TIRANË, 14 Nëntor/ATSH- I. Vata/-Bashkia e Tiranës ka depozituar kallëzim penal ndaj ministrit të Financave, Shkëlqim Cani, për shpërdorim detyre në bllokimin e fondeve per bulevardin e ri.
Kallëzimi i Bashkisë së Tiranës është bërë për shkak të bllokimit të qëllimshëm dhe pa asnjë arsye të pagesave ndaj kompanive që po punojnë për ndërtimin e bulevardit të ri dhe lumit të Tiranës. Kallëzimi është dorëzuar sot në prokurori nga nënkryetari Enno Bozdo.
"Në emër të Bashkisë dhe të interesave të qytetarëve të Tiranës, kam depozituar në Prokurorinë e rrethit kallëzimin penal për shpërdorim flagrant të detyrës të ministrit të Financave dhe sekretares së përgjithshme të ministrisë. Të dy në bashkëveprim me njëri-tjetrin, në kundërshtim flagrant të ligjit, por duke zbatuar një urdhër politik, kanë bllokuar që prej një viti pagesat ndaj dy kompanive të cilat operojnë dhe ndërtojnë dy vepra madhore të qytetit të Tiranës, bulevardin dhe lumin e Tiranës", u shpreh Bozdo. /a.ke/