BARI - Bashkëshortja e 62 vjeçarit që humbi jetën pas shpërthimit të zjarrit në bordin e anijes Norman Atlantic tregon përvojën rrënqethëse të momentit përpara se i shoqi të humbte jetën. Theodhora Doulis 56 vjeç,tregoi se si së bashku më bashkëshortin e saj kishin qëndruar prej mëse 4 orësh në det të hapur, nën të bërtiturat e burrit të saj “po vdesim, po vdesim”.

“Unë dhe bashkëshorti im qëndruam në det të hapur për mbi 4 orë. U mundova ta shpëtoj por nuk ia dola dot. Ai më thoshte, vdiqëm , do të vdesim” shprehet 56 vjeçarja.

Shtetasi grek Georghios Doulis u zbulua ditën e djeshme nga anija shqiptare “Butrinti” gjatë operacioneve të shpëtimit të personave pjesë e “Norman Atlantic”. Sipas të dhënave të fundit nga roja bregdetare italiane, janë 379 pasagjerë të shpëtuar, duke e ulur në 99 numrin e personave të bllokuar.