Pas rikualifikimit të bllokut pranë rrugës “Musine Kokalari” në Kombinat, Bashkia e Tiranës ka nisur punën për krijimin e minilulishteve si mjedise çlodhëse për të gjithë banorët e kësaj zone. Aksionit të punonjësve të bashkisë dhe vullnetarëve të “Rinjtë e Gjelbër” iu bashkua edhe kryebashkiaku Erion Veliaj, i cili vlerësoi kontributin e të rinjve që u bënë pjesë e nismës për të dhuruar pemë për kryeqytetin dhe theksoi se Tirana ka nevojë për kontributin e të gjithëve për t’u bërë një qytet më i mirë.
Veliaj tha se puna e bërë në zonën e Kombinatit, investimet e bashkisë në infrastrukturë, por edhe aksioni i gjelbërimit, e rrisin cilësinë e jetës për çdo qytetar. “Kjo është një lagje fantastike e Tiranës, quhet zona “Musine Kokalari” sepse është afër shkollës. Siç e shihni jemi në hapat e fundit, kemi mbaruar konturimin, janë liruar kthesat e pallateve dhe hapësirat publike nga zaptimet, janë vendosur stolat e rinj, pllaka të reja, sinjalistika. Kishte ardhur koha e qershisë mbi tortë, gjelbërimi i zonës”, tha ai.
Kryebashkiaku shtoi se nisma e bashkisë për të arritur në 150 mijë pemë të mbjella në vit mund të bëhet vetëm më punë të përditshme dhe kontributin e gjithsecilit. “Ne kemi një nismë fantastike për të kapur këtë vit 150 mijë pemë dhe ju mund të thoni se 150 mijë pemë nuk mbillen brenda ditës. Sigurisht, ndaj 20 sot, 200 nesër, e nëse vazhdojmë me këtë ritëm, sigurisht që do ta kapim rekordin. Mbërritja në një moment ku ka cilësi infrastrukture, urbanistike, sheshe pushimi edhe nëpër lagje, bën që çdo lagje e Tiranës mos të ketë nevojë të vijë patjetër në Bllok, për të pasur pak hijeshi dhe një mjedis të kulturuar”, tha Veliaj.
Kryetari i Bashkisë së Tiranës theksoi se Njësia 6 është një nga zonat ku është investuar më shumë, duke përmendur punimet që po kryhen në rrugën kryesore, nga mbikalimi te Fabrika e Miellit deri në Kombinat. “Po mbaron aksi kryesor, kemi mbaruar investimet në Varrezat e Sharrës, kemi bërë rrugën deri në kthesën e Sharrës dhe gjithë “Aleksandrin e Madh”. Do të vazhdojmë me investimin te “Misto Mame”, për të përfunduar këtë vit me këto dy blloqe dhe aksin kryesor të Kombinatit, e pastaj për të vazhduar vitin tjetër në të gjithë zonën e Astirit dhe në të dy krahët e “Rrugës së Kombinatit”, tha ai.
Të “Rinjtë e Gjelbër” vlerësuan nismën e Bashkisë së Tiranës, të cilës iu bashkuan duke dhuruar 20 pemë qershi. “Ne iu bashkuam nismës ‘Mbill një pemë për Tiranën’, për një gjelbërim më të mirë. Kontribuuam me mbjelljen e 20 pemëve qershi në zonën e Kombinatit dhe uroj që këtë fushatë ta vazhdojmë më tej”, tha një nga përfaqësuesit e saj.
Bashkia e kryeqytetit ka bërë rikualifikimin urban të të gjithë bllokut pranë Rr. “Musine Kokalari”. Pas plotësimit me stola, kosha, sinjalistikë apo edhe lirimin e hapësirave publike ka vijuar puna me gjelbërimin, i cili po bëhet i mundur edhe në bashkëpunim me vullnetarë apo kompani të ndryshme mbështetëse. Për këtë bllok janë parashikuar rreth 150 pemë dekorative, për të mundësuar plotësimin me bimësi dekorative.