Prokuroria e Elbasanit ka sekuestruar rreth 300 tonë mbetje të dyshuara si të rrezikshme në uzinën e AlbChrome. Burime për Report Tv bëjnë me dije se nga mbetjet do të merren mostra, të cilat do të dërgohen jashtë vendit për analiza të thelluara.

Hetimi nisi më 28 tetor, ndërsa vendimi për sekuestrimin u mor më 5 nëntor nga kryeprokurori i Elbasanit Kreshnik Ajazi dhe dy prokurorët Jonida Allushi dhe Vasjana Postol.

“Çmojmë se është i nevojshëm sekuestrimi i provës materiale të sasisë prej rreth 300 tonë të mbetjeve të dyshuara si mbetje të rrezikshme, pasi vlerësohen si të domosdoshme për vërtetimin e fakteve objekt i hetimit penal”, thuhet në vendimin e Prokurorisë.

Në pritje të rezultateve të analizave, mbetjet e sekuestruara i janë lënë në ruajtje kompanisë AlbChrome.

“Moszbatimi i detyrimit të ruajtjes, ngarkon personin përgjegjës me përgjegjësi penale”, thuhet në vendimin e Prokurorisë.

AlbChrome ishte gjobitur me 4 milionë lekë në maj të këtij viti dhe i ishte pezulluar përkohësisht aktiviteti, pasi nuk kishte trajtuar 318 ton mbetje të rrezikshme.

Lajmi në përditësim.....