Sipas kryebashkiakut, aktualisht Bashkisë së Peqinit i mungojnë 7.5 milionë lekë. Kjo shumë sipas tij i ka kaluar kompanisë CEZ Shpërndarje për pagesën e faturave të borxhit të energjisë elektrike të ndërmarrjes së Ujësjellës Kanalizimeve. Shuma prej 7.5 milionë lekësh sipas kryetarit të bashkisë ishte grant i pakushtëzuar nga buxheti i shtetit për këtë bashki. Por duke qenë se ajo i ka kaluar tani CEZ-shpërndarjes, 50 punonjësit e Bashkisë së Peqinit do të punojnë tre muaj pa pagesë dhe se nuk ka më fonde për pagat.
Ndërmarrja e Ujësjellës Kanalizimeve në Peqin administrohet nga pushteti vendor kështu që ajo ka obligimin kryesor për të shlyer detyrimet e prapambetura financiare ndaj CEZ Shpërndarje me paratë e këtij granti që do të përdorej për pagat.
Shkak i bllokimit të pagesave të punonjësve të Bashkisë së Peqinit është bërë ngrirja e llogarive të saj për shkak të borxheve që ka ndërmarrja e Ujësjellës Kanalizimeve të këtij qyteti ndaj kompanisë CEZ Shpërndarje.
Qarku i Elbasanit po përballet me shumë vështirësi për mospagimin e pagave në disa njësi vendore siç janë, bashkitë e Librazhdit,Gramshit, Përrenjasit dhe Cërrikut.
(eç/shqiptarja.com)
