TIRANË - Dy javë nga vrasja e katërfishtë në lokalin e natës “Ante Grande”, Bashkia e Tiranës ka publikuar videon e filmuar nga kamerat e saj të instaluara në rrugën e Elbasanit. Pikërisht në këtë video tregohen momentet e para të krimit, largimi i autorëve me vrap dhe më pas mbërritja e policisë, e cila ka kryer arrestimin.
 
Kamera e sigurisë në rrugë filmoi të gjitha lëvizjet e Kostandin Xhuvanit dhe shokëve të tij pak momente pas ngjarjes tragjike. Ndërsa Kostandin Xhuvani përpiqej të nxirrte nga lokali, trupin e shokut të tij të vrarë, Eraldo Sida parkonte makinën tip “Mercedes ML”.
 
Në derën e lokalit, Eraldo Sida takoi badigardin Anton Binjaku që dilte i alarmuar për të lajmëruar policët që rrinin tek ambasada amerikane. Ai duket teksa vrapon drejt ambasadës për të kërkuar ndihmë.
 
Ndërkohë, Kostandin Xhuvani i veshur me tuta sportive, Alban Bllacaj dhe Erald Sida nxjerrin nga lokali shokun e tyre Arbër Demiraj, i qëlluar me dy plumba. Pranë tyre kalon me shpejtësi një motor, i cili drejtohej nga E.Basha. Ky person për pak sa nuk i aksidenton. Ndërkohë që të tre shokët hipin në makinë trupin e Demirajt, tentojnë të largohen.
Ky është edhe momenti kur mbërriti policia. Xhuvani vrapon me armë në dorë për t’u larguar në drejtim të Fakultetit Ekonomik. Pas tij vrapon efektivi i policise Lorenc Aliu, i cili me ndihmën edhe E.Bashës që kalonte rastësisht, e neutralizon dhe arreston Xhuvanin, i cili kishte hedhur pistoletën bosh pak metra para se të prangoset.
 
Në pamje duket edhe momenti kur policia rrethon makinën ku ndodhej trupi i Demirajt dhe më pas shoqërohet për në makinën e policisë i pandehuri Erald Sida. Pak sekonda më pas policia shoqëron drejt furgonit të saj edhe Konstandin Xhuvaninn të prangosur, në vendin e ngjarjes mblidhen makinat e policisë.
 
Nga aty largohen Xhuvani dhe të arrestuarit e tjerë të cilët kanë dhënë shpjegime për ngjarjen, ku Xhuvani ekzekutoi me dashje Edison Jaho, Enea Xhaji, Arbër Demiraj, italianin Paolo Azzola.

Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 21 Nëntor 2014

Redaksia Online
(a.h/shqiptarja.com)