GRAMSH - Mbi 500 familje në qytetin e Gramshit dhe 770 persona me aftësi të kufizuara prej tre muajsh nuk marrin lekët që i takojnë nga ndihma sociale për shkak të mos aprovimit të fondeve nga ana e qeverisë për bashkinë e Gramshit.

“S’kam lekë me çfarë t’u jap bukën, s’kam t’u blej, po më mbahet leku. Pse më mbahet leku, unë jam i sëmurë, ilaçet ngelën pa marrë”. Ky është Asim Jallo nga Gramshi, babai i gjashtë fëmijëve, i cili mban familjen vetëm me një përkrahje sociale, të nuk e merr prej muajsh.

Lidhur me gjendjen e banorëve të këtij rrethi, deputeti i opozitës, Damian Gjiknuri i pranishëm në këtë qytet për të parë nga afër situatën bën ironi për deklaratat e kryeministrit Berisha për rritje ekonomike.

“Fatkeqësi, një gjendje e mjerueshme të mendosh mijëra njerëz në vitin 2012 ku dëgjojmë deklarata bombastike të kryeministrit vuajnë lideralisht për bukën e gojës. Kjo është një situatë e patolerueshme dhe rrethi i Gramshit në këtë gjendje është. Nuk është vetëm bashkia, janë edhe komunat”, u shpreh deputeti socialist Damian Gjiknuri nga qyteti i Gramshit.

Ndërkohë, sipas kryetarit të bashkisë Gramsh, Dritan Bici, edhe administrata e bashkisë po përballet me këtë problem, ndërsa thekson se kjo situatë është e patolerueshme pasi ende nuk kanë marrë asnjë përgjigje nga ana e qeverisë për aprovimin e fondeve.

“Nuk e shpjegoj dot që qeveria të mbahet me lekët e këtyre personave apo t’i përdorin me ndonjë drejtim tjetër. Unë nuk kam ndonjë sqarim deri më tani që përse nuk po jepen këto lekë. Nuk bëhet fjalë për të festuar festat e fundit, por bëhet fjalë që ata s’kanë bukë, i nisin fëmijët në shkollë pa ngrënë dhe kjo është një situatë e patolerueshme. Shkak për këtë kolaps ekonomik është mungesa e fondeve nga qeveria, edhe pse kjo bashki i ka bërë disa herë kërkesa institucioneve përkatëse për të zhbllokuar fondet deri tani nuk është kthyer asnjë përgjigje nga institucionet përkatëse”, tha kryebashkiaku Bici.

Me të njëjtën problematikë po përballen edhe një numri madh bashkish të majta në të gjithë vendin.

Redaksia Online
(Gre.M/Shqiptarja.com)