Japonia do të mbështesë Bashkinë e Tiranës për të përmirësuar shërbimin e pastrimit të parqeve të qytetit. Përmes nënshkrimit të një marrëveshje mes Agjencisë së Parqeve dhe Rekreacionit dhe Ambasadës së Japonisë në Tiranë, projekti mundëson shtimin e mjeteve dhe pajisjeve për pastrimin e Parkut të Liqenit Artificial dhe parqeve të tjera.
Kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj falenderoi qeverinë japoneze për këtë mbështetje. “Më vjen mirë që nga kjo marrëveshje marrim një donacion shumë të vyer për Agjencinë e Parqeve dhe Rekreacionit, si ndihmë për shtimin e pajisjeve, koshat dhe një sistem të modernizuar të pastrimit për parqet e Tiranës”, tha Veliaj.
Ai theksoi se ky projekt bashkëpunimi është njëkohësisht edhe një vlerësim që i bëhet punës së APR-së, e cila jo vetëm e ka gjallëruar Parkun e Liqenit Artificial, por edhe punon çdo ditë që qytetarët të gjejnë një mjedis të pastër dhe të rregullt. “Vlerësimi më i mirë për parqet e Tiranës nuk vjen nga unë si kryetar bashkie, por nga ata që janë të huaj, që e vënë re cilat janë agjencitë e bashkisë që performojnë më mirë dhe duan të bashkëpunojnë me më të mirët. APR është një histori suksesi e Bashkisë së Tiranës dhe më vjen mirë që falë këtij donacioni do ta ketë pak më të lehtë punën”, shtoi Veliaj.
Ambasadori i Japonisë në Shqipëri, Makoto Ito, vlerësoi punën që po bën Bashkia e Tiranës për krijimin e Pyllit orbital, ndërsa u shpreh se projekti mundëson përmirësimin e mjedisit në qytet. “Është një kënaqësi e madhe që firmos këtë projekt, i cili ka impakt të drejtpërdrejtë në përmirësimin e mjedisit në Tiranë. Me këtë rast dua të shpreh vlerësimin tim për kryetarin e Bashkisë dhe punën e tij të palodhur për krijimin e ‘Pyllit Orbital’, duke planifikuar mbjelljen e miliona pemëve të reja në Tiranë, e cila konsiderohet realisht si trashëgimia më e mirë për gjeneratën tjetër”, tha ambasadori Ito.
Kryebashkiaku Veliaj vlerësoi gjithashtu faktin se donacioni i parë i Ambasadës së Japonisë në nivel lokal i është besuar Bashkisë Tiranë, duke mbjellë fillimisht qershi japoneze në Parkun e Tiranës dhe duke kontribuuar tashmë edhe me mjete pastrimi. “Më vjen mirë që si ent lokal, jemi partnerët e parë të ambasadës së Japonisë në Tiranë dhe shpresoj që kjo dallëndyshe e parë do t’i japë mundësinë disa bashkëpunimeve të tjera”, tha Veliaj. Ai theksoi se bashkëpunimi me Japoninë do të vazhdojë edhe më tej për të shfrytëzuar përvojën e saj për zhvillimin e qëndrueshëm dhe inovacionin.