Hapësirat mes pallateve të cilat u uzurpuan nga ndërtimet pa leje gjatë këtyre viteve të tranzicionit, pritet që të rikthehen sërish në shërbim të komunitetit. Paralelisht me realizimin e investimeve strategjike për zhvillimin e kryeqytetit, Bashkia e Tiranës po punon edhe për sistemimin e lagjeve të brendshme të cilat kanë një ndikim të drejtpërdrejtë për qytetarët.

“Tafmaja s’ka qenë kurrë strategji zhvillimi. Mania për të zaptuar shëmton qytetin e dëmton komunitetin, ndaj çdo ditë fadroma në punë”, shkruan Veliaj në Facebook.

Në shumë prej njësive, ndërmarrjet e Bashkisë së Tiranës po rikthejnë hapësirat e zëna nga parkingjet apo shtesat pa leje të kateve të para.

Pa humbur kohë ka nisur edhe puna për sistemimin e këtyre hapësirave të reja të përfituara duke krijuar trotuare, kënde lojërash për të vegjlit dhe kënde çlodhëse për moshat më të rritura.

Gjithashtu, po punohet edhe për rregullimin dhe vijëzimin e vendeve të parkimit të përfituara brenda lagjeve duke i dhënë zgjidhje edhe konflikteve të shpeshta që janë krijuar ndër vite mes banorëve.

Redaksia Online
Xh.F/Shqiptarja.com