorin këtë për t’iu nxirë jetën njerëzve: “Shqipëria nuk jetohet, Shqipëria nuk bëhet, Shqipëria është drogë, është plehra...”

Nuk ka gjë më të rëndë sesa të vdesë një nënë me fëmijën në bark gjatë një procedure përkujdesjeje shëndetësore, por janë gjëra që ndodhin kudo, por, ama, askund unë s’kam parë që një parti e tërë politike, që pretendon të bëhet nesër qeveria e vendit, ta marrë kufomën e nënës dhe të foshnjës e me të t’i bjerë këmbës, e bam me këmbë, e bam me duar, për t’i helmuar zemrën gjithë dynjasë.

“Droga-droga-droga; Shqipëria-Kolumbia”, - po si mund të thuhet këto fjalë! A kemi ne një problem me kultivimin e kanabisit? E kemi. A është një problem që u krijua kur erdhëm ne në qeveri? Jo. Sepse unë mund t’ju them kaq: Thonë që droga është mbjellë kudo në Shqipëri. Por duhet ta dini që sipërfaqja e mbjellë dhe e fotografuar, jo nga ne, por nga Guardia di Finanza, që është trupë e specializuar e shtetit tonë fqinj, aleat, partner në këtë luftë, tregon që sipërfaqja e mbjellë sot gjatë këtij viti në Shqipëri është më e vogël se sipërfaqja e mbjellë vetëm në Lazarat. Ndërkohë që në kohën e Saliut kishte kudo, por në atë kohë komunikatat e policisë ishin sekrete. Nuk ishin siç i kemi ne. Ne që kur erdhëm thamë: “S’ka më komunikata sekrete. Gjithçka që Policia shënon në komunikatë, është publike”.

Sigurisht që u zbulua në Itali, para një jave, një parcelë që është më e madhe se çdo parcelë që ne na kanë parë sytë në këtë vend. 

Nuk dëgjova unë opozitën që të çohej dhe të kërkonte llogari nga ministri i brendshëm i Italisë. Kapet një avion që rrëzohet këtu që vjen për të marrë kanabis i cili vjen nga Italia. Niset nga Italia. Pra nuk e kap njeri në Itali. Vjen këtu. Nuk dëgjova që çohet njeri atje, që opozita atje që të thotë “të shkarkohet ministri, të shkarkohet ky të shkarkohet ai se avioni u nis nga Brindisi”. Beteja me drogën është një betejë që e bën Amerika, e bën Italia, e bën Europa e bëjnë të gjitha, e bëjmë dhe ne. Sigurisht këtu është një fenomen shqetësues, patjetër është një fenomen të cilit ne nuk i kemi dhënë fund. Por ama nëse Saliu me aq pak sa tregonte se në kohën e Saliut nuk kishte as fotografi ajrore ,asgjë. Nga aq pak sa diheshin shkulte vetëm 7% dhe ne vitin e kaluar sipas Guardia di Financa kemi shkatërruar 99.6%, kjo tregon se ne jemi në luftë më këtë fenomen. A ka njerëz edhe në rradhët e policisë që korruptohen, që bashkëpunojnë atje? Patjetër por aty ku kapen, kapen. Por që ta përdorësh këtë për të droguar përditë gjithë opinionin për të rrënuar sa të mundësh shpirtërisht, moralisht gjithë njerëzit, për t’ju dhënë mesazhin më të gabuar të rinjve të këtij vendi është kriminale.

Bëjmë reformën e shkollës, bëjmë reformën e universitetit, për herë të parë në 25 vjet. Maturantët hyjnë në universitet vetë me rezultatet e tyre. Nuk futesh dot mik, nuk çan do me lekë, nuk të fut dot partia, sepse sistemin e kontrollon kompjuteri.  Sigurisht është hera e  parë, është një sistemi i ri që ka vështirësitë e veta. Çohet një lukuni e tërë për t’i përdorur ata shqetësimin e tyre, prindërve të tyre, lotët e ndonjërit që nuk fiton, - për vete, për qëllime shumë të ngushta të një partie që do patjetër të tregojë se këtu po bëhet hataja. E ndërkohë që këtu po bëhet hataja më thoni keni dëgjuar një herë të vetme një ide se si mund të bëhet më mirë kjo punë. Një herë të vetme?  Dhe ka një ndryshim, në kohën e Saliut sidomos në periudhën e mandatit të dytë nuk kishte një raport ndërkombëtar nuk kishte një raport departamentit të shtetit, nuk kishte një raport të BE që të ishte pozitiv. Sot ne raportet i kemi pothuajse të gjitha pozitive. Pra çfarë janë këta njerëz dhe këto institucione që na vëzhgojnë ne, që shkruajnë raporte pozitive, ndërkohë që deri dje shkruajnë raporte negative?! Çfarë janë?! Janë pjesë e mafies?! Janë pjesë e kartelit të drogës?! Janë të lidhur me Habilajt? I keni dëgjuar?! U benë Habilajt sikur janë familja Kenedi në Amerikë. Kap emra, përdor emra, hidh emra, lidh emra, zgjidh emra. Ky është një vend i vogël ku po t’i shkojmë larg, larg në histori, larg qoftë, dal dhe unë kushëri me Saliun. E këto të gjitha i bën një njëri që doli pa pikë turpi tha nuk e njihja baxhanakun tim. I njeh të gjithë. Di baxhanakët, kushërinjtë e dytë të të tretë, të shtatë Gramozit, baxhanakun e vet nuk e njihte. Aq më tepër që ju ndryshe nga unë dhe Gramozi se keni të detyruar që ta keni afër. Ju e keni me një sustë. Ju lodhi, prapë sustën shkoni te “Bang bang” dhe shikoni kartona se aty janë shokët e Saliut. Po se mos është vetëm Saliu. Po mediat e kazanit i keni parë. Mediat e kazanit që nuk lënë shpifje dhe nuk lënë dhe nuk lënë pocaqi pa u munduar ta shesin si fakt e provë dhe aq keq sa edhe kur ka gjëra të vërteta pastaj ngatërrohen me gjithë plehun e kazanit dhe nuk e merr vesh të parin e të dytin.

U ngrit furtuna tjetër. Do të vijnë  plehrat nga jashtë se Europa këtë priste. Këtë priste që të shpëtonte nga plehrat e veta. Furtunë e madhe do të vijë, prisni gjemitë - thoshte Saliu. Po nga do të vinë?! Si do të vinë, se ato duken. Po të vijnë të përmbysin dynjanë këtu dikush do t’i shohi apo jo? E çfarë na mbeti ne pastaj. Ndërkohë qe një industri e tërë po falimenton dhe ato fabrika sot mbledhin dhe përpunojmë 120 mijë ton mbetje nga tonat. Imagjinoni po të mbyllen ato. Këto 120 mijë ton do t’i kemi rrugëve e do i kemi edhe më keq nëpër fushat e plehrave. Na tregojnë malet me plehra, a thua se u krijuan sot. Ndërkohë që Shqipëria është sot më e pastër seç ishte dhe për ta bërë të pastër na duhet nga njëra anë atë industri ta shpëtojmë nga falimentimi, ta fuqizojmë dhe paralelisht të fillojmë ne tani. Të bëjmë atë që bën gjithë bota. Mos t’i hedhim të gjitha mbetjet e konsumit bashkë. T’i ndajmë.

Si ta bënim më përpara këtë gjë?! Me 400 komuna?! Të vinim t’i thoshim kryetarit të komunës këtu që - hajde tani, - thuaj këtyre, që këta s’kanë ujë, këta s’kanë rrugë, këta s’kanë asnjë mbështetje, që tani këta duhet të ndajnë mbetjet këtej, plehrat andej. Ja i ndatë, kush do t’i mblidhte, ku do t’i çonte?!

Ndërkohë që sot me bashkitë e reja ne jemi gati ta çojmë përpara këtë plan. Na duhet kjo reformë edhe për të pastruar Shqipërinë për të ndryshuar komplet administrimin e mbetjeve. Procesi fillon në Tiranë për pak ditë. Unë kam shkuar në Verona. Verona është qyteti më i pastër në Itali dhe ata janë mjeshtra për këtë punë. I kemi kërkuar kryetarit të bashkisë ndihmë, por nga fjala, deri tek kontrata do mendohet, do mbledhi grupin e punës, do e çojnë në Shqipëri, do shikojnë, do dëgjojnë, do ikin prapë do bëjnë llogaritë etj etj. U krijua kompania e parë publike, 50% bashkia e Tiranës, 50% bashkia e Veronës që do të fillojë tani dhe nuk do ta fillojë për gjithë Tiranën, se nuk bëhet menjëherë. Do e fillojnë vetëm brenda Unazës. Po kështu do të fillojnë me Fierin, jo ata, por edhe me ricikluesit që kam folur. Edhe ata do të angazhohen për të ndërtuar ndërmarrje të përbashkëta me bashkitë dhe për të filluar kjo punë. Po kjo do kohë. Italia në 2004, - 2004 nuk është viti 1904, është 12 vite më parë, - ricklonte 18 % të mbetjeve. Ne riciklojmë 17%. Sot Italia e ka 43%. Kjo, sepse filloi planin për ndarjen në burim dhe prapë është nga vendet e mëdha që është mbrapa. Gjermania e ka 65 %. Por kur gjermanët e kanë 65%, atëherë është një punë e vështirë. Europa, BE, mesataren e kanë 35% dhe gjëja që gjithë këta sharlatanë duan të ngatërrojnë, duke bërë një zhurmë dhe duke dashur të përfitojnë, se unë jam i bindur që nuk do të përfitojnë asgjë, sepse njerëzit nuk janë budallenj nga ajo që ne anuluam - është që mafia në fakt është armiku më i madh i riciklimit.

Mafia nuk do riciklim. Sepse riciklim do të thotë që të ikin miliona tonelata nga thesi - që ata e duan për ta çuar aty, ku kanë furrat e mëdha apo ku kanë ato gropat, të shkojë, - të rikthehet në prodhim. Sepse plehrat kur shkojnë në ato zonat e kontrolluara nga mafia që groposen, bashkitë i paguajnë. Për çdo tonelatë që ai mafiozi gropos,  merr para. Por në qoftë se 17%, 30%, 40%,50%, do t’i ikin, atëherë ai humbet 50% të parave dhe prandaj nuk e do riciklimin. S’ka lidhje mafia me riciklimin. Është e kundërta. Është armiku më i madh i riciklimit. Ju e keni parë kur bëhet nami në Napoli që dalin gjithë thasët me plehra rrugëve dhe nuk i mbledh njeri. Nuk i mbledh sepse është koha kur shkruhen kontratat me ato gropat. Dhe në Napoli akoma dhe sot nuk e bëjnë  ndarjen e diferencuar sepse sapo ndajnë kazanët ato hidhen në erë dhe digjen. Tani po ju jap juve fjalën, nëse keni ndonjë shqetësim apo ndonjë kërkesë. Vetëm, rrugën mos ma kërkoni se ma kërkon Majlinda çdo ditë.

-Mirëserdhët kryeministër në zonën tonë. Kjo është një zonë punëtore, e shikoni dhe vetë.

Kryeministri Rama: Po drogën ku e keni? Se këtu është çudi e madhe. Rritet eksporti i domateve, rritet eksporti i perimeve, rritet eksportin i ullinjve dhe ata thonë, “këtu ka vetëm drogë”.

-Këtu nuk ka drogë. Unë desha të ngrija shqetësimin për plehun. E kam blerë kuintalin e plehut 80 mijë lekë. Sivjet e bleva 45 mijë lekë. Ku shkuan këto 40 mijë lekë? Është e rëndësishme të kontrolloni plehun dhe ilaçet. Këta të serave 1 spërkatje e paguajnë 200 mijë lekë dynymi..

Kryeministri Rama: Unë nuk jam nga ata që them: “Ne kemi bërë gjithçka, ju duhet të jeni të lumtur se ne po bëjmë për ju çudira”. Nuk kemi bërë ne asnjë çudi. Të pastrosh kanalet nuk është çudi. Është një detyrim i prapambetur për 25 vjet. Çudi nuk është! Por ne nuk kemi arritur dot të kontrollojmë as farërat dhe as kimikatet. S’kemi arritur dot t’i kontrollojmë, nuk kemi arritur dot, po ashtu, të realizojmë siç duhet atë që në fakt duhet të jetë ndihma më e madhe e juaja, rimbursimin 20 % të TVSh për prodhimin e shitur.  

Ju kemi thënë merrni NIPT-in, ju kemi thënë shiteni prodhimin me letra dhe për çdo letër që provon se ju keni shitur prodhimin, të merrni 20 % mbrapsht. Nuk është pak! Është shumë! Ne e kemi bërë me grumbulluesit dhe nuk na ka funksionuar, të mos përmend tani arsyet. Ajo që ne po e mendojmë dhe po e studiojmë dhe që besoj se do ta bëjmë këtë provë dhe do të kemi sukses, - është në bashkëpunim me bashkitë. Me bashkitë që janë dhe më pranë jush, që edhe për t’u ankuar e keni më kollaj dhe më shpejt dhe interesi i bashkive dhe kryetarëve të bashkive është që të mos lënë asnjëri të pakënaqur, për gjëra që shteti dhe ligji i ka dhënë. E besoj që do ta  zgjidhim. Ndërkohë që, për kimikatet dhe për farërat, ne duam të bëjmë një skemë të mbyllur me grumbulluesit, ku juve t’u thuhet qartë, që “në qoftë se nuk do kimikate që nesër të dalin fallco, këto janë pikat ku i ke të sigurta”, dhe të sigurta kuptohet me analiza të bëra prej nesh. Pra shteti i bën analizat dhe thotë, “këto janë pikat ku e ke të sigurta”. Nëse ti kërkon ta blesh më lirë diku tjetër, është përgjegjësia jote. Shteti nuk ka përgjegjësi. Shteti ka për detyrë të thotë, “në zonën tënde, atje janë kimikatet dhe farërat që janë të sigurta”. Ka të tjerë nga ata që përpiqen të bëjnë lodra. Nga ata ka patur, ka dhe do të ketë gjithmonë. Problemi është që jo ta pësosh me mbështetjen e shtetit. Ta pësosh atëherë kur të gënjen mendja se mund ta marrësh më lirë. Ai që ta shet më lirë, nuk të jep kimikatin e duhur, por të jep një cilësi të dobët. Kështu që këto dy gjera ne duam që t’i zgjidhim dhe besoj se do t’i zgjidhim. Mos harroni se jemi i vetmi vend  në Europë dhe në rajon që kemi 20 % rimbursim të TVSh për prodhimet bujqësore. Është shumë e lartë. Nuk e ka asnjë vend. E kanë 6, 5, 7 apo 3 %, por 20 % është shumë. Nuk do të jetë gjithmonë 20 %, por ne e kemi lënë që disa vjet nuk do ta prekim për të ndihmuar formalizimin, sepse është interesi juaj që të formalizoheni sepse fitoni 20 %. Ndërs kur e shet ndryshe, ato i fiton tjetri, nuk i fiton më ti. Këto janë gjera që nuk i kemi bërë ende.

-Ju faleminderit që keni ardhur sot, sepse nga shkurti i ‘58, jeni i pari kryeministër që vini në këtë zonë. Prandaj ju falënderoj me shpirt! Fjalët që tha Majlinda nuk i luan topi, por dua të shtoj diçka tjetër. Është përpjekur Majlinda dhe u zgjidh në këtë zonë problemi i vaditjes. Është bërë gjëja më e mirë. Unë jam nga Strumi dhe ky vend merr ujë nga ujësjellësi i Kurjanit. Strumi varet nga një kanal dhe ai kanal ka probleme. Majlinda e di dhe ne të tjerët që jemi marrë e nuk e kemi plotësuar dot kërkesën e fermerëve për ujë. Ju lutem, ta ndihmojmë atë, të ndihmojmë dhe fermerët, aty duhet vënë dorë sepse është kanal i ujërave të larta, e ne vit për vit po pastrojmë kanalin. 

Majlinda Bufi, Kryetare e Bashkisë së Roskovecit: Në lidhje me kërkesën që bën Behari është një problem i njohur edhe nga unë edhe nga ekspertë të bujqësisë. Ju e dini dhe keni qënë prezent kur kompania ka ardhur këtu dhe është konsultuar për projektin e BB për rehabilitimin e gjithë rrjetit ujitës që merr ujin nga rezervuari i Kurjanit. E ky problem është pjesë e këtij rrjeti. Në projektin që është miratuar dhe që është tani në proces prokurimi nga ministria e bujqësisë - dhe unë dua ta falënderoj kryeministrin për 2,7 milion dollarë që do të hidhen në këtë projekt që do të fillojë në zonën tonë, -nuk është përfshirë ai segment që thotë Behari sepse ka një problem teknik aty. Ne e kemi diskutuar me ta. Në qoftë se do të përfshihej, fondi duhet të shtohej me gati 300 milionë lekë të vjetra. 

Kryeministri Rama: Për 300 milion lekë të tjetra nuk ndalon Rilindja, mos kini merak.

-Ne kemi një problem tjetër që dhe ju e përmendët. Atë të pasurisë së patundshme. Ka 20 vjet që po bredhim në dyert e zyrave, për një problem toke të cilën e kam së bashku me vëllain dhe duam ta ndajmë.

Kryeministri Rama: Meqë ma përmende punën e legalizimeve. Në këtë zonë, kur kemi ardhur më parë e kemi dhënë ca certifikata, ishin bërë 2-3 legalizime në 8 vjet. E mbaj mend mirë. Dhe asnjëra nuk ishte shtëpi. Se Saliu përgjithësisht shtëpitë nuk i legalizonte. Ndërkohë çfarë po ndodh tani? Saliu në 8 vjet bëri 21 000 legalizim nga të cilat 85% nuk ishin shtëpia. Ne, deri në dhjetor do kemi bërë 100.000 legalizime. 

-Jam një nga ata që kam bërë kontratën e ujit dhe e pagova shumë lirë, 2 mijë lekë për dynym. Kur na vinte me pikatore paguaja 9 mijë lekë dynymin. Tani kërkojmë që të vejë uji në çdo parcelë duhet që të punohet me kanalet ujitëse. Nëse kanalet ujitëse do të shkojnë në bazë e do të jenë me porta, çdo fshatar do të punojë. Duhet bërë diçka më shumë në këtë drejtim.

Kryeministri Rama: Në Divjakë, në Lushnje dhe këtu për herë të parë do bëhet një investim që nuk është bërë asnjëherë në Shqipëri. Kjo histori e kanaleve ujitëse të hapura dihet që nuk është ideale. Është shumë e vjetër si teknologji. Me një investim që do bëhet për herë të parë në Shqipëri do të fillojë ujitja hidraulike, njësoj si ujësjellësi që vjen në çezmë do të jetë dhe uji që vjen në arë, i mbuluar dhe me matës. Pastaj do flasim për çmimin.

Redaksia Online
Al.N/Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    21 Dhjetor, 15:03

    Si e vlerësoni mbylljen e TikTok në Shqipëri për një vit?



×

Lajmi i fundit

Kur kthimi në Shqipëri për të investuar, përfundon në zhgënjim