KAVAJE- Bashkia e Kavajës ngarkon me faj Qendrën Kombëtare të Regjistrimit dhe ish-shefin e pushuar të zyrës së QKR pranë kësaj Bashkie për bllokimin disamujor të punës për regjistrimin e bizneseve në këtë zyrë, që u pasua me spostimin e saj në komunën Synej. Më 18 janar të këtij viti, kryetari Elvis Roshi i është drejtuar kreut të QKR Tomi Kola me kërkesën për të inspektuar dhe për të vënë në punë sistemin elektronik, që mundëson hedhjen në rrjetin kombëtar të të dhënave për subjektet që bëjnë regjistrim apo ndryshime në regjistrimet e mëparshme. Ai thekson se ka qenë Rifat Tallushi, ish-kreu i zyrës lokale, që, pas largimit nga kjo detyrë, ka çmontuar gjithë sistemin elektronik të zyrës, duke bërë të pamundur punën për punonjësit e rinj të sapoemëruar. Në rast se kjo është e vërtetë, ish-zyrtari duhet të procedohet penalisht. Nga ana tjetër, kryetari i Bashkisë ka kërkuar që seksioni i teknologjisë pranë QKR-së të bëjë të mundur konfigurimin e prishur të sistemit elektronik. Roshi shton se situata e krijuar dëmton interesat e biznesit në Kavajë dhe shprehet se ve në dispozicion të gjitha mjetet që duhen për transportin e pajisve, duke shpresuar që riparimi të bëhet sa më shpejt.
Afro një muaj më vonë, sistemi i Kavajës vijon të mbetet i bllokuar dhe, me letrën e tij të datës 13 shkurt, kryebashkiaku i zgjedhur me votat e PS i kërkon sërish drejtorit Kola ndërhyrje urgjente.
Duke kuptuar se këtu "ka diçka", ai, më datë 28 shkurt, drejtohet më lart: kryeministrit Berisha, ministrave Naço dhe Bode. Në të, ashtu edhe në letrat dërguar QKR-së, shprehet shqetësimi se, që nga tetori i vitit të kaluar, sporteli i regjistrimit të bizneseve në Kavajë nuk ka funiksionuar, duke detyruar aplikuesit të shkojnë në Durrës apo në qytete të tjera. Ai ka njoftuar zyrtarët edhe se QKR ka pranuar ta zhbllokojë situatën, duke kërkuar tërheqjen e kompjuterave, skanerave, telefonave tip Cisco, Routers, etj. Më 21 shkurt, këto pajisje janë dërguar nga Bashkia, por papritur u mor vesh se pas gjithë kësaj "afere" fshihej transferimi i zyrës së QKR në komunën e Synejit. Kjo u vërtetua nga Dega e Thesarit, që kishte marrë urdhër të mos jepte më lekë për zyrën e Kavajës.
Në vend të ndihmës, kryeministri dhe ministrat kanë dërguar punonjës të QKR, pa dalë ende urdhëri i drejtorit Kola, të marrin edhe ato pajisje që kishin mbetur. Për t'i çuar në një pushtet vendor "blu", duke i detyruar kavajasit të pranojnë regjistrimin në një komunë, ndonëse janë qytetarë!
(sg/shqiptarja.com)