/ATSH/-"Qytetar Nderi" (pas vdekjes) është titulli që Këshilli Bashkiak  i Beratit ka akorduar për regjisoren parë shqiptare, Xhanfize Keko.
Ky vendim është dhënë për faktin se përveç kontributit të saj si regjisore, kryesisht e filmave artistikë për fëmijë që edhe sot janë mjaft të pëlqyer, por edhe sepse 37 vite më parë filmi për fëmijë "Tomka dhe shokët e tij", është xhiruar në qytetin e Beratit. Ky film, prodhim i kinostudios Shqipëria e Re i vitit 1977 i regjisores Keko, skenari nga Nasho Jorgaqi dhe me muzikë të Ferdinand Dedës, në vitin 1978 në Festivalin e Filmit për Fëmijë dhe të Rinj në Xhifone të Italisë ka fituar Çmimin Special.
Filmi i regjisores Keko, e cila hodhi gurin e parë të themelit të filmit për femijë në Shqipëri, ka arritur të promovojë trashëgiminë e mishëruar më së miri në lagjet karakteristike të Beratit , Mangalem, Goricë, dhe Kala, etj.
Projeksioni i filmit "Tomka dhe shokët e tij" çeli edhe edicionin e 12-të të Tirana International Film Festival. Ky film i restauruar në restauruar në laboratorin e Qendrës së Konservimit të Pasurive Audiovisuale pranë Bibliotekës së Kongresit Amerikan (LOC Audiovisual Conservation Center), me një kualitet mjaft të lartë, do të shfaqet javës që vjen në Berat. Për Bashkinë Berat, ky titull është një vlerësim i merituar që bashkon artin, vlerat, promocionin por edhe ndjesinë njërëzore.
Xhanfise Keko lindi më 27 janar të vitit 1928 në Gjirokastër. E filloi karrierën si montazhiere, një nga shtatë anëtarët themelues të Kinostudios "Shqipëria e Re", më 1952. Pas një përvoje të gjatë si montazhiere e dokumentariste, filloi karrierën e regjisores, më 1971. Xhanfize Keko ishte regjisorja e parë shqiptare që u vlerësua me çmime ndërkombëtare.
Kështu : filmi " Beni ecën vetë" ka marrë "Medaljen e Nderit" në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit për Fëmijë dhe të Rinj "Giffoni Film Festival" në Itali, në vitin 1976 dhe Çmimin e "Organizatës së Pionierit" si "Filmi më i Mirë për Fëmijë" në Festivalin e Filmit në Beograd.
Filmi "Tomka dhe shokët e tij", në vitin 1978 në Festivalin e Filmit për Fëmijë dhe të Rinj në Xhifone të Italisë ka fituar Çmimin Special.
Filmi "Pas gjurmëve" në vitin 1979 , Medaljen e Presidentit të Republikës Italiane
Filmi "Kur po xhirohej një film" në vitin 1983 eshte vlerësuar me "Medaljen e Argjendtë" në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit për Fëmijë dhe të Rinj "Giffoni Film Festival"në Itali.
Ne Shqiperi i jane dhene titujt me te larte "Çmimi i Madh is Republikës" " Artiste e Merituar", "Artiste e Popullit", ndersa për nder të saj Çmimi Special i Festivalit të Filmit për Fëmijë dhe të Rinj "Giffoni-Albania" është titulluar "Çmimi i Madh "Xhanfize Keko". U nda nga jeta më 22 dhjetor të vitit 2007.