TIRANE - Kryebashkiaku Erion Veliaj e quan standard të dyfishtë kundërshtinë që Partia Demokratike po i bën projektit për ndërtimin e këndit të lojërave për fëmijë në Parkun e Liqenit Artificial të Tiranës. 

Përmes një deklarate për mediat nga Bashkia e Tianës thuhet se demokratët nuk ndërtuan asnjë kënd lojërash për fëmijët në 4 vitet që drejtuan Tiranën, por përkundrazi - theksohet në njoftim - lejuan ndërtimin e kafeneve tek Liqeni dhe të një pallati 17 katësh tek Diga. 

"Sot këshilltarët e PD-së ngrejnë zërin kundër një parku lojërash për fëmijë, ndërkohë që deri dje kur ishin në krye të punëve të Tiranës, lejuan ndërtimin e mbi 30 kafeneve rreth e rrotull Liqenit Artificial, të cilat janë formuar si çibanë e po i zënë frymën zones përreth. Ky standard i dyfishtë i Partisë Demokratike është një sjellje e turpshme e një force politike, e cila synon vetëm pengimin e zhvillimit të qytetit", thuhet në deklaratë.

Bashkëngjitur njoftimi, Bashkia e Tiranës ka bërë publike edhe lejen e dhënë nga Këshilli Kombëtar i Territorit për ndërtimin e parkut të lojërave.

Deklarata e Bashkise
Bashkia e Tiranës shpreh keqardhjen që Partia Demokratike vazhdon të kundërshtojë hapur krijimin e këndeve të lojërave për 200 mijë fëmijët e Tiranës, si dhe të hapësirave të reja publike për qytetarët. Pasi në 4 vjet nuk ndërtuan qoftë edhe një kënd të vetëm lojërash për fëmijët e kryeqytetit, por në vend të tyre dhanë me dhjetra leje abuzive ndërtimi, mes të cilave edhe ndërtimin e një pallati 17 katësh nën digën e Parkut të Liqenit Artificial, sot zyrtarët e Partisë Demokratike kërkojnë të pengojnë zhvillimin e mëtejshëm të Tiranës.

"Sot këshilltarët e PD-së ngrejnë zërin kundër një parku lojërash për fëmijë, ndërkohë që deri dje kur ishin në krye të punëve të Tiranës, lejuan ndërtimin e mbi 30 kafeneve rreth e rrotull Liqenit Artificial, të cilat janë formuar si çibanë e po i zënë frymën zones përreth. Ky standard i dyfishtë i Partisë Demokratike është një sjellje e turpshme e një force politike, e cila synon vetëm pengimin e zhvillimit të qytetit".

Për transparencë ndaj qytetarëve, Bashkia e Tiranës po publikon edhe lejen e dhënë nga Këshilli Kombëtar i Territorit për nisjen e punimeve për ndërtimin e parkut fantastik të lojërave për fëmijë te Liqeni Artificial, i cili brenda pak muajve do mund të frekuentohet e shijohet falas nga të gjithë fëmijët e qytetit.

Gjithashtu, për t’i shkuar deri në fund transparencës tonë, do të publikojmë edhe fotografitë e dhjetra kafeneve që Lulzim Basha dhe këshilltarët e PD-së lejuan e ndërtuan rreth e rrotull Liqenit Artificial, ndonëse qytetarët e Tiranës e dinë mirë se kush e shkatërroi qytetin në 4 vitet e fundit.

Bashkia e Tiranës dëshiron të sigurojë qytetarët e Tiranës se do të vazhdojë punën për realizimin e një sërë projektesh madhore për qytetin, të cilat deri dje kishin mbetur peng i përtacëve që e drejtuan këtë qytet nga viti 2011 në 2015.

bashkia e tiranes parku

Redaksia Online
(Gre.M/Shqiptarja.com)