Në Qendrën Kulturore u mbajt sot koncerti festiv i organizuar nga Bashkia Përrenjas, në nder të 28–29 Nëntorit, ditëve të flamurit dhe të gjithë patriotëve që sakrifikuan për pavarësinë dhe identitetin tonë kombëtar.

Një mbrëmje plot emocion, muzikë dhe art që nderon historinë, sakrificat dhe krenarinë tonë kombëtare.

Gjatë aktivitetit u theksua rëndësia e ruajtjes së traditës dhe respektit për figurat e shquara që kontribuuan në lirinë e Shqipërisë.

“Këto janë dy data krenarie që më në fund pas shumë përpjekjesh të atyre që sakrifikuan jetën për ditët e bukura që ne gëzojmë sot, janë dy data që çdo shqiptar i feston në të gjithë botën. Duke iu uruar të gjithëve 28-29 nëntorin, festën e çlirimit. Dua që këto data të jenë ditë reflektimi, data që ashtu sikur ata që luftuan për këtë ditë, kërkuan që të ketë një Shqipëri të mirë, të begatë dhe të lirë. Shumë shpejt jemi në hapat e fundit për të shkuar në BE. Do të jemi një shtet më i sigurte, më i përparuar”, tha kryebashkiaku Nuri Belba.

Pas fjalës së kryetarit, përshëndetjen e tij e dha edhe Deputeti i zonës.

“Kur bëhet fjalë për festat e nëntorit, kjo sallë merr një vëmendje të madhe. Të gjithë duhet të jemi krenarë sa herë që vjen nëntori, 28-29 nëntori të cilat gjithmonë na kanë bërë të ndihemi krenarë për atë histori të popullit tonë. Atë histori të lavdishme shekull pas shekulli e përcjellë brez pas brezi. Le të vazhdojmë të respektojmë me nder dhe krenari gjakun e dëshmorëve që na anë dhënë këtë shtet që gëzojmë sot, por dhe ata të vitit 1944, heronjtë e Luftë Nacional Çlirimtare që na renditën në krahun e fitimtarëve dhe në krahun e heronjve”, tha deputeti i PS Olsi Komici.

Në vijim, artistë të ndryshëm interpretuan këngë patriotike dhe pjesë artistike kushtuar figurave historike, ndërsa publiku reagoi me duartrokitje dhe entuziazëm.

Mbrëmja u mbyll mes emocionit dhe atmosferës festive, duke sjellë edhe një herë në vëmendje vlerat që na bashkojnë si shqiptarë.


Lajmi kryesor:

113 vite pavarësi/ Krerët e shtetit në Vlorë për ngritjen e flamurit, Vjosa Osmani krah Begajt e Ramës! Festë në të gjithë vendin