Faleminderit për ardhjen! Ky është një bashkëbisedim që sot dëshirova ta kishim me sipërmarrësit e mëdhenj, për të dëgjuar nga ju pyetjet që ju shqetësojnë. Njëkohësisht, për ta shfrytëzuar këtë moment që të prezantojmë një risi në shërbimin e sipërmarrjes dhe në vazhdën e punës së ngritur me Këshillin Ekonomik Kombëtar, që do të shërbejë në të njëjtën kohë, si një forum ku do të trajtohen të gjitha kërkesat apo ankesat e sipërmarrjes, në raport me administratën, në raport me qeverisjen, në raport me të gjithë kuadrin legjislativ.

E, për ta bërë të mundur që komunikimi i çdo sipërmarrësi me qeverinë të jetë i drejtpërdrejtë, të jetë i hapur dhe të jetë konkret, në mënyrë që ne të jemi në gjendje t’i vijmë menjëherë në ndihmë çdo biznesi, në çdo moment kur ndeshet me pengesa, qofshin arbitrare, qofshin të natyrës administrative, ne kemi krijuar edhe Sekretariatin e Këshillit Ekonomik Kombëtar, ku nga njëra anë trajtohen problemet strategjike të zhvillimit ekonomik, por nga ana tjetër do të trajtohen edhe problemet konkrete të çdo sipërmarrjeje.

Këtu, bashkë me mua, është Sekretari i Këshillit Ekonomik Kombëtar, avokat Boga, që ka pranuar ftesën për të kontribuar si Sekretar i këtij Këshilli. Besoj se zgjedhje më të përshtatshme, për ne, nuk mund të kishte, pasi avokat Boga, prej shumë vitesh është i angazhuar drejtpërdrejt në problematikën e klimës së biznesit, lirive të biznesit dhe gjithë pengesave dhe halleve që ka biznesi. Për ne është një vlerë e dyfishtë, se nga njëra anë është një njohës i mirë dhe i drejtpërdrejtë i fushës së veprimtarisë së sipërmarrjes, por nga ana tjetër është një këshilltar i vyer për të propozuar për ne, edhe zgjedhjet mundshme dhe për të ballafaquar si ndërmjetës mes qeverisë dhe biznesit, në rolin e sekretarit të Këshillit Ekonomik Kombëtar, edhe alternativat për zgjidhjet e mundshme të problemeve konkrete të biznesit, me stafin dhe stafet tona juridike.

Besoj që në përfundim të këtij bashkëbisedimi, Sekretari i Këshillit Ekonomik Kombëtar do të bëjë edhe një prezantim të kësaj risie, që është një portal online, i përgatitur enkas për sipërmarrjen, përmes të cilit sipërmarrja do të informohet për të gjitha nismat e qeverisë, përpara se ato t’i kalojnë Këshillit Ekonomik Kombëtar dhe do të mund të kontribuojë me opinionet e veta, për të pasur një thithje mendimi sa më të gjerë dhe për të vënë në dispozicion të Këshillit Ekonomik Kombëtar opinionin e përgjithshëm, por edhe opinionet ‘pro’ dhe opinionet ‘kundër’ një nisme të caktuar që pastaj, nga Këshillit Ekonomik Kombëtar do të kalojë në qeveri dhe kur është fjala për legjislacionin e drejtpërdrejtë, në parlament.

Portali do të vlejë gjithashtu, siç e thashë, edhe për informimin në kohë reale të problemeve që mund t’i dalin çdo sipërmarrësi, në raportet me shtetin, në raportet me administratën, në raportet posaçërisht me administratën doganore dhe atë tatimore. Këtë ne e shohim, nga ana tjetër, edhe si një mbështetje për qeverinë në përpjekjen për të luftuar informalitetin, në përpjekjen për të luftuar arbitraritetin, në përpjekjen për të ngritur në një nivel të ri qasjen dhe sjelljen e administratës sonë tatimore dhe doganore.

Me këtë hyrje, unë po e quaj të hapur këtë bashkëbisedim dhe jam në dispozicion të secilit prej jush, për çdo pyetje që mund të shihni të arsyeshme të bëni.
 
Duke e ditur se qeveria ka caktuar si prioritet rritjen e punësimit, a mendoni se duhet të ketë një paketë specifike politikash lehtësuese për sektorin e fasonit? Nëse po, kur mendoni se kjo do të jetë efektive?
Faleminderit për pyetjen! Është një pyetje që prek, në fakt, drejtpërdrejt një nga pikat themelore të programit, por edhe të qasjes apo të projektit tonë për punësimin dhe për stimulimin e gjithë atyre aktiviteteve që sjellin punësim dhe investime të mëtejshme. Besoj se ju jeni njohur me Marrëveshjen që ne kemi bërë me Fondin Monetar Ndërkombëtar. Jemi në një program të ri që dua ta nënvizoj është shprehje e vullnetit tonë për të kthyer ekonominë dhe financat e këtij vendi në binarët e një stabiliteti të qëndrueshëm makroekonomik, por edhe të një rruge të re drejt një modeli të ri zhvillimi ekonomik.

Në kushtet kur kjo Marrëveshje u diskutua, ju e dini fare mirë se qeveria ishte e detyruar të respektonte pikë për pikë angazhimin publik të marrjes përsipër të përgjegjësive që burojnë nga keqqeverisja e shkuar, të marrjes përsipër të borxheve që deri dje as nuk regjistroheshin si pjesë e borxhit të përgjithshëm publik, të marrjes përsipër të një detyrimi për t’i shlyer një më një të gjitha borxhet që qeveria i ka biznesit.

Theksoj, do të ishte e tepërt që të kërkohej nga qeveria që në atë moment të mund të shkonte më tutje, me masa, le të themi lehtësuese, por jashtë kuadrit të Marrëveshjes. Por ne e kemi diskutuar fare hapur me partnerët tanë, që, ndërkohë, ne kemi disa synime shumë të qartë, ndër të cilët më i pari është i lidhur me pyetjen tuaj, që ne të lehtësojmë sa të jetë e mundur çdo aktivitet që krijon vende të reja pune, duke filluar nga aktiviteti fason. Për këtë arsye, kemi filluar punën me objektivin që brenda pranverës, ne të dalim me një paketë të posaçme, që nga njëra anë do të lehtësojë ata që janë sot në këtë aktivitet dhe nga ana tjetër do të lehtësojë thithjen e investimeve të reja, qoftë nga ju, qoftë investime që vijnë nga jashtë.

Me qeverinë italiane, përmes ambasadës, por edhe në lidhje të drejtpërdrejt me Konfindustrinë Italiane dhe me Dhomën Italiane të Tregtisë, ne kemi nisur një proces intensiv komunikimi për të ftuar dhe për të krijuar mundësitë që investime të tjera të vijnë, duke filluar nga investimet në fushën e fasonit. Kjo është një arsye më shumë që të jemi të gatshëm brenda pranverës, me këtë paketë. Kështu, unë jam besimplotë që, edhe në bashkëpunim me ju, nën drejtim e ministrit të Zhvillimit Ekonomik dhe në bashkërendim me të gjithë ata që janë të përfaqësuar në Këshillin Ekonomik Kombëtar, ne do ta kemi gati këtë paketë dhe besoj do të jetë një stimul shumë i fortë për rritjen e punësimit. 

Qëllimi është që nga përjashtime që përforcojnë rregullin, këto ndërtime dhe këto standarde të kthehen në vetë rregullin. Plani i Përgjithshëm Kombëtar është, për këtë arsye, i domosdoshëm. Ritmet e një Plani të Përgjithshëm Kombëtar sado të shpejta të jenë, prapë kërkojnë kohën e tyre, sepse, për më tepër në një vend si i yni, vetëm mbledhja e informacionit është një problem i madh më vete. Për një Plan të Përgjithshëm Kombëtar që nuk është thjesht dhe vetëm një plan se ku do të ndërtohet, por është një plan i përgjithshëm zhvillimi të qëndrueshëm, duhet një kohë e detyrueshme.

Objektivi ynë është që brenda dy viteve, ne të kemi draftin e parë të Planit të Përgjithshëm Kombëtar.

Kjo nuk do të thotë që deri kur ne të kemi datën e parë të Planit të Përgjithshëm Kombëtar në Shqipëri nuk do të ndërtohet asgjë. Ashtu sikundër, kjo nuk do të thotë që në gjithçka Plani i Përgjithshëm Kombëtar do të jetë diçka e bërë krejt nga e para. Sepse në Shqipëri ka plane. Në Shqipëri ka plane qoftë në fushën e urbanistikës, qoftë në fushën e zhvillimit të energjisë, qoftë në fushën e zhvillimit të sistemit të ujësjellës-kanalizimeve e me radhë, por të gjitha këto plane kërkojnë, në radhë të parë një analizë dhe kërkojnë një integrim. Ato që janë të vlefshme duhen integruar. Ato që janë më pak të vlefshme duhen adoptuar. Nga njëra anë nuk e nisim gjithçka nga zeroja, por nga ana tjetër, me patjetër, duhet të bëjmë një punë nga themelet. Sepse gjithë këto plane, strategji, dokumente, që janë prodhuar me shumicë në Shqipëri, janë krejtësisht të palidhura me njëra – tjetrën.

Kemi lexuar nëpër libra që rritja e pushtetit shkon në progresion të zhdrejtë me atë nëse dëgjon më shumë, përgjigjesh më shumë dhe flet më pak. Me thënë të drejtën, është gjë pozitive kjo, nuk e shohim tek ju dhe shpresojmë që të jetë kështu, të shkoj në progresion të drejtë. Sa më shumë pushtet të ketë një njeri, aq më shumë duhet të dëgjojë, aq më shumë duhet të pyetet. Pyetja e parë – Në programin e Partisë Socialiste, kur ju ishit në opozitë, keni premtuar që do ta keni prioritet sektorin e turizmit dhe në këto prioritete jeni angazhuar për të bërë një sistem taksash të krahasueshme me vendet e rajonit. Më konkretisht është folur për uljen e TVSH-së me 10% dhe për disa masa të tjera, të cilat realisht vendet e BE-së i kanë rekomanduar që edhe vendet e Evropës Juglindore të kenë një politikë të tillë.

Së dyti, përsëri në programin tuaj jeni angazhuar për të pasur një qasje të re ndaj disa koncesioneve, të cilat kanë sjellë çrregullime në tregun e sipërmarrjes private dhe kanë rritur kostot në mënyrë artificiale. A ka qeveria juaj një projekt të qartë sesi do të sillet më këto koncesione, të cilat kanë krijuar tregje monopol. Sepse, ne sipërmarrësit kemi merak që nëse këto bëhen, të bëhen shpejt. Nëse këto do të vonohen, kam frikë se edhe ju do t’ju duken sikur janë të mira dhe përsëri do të qëndrojnë kështu.

Faleminderit për pyetjet! Ju siguroj që dialogu dhe hapësira e ndërveprimit do të jetë pjesë e pandashme e gjithë procesit tonë qeverisës. Jo ngaqë ne jemi bujarë, apo jemi më të mirë sesa të tjerët, por ngaqë ne e konsiderojmë dialogun dhe ndërveprimin me grupet e interesit, instrument të patjetërsueshëm të vetë procesit të qeverisjes. Është e vetmja mënyrë për t’i ballafaquar opinionet dhe për t’i bërë interesat komplementare.

Ne përfaqësojmë vullnetin e publikut për të mbrojtur interesin kombëtar publik. Ju përfaqësoni vullnetin tuaj, apo të grupeve që përbëjnë kompanitë tuaja për të përfaqësuar interesin privat, por ndërthurja e opinioneve, ndërveprimi mes nesh bëjnë që përmes mbrojtjes së këtyre dy interesave, përfitimi të jetë i dyanshëm. Kompanitë të rriten, të zhvillohen, të rrisin fitimet, të rrisin investimet, ju të bëheni më të pasur dhe ndërkohë ekonomia jonë kombëtare të forcohet përmes kontributit të kompanive tuaja. Punësimi të rritet, trajtimi i të gjithë atyre që janë të punësuar në sektorin privat të shkojë duke u përmirësuar dhe mirëqenia e përgjithshme të rritet. Është e thjeshtë.

Për sa i përket turizmit. Në radhë të parë, unë besoj që ndajmë së bashku kënaqësinë që Shqipëria u cilësua nga një prej pikave më prestigjioze të referimit, kur vjen puna tek turizmi, “New York Times”, si një nga 54 destinacionet për t’u vizituar dhe ishte renditur e 4-ta. Sigurisht, Shqipëria aty ka qenë edhe kur nuk kemi qenë ne. Bukuritë e saj janë qysh se Zoti apo natyra e krijuan zonën e bekuar ku ne kemi Shqipërinë, por nuk mund ta fsheh kënaqësinë që prishjet e ndërtimeve në bregun e Jonit ishin arsyeja pse vëmendja u tërhoq ndaj Shqipërisë. E, sikundër shkruhej edhe në përshkrimin e “New York Times”, ishin një motiv për t’ju referuar Shqipërisë, si një vend me mrekullitë e veta të gjithëhershme, por edhe ku ka një vendosmëri për ta mbrojtur këtë pasuri të madhe, që ne s’e kemi krijuar vetë dhe s’mund të jemi krenarë se kemi bërë ndonjë gjë tjetër, përveç se duhet të ndjehemi fajtorë që kemi dëmtuar sa kemi mundur, në gjithë këto vite, nga ajo pasuri.

Ne e kemi thënë dhe më lejoni që me këtë rast edhe një herë të jap përgjigje, në përgjithësi për zotimet tona. Zotimet tona janë zotime që janë marrë, që do të mbahen dhe që ne kemi detyrimin t’i mbajmë në harkun e një mandati, që është 4 vjet.

Në rastin konkret, ka qenë pjesë e debatit dhe e diskutimeve teknike me Fondin Monetar Ndërkombëtar dhe me Bankën Botërore edhe brenda në Këshillin Ekonomik Kombëtar çështja e TVSH-së së turizmit. Ne kemi dashur ta bëjmë si një përjashtim nga pjesët e tjera, sepse kemi edhe angazhime të tjera tek TVSH-ja, duke filluar nga TVSH-ja e ushqimeve të shportës. Këtë e kemi bërë, sepse është një masë shumë e ulët të ardhurash që vijnë sot në buxhetin e shtetit. Shumë e ulët, për të mos thënë qesharake. Është një masë qesharake, që vjen nga informaliteti shumë i lartë në sektorin e hotelerisë. Nuk e kemi pasur të mundur ta bëjmë. Praktikisht, nuk kemi bërë asnjë përjashtim nga TVSH-ja, për të vendosur në radhë të parë themelet.

Sigurisht, në kohën që kemi përpara, kjo mundësi jam i bindur që do të krijohet. Por, paralelisht me këtë, ne duhet sëbashku të biem në një mendje që sektori i hotelerisë ka nevojë për formalizim. Na rezulton që në një hotel, mesatarisht, punon një njëri e gjysmë. Pra, punonjësit e formalizuar në sektorin e turizmit, po të marrim numrin e hoteleve, do të ishin aq sa kemi hotele dhe 50 % më shumë. Është qesharake. Ne duhet të luftojmë bashkërisht që ta formalizojmë sa më shumë këtë sektor, në mënyrë që edhe stimuli për qeverinë, për të lehtësuar sektorin, të jetë më i madh. Por dhe stimuli për ju, të jetë më i madh.

Ministria e Mirëqenies Sociale është e angazhuar që në bashkëpunim me ju të ndërtojë dhe të vërë në jetë një plan të formalizimit të punonjësve që janë në sektorin e hotelerisë, në radhë të parë, sepse aty është problemi më i madh që kemi.

Për sa i përket koncesioneve, ne kemi anuluar jo pak. Do të vazhdojmë t’i shohim me shumë vëmendje. S’kemi qenë asnjëherë dhe nuk jemi absolutisht kundër koncesioneve si praktikë, por kemi qenë dhe jemi vendosmërisht kundër kthimit të kësaj praktike, që është një nga instrumentet e stimulimit të investimeve dhe zhvillimit, në një praktikë korruptive, në një praktikë arbitrare për të privilegjuar disa, në kurriz të të gjithë të tjerëve dhe për të cenuar rëndë konkurrencën.

Dua ta ndaj me ju, se anulimi i praktikave të papërshtatshme, për shkak të abuzimit me konkurrencën po dhe me ligjin, nuk është diçka që bëhet me një të rënë të lapsit. Çdo koncesion kërkon analizë dhe kërkon vendimmarrje të bazuar mbi ligjin. Së shpejti do të avancojmë edhe me disa koncesione që janë kthyer në problem. Ai i pullave fiskale, po marr një shembull, është një problem shumë i madh. Është një problem shumë i madh, sepse nuk ka garantuar asnjë lloj ndryshimi cilësor të këtij shërbimi.

Nuk ka sjellë asnjë lloj investimi të konsiderueshëm dhe përmirësimi teknologjik të lavdërueshëm, për të mundur të quhet i arsyeshëm. Pastaj, sigurisht, pasoja është që i merr arkës së shtetit, nga xhepat e biznesit, një sasi parash që është tërësisht e paarsyeshme dhe duke rënduar edhe biznesin. Pra, rëndon biznesin, rëndon mbi buxhetin e shtetit dhe nuk sjell asnjë lloj përmirësimi, në asnjë aspekt. Është një situatë e papranueshme.
Ministria e Zhvillimit Ekonomik pothuajse është në përfundim të studimit. Shumë shpejt qasja e zgjedhur do të jetë publike. Ne do të japim propozimin tonë për Parlamentin, për të shpëtuar biznesin nga ky monopol dhe për të lehtësuar dhe shpatullat e shtetit, që rëndohen, për shkak se ka një ndarje tërësisht të paarsyeshme të kontributit të biznesit mes shtetit dhe koncesionarit në fjalë.
 
Mirëdita zoti kryeministër! Ju falënderoj shumë! Dua të besoj që edhe për gratë biznesmene do të bëhet diçka. Unë përfaqësoj një grup të formalizuar shumë mirë, por para dy vjetëve kur ne kishim dy vjetorin më ka dhëmbur shumë kur një deputet, por edhe biznesmen, në 20 vjetorin e kompanisë, më tha se nuk keni bërë asgjë. Shpresoj që punët të shpejtojnë këtë herë, ju si kryeministër ta përshpejtoni përfshirjen e këtij grupi mjaft aktiv, që nuk është vetëm pjesë femërore, por është pjesë ekonomike, pjesë e cila paguan rregullisht sigurime shoqërore, një pjesë që rrit një brez, i cili do ta vazhdojë i sigurtë këtë. Sot, ne kërkojmë nga ju; A mendoni se duhet të kemi edhe ne një karrige në KEK-un që dominohet nga burrat. A mendoni se ne duhet të jemi pjesë e të gjitha strategjive dhe bordeve vendimmarrëse, që edhe gruaja në biznes në Shqipëri ka ardhur koha të jetë pjesë e këtyre zhvillimeve?
Kur e nisët me deputetin, mendova se donit një karrige në parlament dhe e drejtë do të ishte. Me gjithë se numri i grave në parlament është shtuar dhe me ndryshimin e mandateve po vazhdon të shtohet. Do të jetë edhe më i madh në parlamentin e ardhshëm. Me siguri, kjo është tendencë e imponuar nga zotësia e grave dhe jo nga bujaria e burrave. Ministren e Mbrojtjes e kemi grua. Kështu që jeni edhe ju, besoj, jo vetëm më të përfaqësuara, por dhe më të mbrojtura përballë idesë se gratë duhet të bëjnë punë të dorës së dytë apo të marrin detyra të dorës së dytë.

Përsa i përket Këshillit Ekonomik Kombëtar nuk është një forum që kemi menduar ta kthejmë në një sallë, ku pastaj të mos mund të marrim vendime. Është një tryezë e përbashkët. Së shpejti, ne do të çojmë projektligjin në parlament, sepse duam që të jetë një institucion ligjor, jo një forum që krijohet apo lihet mbas dore në varësi të dëshirës ose të interesit propagandistik të qeverisë, siç ka ndodhur deri dje, me Këshillin Konsultativ të Biznesit, që u ndërtua në fillim me shumë fjalë të bukura dhe shprehje dëshirash të mira, por pastaj u tret dhe nuk u pa më asgjëkundi, sepse askush nuk iu referua më.

Do të bëjmë një ligj. Projekti është gati. Në ligj janë të përcaktuara qartë të gjitha modalitetet, normat e përfaqësimit, mënyrat sesi biznesi është i përfaqësuar, për të shmangur edhe çdo lloj subjektivizmi, të natyrës politike, në përzgjedhjen e përfaqësuesve të biznesit.

Ne kemi marrë angazhimin dhe jemi tërësisht të vendosur t’i japim fund edhe përçarjes politike brenda komunitetit të biznesit dhe shfrytëzimit për interesa krejt të tjera nga interesat që na kanë sjellë në qeveri, të komunitetit. E për më tepër pastaj, ne jemi shumë të dëshiruar që të japim maksimumin që figura e sipërmarrësit të zërë vendin që meriton në shoqëri. Sipërmarrësi si përfaqësues apo mishërim i diçkaje të errët, të dyshimtë, korruptive dhe deri kriminale, është një figurë e krijuar në vite, për një mijë e një arsye, por që ne duhet ta zhbëjmë dhe ta zëvendësojmë me figurën reale të sipërmarrësit.

Sipërmarrësi nuk është në vetvete as përfaqësues i interesave të errëta, as mishërim i gjërave të dyshimta apo të pamoralshme dhe aq më pak është një i korruptuar apo një kriminel që thith gjakun e popullit. Sipërmarrësi është figura qendrore në sistemin ku ne jetojmë. Është gjeneratori i punësimit, gjeneratori i zhvillimit, gjeneratori i mirëqenies. Si të tillë duhet ta shohim dhe si të tillë duhet ta vendosim në vendin që meriton. Ju e dini më mirë sesa unë, që kanë kaluar 20 e kusur vjet në Shqipëri, shoqëria jonë njeh përmendësh artistët, njeh përmendësh sportistët, njeh përmendësh këngëtarët njeh përmendësh gazetarët, madje njeh edhe pronarët e medias, por kur vjen puna tek sipërmarrësit, tek ata që kanë zonën e tyre të heshtur të punës, ku prodhojnë vende pune, ku prodhojnë para dhe të mira materiale për shoqërinë, shoqëria ka vetëm një figurë të errët dhe të dyshimtë para syve, që vishet hera herës, kur shfaqen probleme korrupsioni, klientelizmi, etj., etj., sipas pushteteve që ndërrojnë. Dhe, nuk ka parasysh se kush janë njerëzit që krijojnë vende pune, kush janë njerëzit që bëjnë sukses, kush janë njerëzit që pasurohen nëpërmjet sipërmarrjes, kush janë njerëzit që krijojnë të mira materiale.

Ne na duhet figura e sipërmarrësit për t’ju thënë më të rinjve, siç ka të rinj që janë të tërhequr nga figurat e sportit, nga figurat e artit, nga figurat e muzikës, nga figurat e gazetarisë, për t’u bërë sportistë, për t’u bërë muzikantë, për t’u bërë gazetarë apo dhe politikanë,- se e harrova, më falni, se kjo është bërë si kryesore, fatkeqësisht, - duhet me patjetër të ketë të rinj që të jenë të tërhequr nga figurat dhe sukseset e sipërmarrësit. Është rruga për t’ju thënë të rinjve, që mos prisni që të gjeni një punë në shtet, apo për të pasur një vend të rehatshëm pune dhe pastaj për të shkuar në kafe, por shikoni sesi mund të bëheni të pasur, shikoni sesi ju mjaftojnë idetë tuaja, ju mjafton kurajoja juaj, që ju të bëheni të pasur, që përveç pasurisë suaj të bëni të pasur edhe të tjerët.

E thashë këtë, ndoshta u zgjata pak, por realisht edhe hapi shumë modest që ne bëmë i fundvitit, për të dhënë çmimet e sipërmarrjeve, që duam ta hedhim më tutje këtë vit, me një event realisht të barasvlershëm për nga rëndësia dhe për nga vëmendja me festivalet dhe me dhëniet e çmimeve për artin dhe kulturën, është shprehje e kësaj dëshire dhe gadishmërie. Besoj që duke vendosur figurën e sipërmarrësit aty ku i takon, në atë piedestal që i takon, do të bëjnë që edhe sjellja e politikës, edhe sjellja e qeverisë, edhe sjellja e administratës të ndryshojë. Që të mos guxojë më një tatimor të shkojë tek dera e sipërmarrjes, sikur shkon në një zonë ku vidhet, në një zonë ku abuzohet, në një zonë ku bëhen vetëm të këqija dhe ku një nëpunës i zakonshëm i shtetit mund ta trajtojë një biznesmen si ta kishte skllav. Kjo është domosdoshmëri për ne. Ne do ta bëjmë, siç e kanë gjithë vendet e tjera, ku sipërmarrësit janë njerëz të nderuar dhe të respektuar dhe nuk janë mish për gjueti shtrigash në asnjë nivel.

Unë, gjithmonë, kur flas për njerëzit, kam parasysh burrat dhe gratë, nuk kam parasysh vetëm burrat.
 
Në radhë të parë do të doja të vlerësoja angazhimin që ju keni marrë, por realisht jo se është një kohë e mjaftueshme, por edhe e pamjaftueshme që të kemi afate dhe reflektime. Në radhë të parë, do të donim për detyrimet, por jo vetëm për detyrimet që janë të evidentuara, por njëkohësisht qeveria duhet të marrë masa për të parandaluar thellimin e këtyre detyrimeve dhe aty ku ka një kontratë me sipërmarrjen private, qoftë me kontratat e nënshkruara me institucionet publike, qoftë me ato furnizime që shumë koncesione bëjnë për KESH dhe nuk paguhen. Kjo është ajo çfarë duhet të kemi një përgjigje dhe një afat.
 
Së dyti, unë realisht e vlerësoj, gjakftohtësinë dhe logjikën e përdorur nga qeveria, për të parë me kujdes çdo koncesion dhe çdo kontratë të lidhur. Sepse është shumë e thjeshtë për të prishur, është shumë e thjeshtë për të akuzuar, por është e vështirë sepse çdo gjë do të dalë nga paratë tona, nga paratë e shqiptarëve, nga paratë e taksapaguesve. Në qoftë se do të arrijmë të prishim një koncesion, duhet të jemi të kujdesshëm, në mënyrë që të mos kemi pasoja dhe ka pasur raste precedentë që ka pasur pasoja për buxhetin e shtetit. Unë do të doja që kjo frymë që transmetohet nga kryeministri dhe qeveria të gjente realizim edhe tek institucionet apo dikasteret e ministrive. Konkretisht, është shumë e rëndësishme që bizneset të reagojnë me fakte konkrete dhe në Dhomën e Tregtisë janë paraqitur disa fakte kohët e fundit; një vendim i korrikut, të marrë nga qeveria e mëparshme, që penalizon forcat e ushtrisë dhe të policisë për mostrajtimin me ushqim, ka shkëputur 7 kontrata, të palajmëruara, me 7 kompani dhe të painformuara. Nuk është e rëndësishme se çfarë ka ndodhur, por është e rëndësishme komunikimi që iu është bërë. Unë mendoj se kjo frymë duhet të transmetohet e reflektohet nga e gjithë qeverisja e pushtetit qendror. Ajo çfarë ne pranuam në heshtje, si sipërmarrje, ishte paketa fiskale, por me një kusht, kemi kërkuar me forcë që qeveria duhet të krijojë një grup pune, për të formalizuar ekonominë, në bashkëpunim me sipërmarrjen. Faleminderit!
Koha, kur heshtnit ju, iku! Mbaroi! Në heshtje nuk e pranuat. Madje nuk e pranuat as me zë, përkundrazi, folët për ta kundërshtuar dhe bëtë shumë mirë. Ka qenë një nga arritjet më të mëdha të 100 ditëve tona, që sipërmarrjes i ka ardhur goja. Të jemi realist, se deri dje, jo që kush të guxonte të nxirrte kokën në një ekran për të thënë gjysmë fjale, e kishte mbrapa gjobën më të madhe sesa turn over-in, por realisht nuk kishte asnjë hapësirë për të komunikuar normalisht me qeverinë. Nejse, kjo i takon së shkuarës. Megjithëse, sikundër del edhe nga çfarë tha zoti Jaka, të shkuarën e kemi të pandashme, në formën e minave që gjejmë rrugës. Këto të kontratave përkatëse me policinë dhe ushtrinë ishin disa mina që i plasën në dorë, në janar, atyre që në bazë të kontratave ishin përgatitur të bënin shërbimet. Pra, duam, s’duam, është mirë që t’i kemi parasysh. T’i kemi parasysh pengesat e panumërta që na janë vënë dhe që hap pas hapi i ndeshim, për shkak të vendimmarrjeve të gabuara të së shkuarës.

Sigurisht, që ne do të ishim jashtë realitetit dhe unë do të isha i panevojshëm këtu ku jam, në rast se do mendonim, në rast se unë do të thosha që ne jemi të pagabueshëm, që mjafton që ta them unë, këtu dhe në të gjithë Shqipërinë bëhet siç u tha. Është një proces që do të kërkojë kohën e vetë, për ta sjellë administratën tonë tatimore, për ta sjellë administratën tonë doganore, për ta sjellë administratën tonë, në tërësi, në vijën e sjelljes normale dhe në kuadrin e edukatës që çdo familje i jep njerëzve. Për të mos folur me fjalë të mëdha; Kemi një administratë të paedukuar, kemi një administratë që i qëndron përballë qytetarit, në tërësi dhe në rastin konkret, sipërmarrjes, si të ishte në të drejtën për t’i folur tjetrit, a thua se tjetri i’a ka me borxh që jo vetëm të mos marrë shërbimin që i takon me ligj dhe me zakon, por edhe të dëgjojë apo të përjetojë sjellje të papranueshme.

Arsyeja pse ne e kemi ndërtuar Sekretariatin e Këshillit Ekonomik Kombëtar, arsyeja pse ky Sekretariat, siç jemi zotuar më parë, përpara se të fitonim zgjedhjet, do të jetë i vendosur këtu në Këshillin e Ministrave, është pikërisht që të kemi një urë lidhëse direkte me sipërmarrjen dhe që çdo sipërmarrës që ndjehet keq, për shkak se është ballafaquar me një sjellje të padenjë të administratës tatimore, doganore, apo kudo qoftë, të ketë mundësi që këtë ndjesi negative t’ia përcjellë drejtpërdrejt qeverisë, Kryeministrit, ministrit të Financave, ministrit të Zhvillimit Ekonomik dhe t’ia lërë përgjegjësinë qeverisë, për atë sjellje. Në qoftë se qeveria nuk reagon, në qoftë se tatimori në fjalë, doganieri në fjalë, përfaqësuesi në fjalë i asaj zyre nuk mban përgjegjësi për atë sjellje, i mbetet turpi qeverisë.

Por, ndërkohë, në rast se këto raste bëhen të përsëritura dhe në rast se ju në mënyrë të përsëritur këmbëngulni që këto raste të bëhen të njohura, të jeni të sigurt që do të jepni kontribut të drejtpërdrejt që sjellja të ndryshojë. Kjo sjellje e ndryshuar është në radhë të parë, interesi juaj. Por pa bashkëpunim, - dëgjoja një gazetar që ankohej se rrugës kishte parë një makinë që ecte me shpejtësi dhe policia nuk ishte aty. Policia nuk është para syve asgjëkundi kur shkon në Gjermani, apo kur shkon në Angli, apo kur shkon në Francë. Nuk shikon policë fare. Por policia është kudo, se janë qytetarët që bashkëpunojnë qytetarisht me policinë dhe shërbimet e policisë janë aty, menjëherë pasi qytetari reagon.

Në rastin konkret, reagimi i sipërmarrjes për çdo sjellje, për çdo arbitraritet është i patjetërsueshëm për nga rëndësia. Ne nuk mund ta bëjmë të vetëm luftën kundër korrupsionit në dogana. Ne nuk mund ta bëjmë të vetëm luftën kundër korrupsionit në tatime. Ne nuk mund ta bëjmë të vetëm luftën kundër arbitraritetit, në tërësi. Ne nuk mund t’ju mbrojmë ju të vetëm, këtu nga maja, nga çdo sjellje dhe nga çdo qasje që bie ndesh me ligjin dhe bie ndesh me detyrimin për t’u sjellë brenda gjithë normave të edukatës me ju. Do ta bëjmë bashkërisht.

Ne nuk kërkojmë gjë tjetër nga ju, përveçse të vini në dijeni qeverinë. Mos kini frikë se do t’ju vijë të nesërmen një gjobë, se nuk do të vijë gjobë, do të vijë një falënderim. Të mos i druheni daljes hapur përpara nesh, për të thënë ky sektor, apo ky grup, apo ky individ janë të padenjë për taksat që unë i paguaj këtij shteti. Kjo do të bëjë një ndryshim të menjëhershëm, sepse ata që janë mësuar t’i shkojnë sipërmarrjes te dera, me urdhrin e atij tjetrit lart dhe që ndjehen me shpatulla të ngrohta sepse është ai tjetri lart që i ka çuar, duhet të kuptojnë që në fakt, ju jeni lart. Piramida e pushtetit ekzekutiv, në të gjithë lartësinë e vet, është e hapur për ju dhe nuk është aq lart, sa ju të mos e arrini dot, për të thënë gjysmë fjale.

Kurse sa i përket detyrimeve, borxhet nuk janë mbledhur për një muaj dhe nuk mund të shlyhen për një muaj, nuk janë mbledhur për një vit dhe nuk mund të shlyhen për një vit, të gjitha. E rëndësishme është se borxhet do të shlyhen që të gjitha, me një skemë shumë të qartë. Do të ngrihet sipas marrëveshjes së bërë me Fondin Monetar Ndërkombëtar, një institucion, një komision i veçantë, me pjesëmarrjen edhe të një përfaqësuesi të Kontrollit të Lartë të Shtetit, për të ndjekur të gjithë procesin e shlyerjes së borxheve, që mos ketë selektivitet të asnjë natyre, politike apo korruptive. Kush ka shpenzuar dhe kujt i detyrohemi ka të drejtën të marrë atë që i takon.

Por nga ana tjetër të jemi realistë. Kur flasim për informalitet, informaliteti nuk është diku jashtë, është mes nesh. Ato dy bilance e tre bilance, nuk i bëjnë UFO-t, i bëni ju, apo jo? Ato probleme të mëdha, që ndeshen në hendekun mes çfarë u tregoni bankave dhe çfarë i tregoni shtetit, nuk i krijon ndonjë nga ata ekstremistët në Europë. S’krijohen vetiu. Nuk dua të hyj në arsyet e kësaj, por dua të them vetëm që ne duhet të jemi të gjithë sëbashku, të bindur se koha e tallavasë me financat ka mbaruar, e tallavasë nga ana e qeverisë, e tallavasë nga ana e biznesit.

Sigurisht, që kohën e re nuk mund ta sjellim të tërën, ashtu si e ëndërrojmë, brenda një dite, por duhet të punojmë muaj pas muaji dhe vit pas viti, që koha e re të vijë. E, të jetë koha jonë, koha e bashkëjetesës sonë. Kështu që ne, për veten tonë jemi të vendosur dhe përditë bëjmë atë që dimë dhe atë që mundemi, që t’i ikim sa më larg tallavasë me koncesionet, me kreditë, me borxhet dhe me gjobat, me arbitraritetet, me superfuqinë energjetike, superfuqinë mjedisore, superfuqinë turistike, këto e të tjera. Ju të jeni të bindur që tek ne do të gjeni partnerin e shumëdëshiruar prej vitesh, por mos harroni që ne përfaqësojmë shtetin, që ka detyrimin të mos lejojë tallavanë me bilancet e me ato historitë e tjera, që ju i dini më mirë, që i dimë edhe ne.
 
Pyetja ime ka të bëjë me investimet në fushën e energjisë solare. Në Maj të vitit të kaluar, parlamenti ka miratuar një ligj për energjinë e rinovueshme. Pas gati një viti konstatohet se ky ligj ka mangësi të dukshme në mundësinë e implementimit praktik të tij.
Faleminderit! Unë e di që ju keni takuar ministrin e Ekonomisë dhe Zhvillimit Ekonomik. Unë jam informuar për këtë investim potencial në një zonë që do të përfitonte jashtëzakonisht shumë nga ky investim. Ne jemi tërësisht të angazhuar që të krijojmë të gjitha kushtet që investimi juaj dhe që investimet në këtë fushë të rriten, sepse, siç e thashë, bota vrapon gjithmonë e më shpejt dhe ne jemi të detyruar të çohemi në këmbë e të fillojmë të ecim gjithmonë e më shpejt.

Ne sot e dimë, të gjithë, se jemi tërësisht të varur nga energjia që prodhohet përmes burimeve ujore. Jemi në një kurth të madh, nga ku do të dalim me siguri, por nuk është e lehtë. Kurthi i koncesioneve, të dhëna me kushte diskriminuese për shtetin dhe në kushtet kur na mungojnë fuqitë e nevojshme për eksport të energjisë. Rrezikojmë që të gjendemi në një situatë, në të cilën të kemi mbiprodhim energjie për nevojat tona dhe të kemi pamundësi për të përfituar nga ky mbiprodhim, për shkak të pamundësisë financiare. E përmendi zoti Jaka, sot, dhe kjo në fakt është një nga minat e tjera dhe minë e madhe, në rrugën që jemi gjendur dhe ka jo pak, por në sasi të konsiderueshme, me dhjetëra milionë dollarë borxhe ndaj koncesionarëve të energjisë që kanë filluar punën. Nesër, borxhet mund të bëhen marramendëse, për shkak të pamundësisë reale, jo thjesht të abuzimit apo arbitraritetit apo krizës ekonomike, të shtetit për ta blerë këtë energji, ndaj të cilës shteti, me firmën e qeverisë së mëparshme, ka vendosur vetëdetyrimin. Rritja e fuqisë eksportuese është një nga rrugët për të na nxjerrë nga ky kurth. Veçanërisht vendosja e linjës së eksportit me Italinë, për të cilën ne jemi angazhuar dhe po punojmë intensivisht. Ndërkohë që, patjetër, energjia alternative, të gjithë format e energjisë alternative janë shumë tërheqëse dhe ne do të krijojmë kushtet që këto investime të shkojnë duke u shtuar. Ju thashë edhe më parë, diversifikimi dhe energjia alternative është një sfidë, që të tjerët janë shumë përpara.
 
Është e rëndësishme që administrata shtetërore të ketë një qasje të re, një sjellje të re me sipërmarrjen. Shqetësimet e mia do t’i ndaja në tre drejtime. Në fushën e prodhimit, kriza kudo ka krijuar disa kushte që shumë prodhues të tjerë, shumë linja prodhimi në Europë shprehin dëshirën të transferojnë teknologjitë e tyre, makineritë, pajisjet tek ne. Duke e parë me syrin e një njeriu në prodhim, është me rëndësi dhe do të dëshiroja që të kishte një vëmendje në këtë drejtim dhe sa ka mundësi që të krijohen kushte për taksat për një farë periudhe.

Së dyti, unë punoj edhe në fushën minerare, në fushën hekur-nikelit kryesisht. Doja ta bëja prezent, është një pasuri që pas kromit është e rëndësishme në Shqipëri. Shumë kompani kanë investuar në këtë drejtim, makineri, pajisje. Por klima është jashtëzakonisht e dobët. Unë do të dëshiroja të ishte në vëmendjen e qeverisë një plan strategjik. Koncepti im është të shihet mundësia e zhvillimit të industrisë përpunuese. Nëse përpunohen pak këto minerale tregu është i etur. Së treti, duke përfituar që është edhe Guvernatori, unë konstatoj se sjellja e bankave ndaj biznesit është afërsisht si sjellja e administratës ndaj biznesit.
Me një ndryshim, që bankat duan të mbrojnë paratë e veta, i kanë paratë e tyre. Administrata e bën me paratë e të tjerëve, me paratë e tua. Ka një ndryshim të madh.
Së pari, paralelisht me punën që po bëhet posaçërisht për manifakturën, posaçërisht me fasonin, ku ka nevojë jo vetëm për të lehtësuar sektorin siç është, por për t’i dhënë sektorit mundësinë që ta zgjerojë ciklin, këtu brenda. Ka segmente të sektorit që janë të gatshme të zgjerojnë ciklin, këtu brenda, pra, të mos mbeten vetëm tek gjysmë e gatshmja, por të shkojnë edhe më tutje, me përgatitjen e modeleve etj.

Ne po punojmë dhe i përket përsëri paketës së pranverës, edhe për një sërë masash të tjera lehtësuese që lidhen pikërisht me atë që thatë ju, me nxitjen e investimeve prodhuese. Kemi pasur bindjen se problemi themelor i modelit tonë ekonomik është rritja pa punësim, bazuar tek dy burime të mëdha rritjeje që sot po thahen, bumi në ndërtime dhe dërgesat e emigrantëve dhe tek ‘jep, të jap’.

Ne do të fokusohemi shumë tek investimet prodhuese. Për këtë arsye po punojmë dhe jo çdo gjë dhe jo të gjitha lidhen tek taksat. Nuk ka prova shkencore që të tregojnë se këtu lëviz loja, apo këtu ngrihet ose ulet grafiku. Mund të kesh taksat më të ulëta në botë dhe nuk ke investimet që mund të pretendosh, madje s’ke investime fare, në qoftë se nuk ke administratën në shërbim të biznesit, në qoftë se nuk ke forcën e punës së kualifikuar në shërbim të biznesit, në qoftë se nuk ke qartësi të titujve të pronësisë, në qoftë se nuk ke një sistem drejtësie që të japë drejtësi dhe të mos shesë dhe blejë drejtësi dhe sigurisht, në qoftë se nuk ke të gjithë pjesën tjetër të shërbimeve ndaj biznesit, që të jenë të garantuara, energjinë, ujin, etj.. Pra, është komplekse. Gjermania është nga vendet me taksat më të larta, por ka shkallën më të lartë të investimeve.

Ajo që dua të them, nga ana tjetër, nuk është që ne do të rrisim taksat. Dhe nuk kemi taksë progresive për më tepër, se këto kanë ardhur edhe nga ajo, që ardhja e gojës, dëshira për të folur pas kaq shumë vitesh që nuk flisnit fare, jo se nuk ju dëgjonte njeri, por ju vinin nga mbrapa pastaj, se kush është ky... Nuk ka taksë progresive tek ju. 15%-shi është i barabartë për gjithë biznesin e madh. Është një taksë minimale, nëse bashkërisht do të ulim në mënyrë progresive, taksën e korrupsionit, taksën e arbitraritetit. Shumë shpejt ne do të çojmë në parlament, projektligjin për heqjen e të gjitha gjobave, nga 1 Marsi i vitit të kaluar, ku, pasi kemi bërë një analizë, na rezulton se pjesa dërrmuese e këtyre gjobave janë gjoba arbitrare, janë gjoba të korrupsionit, janë gjoba të ngutjes për ‘të marrim, ç’të marrim’ nga këta, - mbasi jo pak ju kishin marrë - se po ikim. Janë edhe gjoba për intimidimin politik të biznesit, në prag dhe gjatë  fushatës elektorale. Po të heqim ne, këtë volum të madh që ka rënduar më shumë se çdo gjë tjetër mbi supet tuaja, atëherë jam i bindur që taksa është minimale. Ndërkohë, ju siguroj se nga të gjitha kontaktet që kemi pasur me investitorët e huaj, nuk e kam dëgjuar nga asnjë, edhe nga ata që kemi kontaktuar drejtpërdrejt, me grupe të mëdha në Itali që janë në fushën e fasonit, që të thonë se 15% është taksë e lartë. Përkundrazi, të gjithë hapin sytë dhe thonë me këtë taksë ne jemi gati të vijmë. Sigurisht, që duhen marrë ca masa të tjera dhe ne do t’i marrim këto masa të tjera, që do të lehtësojnë në një mënyrë shumë të qartë, aktivitetin prodhues.

Pyetja ime është e lidhur me reformat në administratën tatimore. IFC ka pasur një projekt specifikisht në lidhje me riorganizimin e administratës tatimore dhe ristrukturimin e të gjitha procedurave në administratën tatimore. Ka filluar herët në fakt, që para kësaj qeverisjeje, është përfunduar diku në Nëntor. Nuk e di në jeni në dijeni të këtij projekti, por dua të di, kjo qeveri është  e interesuar të vlerësojë projektin dhe në përgjithësi projekte të tjera që shpesh ndodhin dhe pastaj ngelin në letër dhe a jeni të interesuar edhe për ta implementuar projektin, janë ca para që IFC dhe Banka Botërore kanë investuar dhe do të ishte mirë që të vihen në jetë.

Do ta nis aty ku e latë ju që në letër, ne kemi një vend që do ta kishte zili çdo vend nga ata që janë sot në BE. Ligjet që kemi bërë, janë ligjet me standardet e fundit të BE-së. Në bibliotekën e parlamentit ne Shqipërinë Evropiane e kemi gati. Ama, sa del nga biblioteka e parlamentit, Shqipëria reale është tjetër.

Për të ardhur pastaj tek projektet, tek strategjitë; Ne kemi, besoj unë, numrin rekord të strategjive të prodhuara për sasinë e kohës, brenda një sektori. Kemi sektorë ku janë prodhuar më shumë se 10 strategji kombëtare, në 20 vjet. Strategjitë kombëtare një vend normal i bën të paktën për 20 vjet. Në 20 vjet ne kemi bërë 10, në një sektor. Ne kemi arritur të prodhojmë strategji të ndryshme kombëtare, në një sektor, brenda të njëjtës qeveri, me ministra të të njëjtës parti. Nuk është një fenomen i 8-të viteve të shkuara, është i 20 vjetëve. Dhe ja ku jemi.

Për të ardhur konkretisht te pyetja juaj. Kemi diskutuar intensivisht me Fondin Monetar Ndërkombëtar, me Bankën, me Guvernatorin, me përfaqësuesit e biznesit, sigurisht, gjatë gjithë kohës, me grupin e këshilltarëve tanë. E them gjithmonë dhe dua ta përsëris, kemi, besoj unë, një grup këshilltarësh ekonomikë që janë të nivelit më të lartë dhe jemi me fat që këshillohemi me ta. Për çfarë? Pikërisht për këtë që thatë ju, për reformën e administrimit tatimor.
Me doganat, të jeni të bindur, do të shikojmë shumë shpejt sukses të mëtejshëm, falë marrëveshjes që kemi bërë me “Crown Agents”. Sepse është një marrëveshje që do të garantojë edhe një reformim rrënjësor të të gjithë vijës së sjelljes së administratës doganore.

Me tatimet; nga njëra anë po, jemi tërësisht të vetëdijshëm edhe për këtë projekt, jemi tërësisht të angazhuar që ta bëjmë administrimin tatimor, një administrim të standardeve evropiane dhe ndërkohë, dua ta përsëris atë që kemi thënë më parë, që jemi duke përgatitur projektin që të gjithë sipërmarrjet në vend, që nuk dëshirojnë kontrollin tatimor nga administrata tatimore, mund të marrin auditimin nga një kompani audituese e standardeve ndërkombëtare. Ky auditim do të jetë i barazvlefshëm me kontrollin tatimor dhe qeveria apo administrata tatimore nuk ka më punë te dera e biznesit, por punën e ka me kompanitë audituese, për të bërë ndjekjen e gjithë procesit të aktivitetit tuaj.
Pra, janë të dyja korsi të së njëjtës rrugë, nga njëra anë reformimi i administrimit tatimor në thellësi dhe nga ana tjetër, mundësia alternative për çdo kompani, që të marrë një audit ndërkombëtar dhe të gjithë marrëdhënien me sistemin e taksave ta vendosë mbi bazën e auditimit nga një kopani ndërkombëtare. Sigurisht, do të përcaktojmë qartësisht kriteret dhe mënyrën si do të ndërtohen procedurat.

Ju përmendët që ekonomia e vendit është bazuar shumë te ndërtimi dhe te ndonjë sektor tjetër i cili po thahet, a keni ju ndonjë plan ose ndonjë ide për stimulimin e sektorëve të tjerë që mund të jenë të dobishëm për ekonominë?
Së dyti, a parashikoni ndonjë strategji konkrete për promovimin e investimeve të huaja direkte, si një aspekt shumë i rëndësishëm për zhvillimin e përgjithshëm të ekonomisë së vendit.

Sa e thashë këtë të dytën, në përgjigjen që i thashë atij mikut tjetër të hekur-nikelit. Brenda pranverës do të kemi një paketë konkrete, për sa i përket investimeve të reja.

Në raport me tjetrën, është e qartë që duhet me patjetër të fokusohemi te prodhimi dhe rritja e punësimit nëpërmjet prodhimit, duke identifikuar si burime të reja rritjeje bujqësinë, pasuritë natyrore, qoftë naftën, qoftë gazin, qoftë minierat, turizmin, padyshim punësimin që vjen nga manifaktura dhe në tërësi, pastaj, nga ai sektor i ekonomisë që krijon vende të reja pune përmes prodhimit. Sigurisht, duhet dhe do të vazhdojë me këmbëngulje zgjerimi i tregjeve, duke u fokusuar fort tek një marrëdhënie tërësisht e re me Kosovën. Duke e parë këtë marrëdhënie tërësisht të re me Kosovën dhe bashkërendimin strategjik të planit tonë të zhvillimit, si një platformë për zgjerimin e mëtejshëm rajonal, unë besoj që ishte vetëm njëra anë e medaljes ajo që kishte të bënte me politikën në takimin tonë të dy qeverive. Ana tjetër e medaljes ishte ajo që ka të bëjë drejtpërdrejtë me ju dhe sektorin e ekonomisë. Ekonomi, ekonomi, ekonomi.

Ne duhet të shfrytëzojmë çdo potencial. I kemi jo pak potencialet për t’ua vënë në dispozicion sipërmarrjes dhe të gjithë atyre që sot janë më të rinj, por që mund të merren me sipërmarrjen në këtë vend. Duhet dhe mund ta bëjnë këtë vend, një vend ku përmes sipërmarrjes, ne jo vetëm të dalim nga kriza, por të garantojmë normalitet ekonomik, kuptohet në standardet e rajonit, për gjithë hapësirën shqiptare mes dy shteteve. Ky është qëllimi dhe kështu do të shkojmë më tutje.
 
Problemi më i madh i biznesit janë bankat. A do ta keni ju në platformën tuaj sinqeritetin dhe transparencën e bankave për sa i për ketë biznesit dhe bankave?
Ju kuptoj, banka të sinqerta në këtë botë nuk janë zbuluar akoma.  Ju, e keni për Bankën e Shqipërisë apo e keni për bankat në tërësi?
 
Unë e kam për Bankën “San Paolo”, për bankën me të cilën unë punoj.
Banka të sinqerta në këtë botë nuk janë zbuluar akoma, flas për bankat komerciale, por përputhja e interesave mes kompanive dhe bankave është çelësi i suksesit.
Ne, fatmirësisht, kemi një sistem bankar solid. Fatmirësisht, kemi një sistem bankar që nuk ka mungesë likuiditeti. Përkundrazi, fatkeqësisht, jemi në një periudhë që trashëgojmë tek bankat një pasojë që nuk ka lidhje me bankat në vetvete, por ka lidhje me të gjithë zinxhirin e bllokuar të ekonomisë, për shkak të atyre borxheve që folëm dhe bllokimit të kreditimit. Dje apo pardje ishim në një takim, pa media, me të gjithë përfaqësuesit e kompanive të angazhuara me kontratat e infrastrukturës, që praktikisht do të fillojnë të marrin frymë, pasi po mbyteshin, me fillimin e shlyerjes së borxheve dhe fillimi i shlyerjes së borxheve do të jetë një lehtësim i raporteve me bankën dhe do t’i japë bankave mundësi që të fillojnë apo të shtojnë kreditimin, në kushtet kur do të kemi dhe një ulje të kredive të këqija, që shkuan shumë lart. Unë nuk besoj se përtej kësaj konjukture të përkohshme, problem në Shqipëri janë bankat.
 
Unë besoj, nga ana tjetër, që përmes marrëdhënieve shumë më të qarta, secili në pozicionin e vet, kuptohet, por komplementarë, të qeverisë me Bankën e Shqipërisë dhe përmes mbikëqyrjes së vetë Bankës së Shqipërisë, në tërësi sektori është qartësisht solid. Ajo që na duhet është që ne të gjejmë rrugët e stimulimit të ekonomisë, qoftë duke stimuluar sipërmarrjen, qoftë duke stimuluar bankat, për t’u bërë shumë më aktive. Praktikisht, 1.1 miliardë që hyjnë në ekonomi, këtë vit do të jenë një stimul shumë i madh dhe do të ndjehet shumë, në të gjitha nivelet e ekonomisë. Nga ana tjetër, dëshiroj të nënvizoj që në kuadrin punës që po bën Ministria e Zhvillimit Ekonomik kemi një kantier të tërë për klimën e biznesit.

Se flasim taksa, taksa, taksa dhe bëjmë gabimin e madh që përqendrohemi në një pikë të vetme, edhe sado e rëndësishme që të jetë, ndërkohë që tek taksa, tek ai 15 % është e vetmja pikë solide dhe e garantuar dhe pa probleme që keni ju. Është gjithë pjesa tjetër, problemi më i madh procedurat, zvarritjet, korrupsioni, paqartësia, konfliktet, doli pronari s’doli pronari, është e këtij ë