Bashkorganizimi i Euro 27 me Serbinë, Rudi Vata për Report TV: Vendim autokrat që sjell përçarje! Sylvinho? E pashë të frikësuar, duam Botërorin

Kombëtarja shqiptare e futbollit humbi me Çekinë dhe fitoi me Gjeorgjinë për Grupin B1 në Ligën e Kombeve, teksa është ende në garë për kreun e grupit.

Për të analizuar Kombëtaren, ecurinë e futbollit në Shqipëri dhe thuajse zyrtarizimin e bashkorganizimit të Euro 2027 për U21 mes Shqipërisë dhe Serbisë, në Report TV me gazetarin Andi Kapxhiu foli Rudi Vata.

Ish-kapiteni i Kombëtares u tregua diplomat duke thënë se sportivisht bashkorganizimi i Euro 2027 do jetë i vlefshëm, por ky vendim është i pakonsultuar dhe i marrë në mënyrë personale (duke nënkuptuar kreun e FSHF-së, Duka.)

"Ndeshjet me Çekinë dhe Gjeorgjinë - Të dyja ndeshjet kanë qenë ndryshe në organizim dhe angazhim. Aspekti fizik ishte ndryshe. Në Pragë ekipi nuk ishte gati fizikisht, ne nuk ishim të zotët në dyluftime. Çdo lojtar duhet të jetë gati për dyluftime.

Në Gjeorgji u përgatitëm më mirë ne se rivali. Ekipi ishte më kompakt, vuajtëm në mbrojtje, por lamë shumë pak hapësira për të depërtuar. Ishin në dy raste të rrezikshëm, por në përgjithësi u rreshtuam mirë. Këtë stil loje ka Shqipëria.

Duke qenë një Kombëtare jo e madhe dhe që nuk e dominojmë kundërshtarin, na duhen forca të mira në mbrojtje dhe duke parë cilësitë në kundërsulm, do u marrim pikë rivalëve direkt si Ukraina, Çekia dhe Gjeorgjia.

Vazhdimësia pas Euro 2024 dhe mungesat - Themi që po rritemi, gjithmonë. Kemi emra të rinj që premtojnë për të ardhmen. E shoh që nuk ka rritje. Në dy ndeshjet e fundit nuk ishte ai entuziazmi që ka një ekip kombëtar. Ka futbollistë që kanë shkëputje me ndeshjet në ekipet e tyre, ka të tjerë që bëjnë më mirë. Rëndësi ka që trajneri të ketë gati lojtarët. Grupi dhe entuziazmi na bën të rrezikshëm, në mungesë të kësaj humbasim ekuilibrat.

Kemi dy fitore dhe dy humbje, por nuk duhet të humbasim balancat. Janë dy ndeshjet e fundit që do vendosin "kandarin" për balancat dhe ekuilibrin. Nëse na prishen balancat do jetë e gabuar. Kemi nevojë të ulim kokën dhe të punojmë. Fitoret janë të rëndësishme dhe të detyrueshme. Ne presim që ekipi të shkojë në Botëror.

Mund të jemi në Botëror? Duhet të jemi grup i bahskuar dhe energji si para Euro 2024, me ato ndeshje energjike në eliminatore. Kemi pasur paraqitje që nuk i kemi bërë asnjëherë në histori. Pastaj patëm ca pakënaqësi, diksush u gëzua më shpejt se duhet. Ne si komb nuk kemi pasur një vazhdimësi, na duhet të jemi me këmbë në tokë.

Humbja e balancës sjell edhe humbjen e përqëndrimit. Ata nuk duhet të merren me kritikët. Ne na kërkohet ky mendim dhe pastaj ndodh ky hendkeu mes nesh si shqiptar. Nuk duhet të anohet nga përçarja, të jemi të bashkuar.

Dora e Sylvinhos - Pashë që kishte frikë pas Çekisë, por pas Gjeorgjisë erdhi gëzimi. Trajneri ka nevojë të mësojë edhe nga gabimet. Mourinho dhe Guardiola të jenë, do gabojnë. Trajneri nuk është i plotfuqishëm. Sylvinho ka bërë punë të mirë dhe kërkon të vazhdojë, pasi do hapin e madh në karrierë. Nuk do gjykohet vetëm për arritjen në Euro 2024, por do jetë në optikë edhe për Botërorin. Do jenë dy ndeshjet e fundit që do tregojnë idetë dhe karakterin e trajnerit.

Bashkorganizimi i Euro 2027 për U21 me Serbinë - Duhet të jemi të bashkuar. Pyesni Taren, Rrakllin. Ne kemi idenë tonë për futbollin. Këtu ndodh përçarja, më thonë foli edhe "maloku", "katunari", "greku apo serbi". Na duhen vendime për një komb të fortë dhe të jemi të bashkuar që na shërbejnë si komunitet. Mos marrim vendime personale që është i sponsorizuar për të përçarë. Në Shqipëri ka shumë grupime që financohen nga jashtë dhe na lënë të përçarë. A na bën të lumtur ky organizim? Sportivisht është aktivitet shumë i rëndësishëm Euro 2027, politikisht kush i ka në dorë.

Mendimi im nuk i pish ekuilibrat, nuk kam asnjë problem me askënd. Na krijon paqe mes nesh ky aktivitet? Jo. Atëherë kush i merr këto vendime autokratësh? A i ka të drejtat një njeri? As Federata e Kosovës nuk është pyetur.

Nëse trajtohet sportivisht na shërben, politikisht është e rrezikshme dhe nuk na shërben", tha Rudi Vata.

Me gjashtë pikë, Kombëtarja mban vendin e tretë në Grupin B1, me një pikë më pak se Çekia dhe në kuotë të njëjtë me Gjeorgjinë. Ndërkohë kuqezinjtë luajnë dy ndeshjet e fundit në Ligën e Kombeve më 16 dhe 19 nëntor, teksa në "Air Albania" presin Çekinë dhe Ukrainën.

S.Dh/r.k./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    7 Dhjetor, 15:58

    Sipas jush kush duhet ta numërojë votën e diasporës?



×

Lajmi i fundit

'Shqetësimi i Ramës, votuesit gri', Poli Hoxha: Vota e diasporës do jetë autogol për opozitën

'Shqetësimi i Ramës, votuesit gri', Poli Hoxha: Vota e diasporës do jetë autogol për opozitën