'Qofshin të kaluara dhe 2019-a i marrtë me vete'! Veliaj i shtron drekën njerëzve në nevojë: Rindërtojmë TIranën pas tërmetit (VIDEO)

Në prag të festës së ndërrimit të viteve, qendrat sociale të Bashkisë së Tiranës kanë shtruar drekë për njerëzit në nevojë që i frekuentojnë ato. Në njërën prej tyre, drekën festive e shërbeu kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i cili përveç urimit për një vit sa më të mbarë, përçoi edhe një mesazh të rëndësishëm për qytetarët. “Ky ka qenë një vit shumë sfidues. Megjithatë, siç thonë gjyshet tona, qofshin të kaluara dhe 2019-ta i marrtë me vete. Di të them se njerëzit i njeh më mirë në vështirësi. Kur je mirë, të gjithë sillen mirë; kur ka vështirësi, aty kuptohet sa i fortë dhe reagues është shteti, bashkia, qyteti. Dua t’ju uroj shëndet dhe një 2020 sa më të suksesshëm”, tha  Veliaj.

Kryebashkiaku nënvizoi se pavarësisht tërmetit që goditi vendin tonë, falë qirave të paguara, familjet e evakuuara do të mund ta kalojnë Vitin e Ri në një banesë të re. “Një nga gjërat që bëmë shumë mirë kësaj here, përveç qendrave sociale, ishte edhe dhënia e qirave për të gjithë ata që i kanë pallatet të rrezikuara. Pra, nëse pallati është shpallur i pabanueshëm për evakuim, marrja e një qiraje ka qenë një mundësi që Viti i Ri të na zërë në shtëpi të re, të jenë pjesë e të njëjtit eko-sistem: fëmijë shkojnë në të njëjtën shkollë, blejmë në të njëjtin minimarket, shkojmë te e njëjta kafe e lagjes, kemi të njëjtin gruo shoqëror dhe komunitet”, tha ai.

Veliaj dha një lajm të mirë për të gjithë ato familje që në 2019 pësuan dëmtime të rëndë të banesave. Ai u shpreh se në janar do të nisin studimet e thelluara të pallatave për të nisur pa humbur kohë edhe me meremetimin e tyre. “Nga muaji janar do nisim ato që quhen studime të thelluara të çdo pallati. Në çdo pallat do të kalohet 3-4 ditë për t’u siguruar me inxhinierët që bëhet testi i betonit, testi i hekurit, i materialeve të përdorura. Një pjesë e pallateve mund të jenë të rikuperueshëm me pak përforcim. Në momentin që pallati shpallet i rekuperueshëm pas vlerësimit të thelluar, do të fillojmë investimin dhe përforcimin e tij”,  nënvizoi Veliaj.

Sipas tij, të gjitha ato familje që kanë banesa tërësisht të parikuperueshme ose kostoja e rikonstruksionit do të rezultojë tepër e lartë, çka nuk justifikon një investim të tillë, do të përfitojnë një banesë të re në pallatet që do ndërtohen. “Në momentin që pallati është i parikuperueshëm ose kostoja e rikonstruksionit shkon shumë e lartë, atëherë sigurisht që ia vlen më mirë ta bësh nga e para. Këto janë dy shinat ku do ecim me pallatet në Tiranë”, u shpreh kryebashkiaku.

Por, deri në zgjidhjen përfundimtare të çështjes së strehimit, këto familje do të përfitojnë bonusin e qirasë. “Do të vazhdojmë gjatë vitit 2020 me qira, derisa të merret një vendimmarrje për pallatet. Nëse për një pallat merret vendim për kryer merimetimet e nevojshme dhe për t’u futur, do e respektojmë, sepse kjo është punë inxhinierësh, jo politikanësh. Pastaj, nëse nuk do të rikuperohen, shumë afër në Kombinat do të kemi lagjen e re, nga ana tjetër e rrugës. Të njëjtën gjë do të bëjmë edhe tek “5 Maji”. Në qoftë se keni nipa, mbesa studentë, 2020-ta është viti i tyre, kur të vijë puna për kampusin tek “Qyteti Studenti” dhe në Universitetin Bujqësor”, theksoi Veliaj.

Një vëmendje të veçantë do të kenë edhe ato familje në zonat rurale, të cilave tërmeti i 26 nëntorit ua shkatërroi plotësisht banesën. Veliaj deklaroi se për këtë kategori është menduar sistemimi i tyre në shtëpitë e reja, që do ndërtohen të grupuara. “Në zonat e fshatit nuk do ndërtojmë shtëpi që janë 20 kilometra nga qendra e fshatit. Së pari, sepse ka një kosto shumë të lartë, së dyti se nuk ka njerëz. Do ikim nga klasat kolektive për fëmijët dhe do themi: Mbaji tokën, viçat, kecat, çfarë ke, por mos i torturo fëmijët, se i bllokon aty tërë jetën, nuk shkëputet kurrë varfëria. Ndaj, kemi evidentuar toka në qendër Vaqarr, qendër-Pezë, qendër-Baldushk, qendër-Ndroq, në të cilat duke i grupuar shtëpitë, së pari shpëton fëmijët, dhe së dyti, jo vetëm që nuk humbet pronën që ke në fshat, por merr edhe një pronë tjetër”, tha Veliaj.

G.M./b.ha./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Dosja 5D, SPAK mbyll hetimet dhe dërgon për gjykim ish-drejtorët e Bashkisë Tiranë

Dosja 5D, SPAK mbyll hetimet dhe dërgon për gjykim ish-drejtorët e Bashkisë Tiranë