Bashkia e Tiranës ka nisur vlerësimin për heqjen e licencës në linjën e transportit urban të Saukut. Abuzimet e bëra nga kjo linjë me kartonin shoqërues të aboneve, ka bërë që ANK të nisë konkretizimin e heqjes së licensës për këtë operator. Drejtoresha e Transportit dhe Lëvizshmërisë në Bashkinë e Tiranës, Nereida Hoxha, ka bërë më dije edhe një herë dje se Bashkia e Tiranës nuk e njeh kartonin shoqërues të aboneve, pasi sipas saj, abonetë kanë të gjithë elementët e nevojshëm të sigurisë.

"Bashkia e Tiranës, përmes një shkrese u ka kërkuar të gjithë operatorëve të transportit publik, që të tregtojnë abonetë pa kartonin shoqërues. Kjo, mbështetur në faktin që abonetë e tregtuara nga Drejtoria e Tatim-Taksave kanë të gjithë elementët e nevojshëm të sigurisë. Asnjë nga operatorët e licensuar nga Bashkia e Tiranës nuk do të tregtojnë më abone të pajisura me karton shoqërues", është shprehur Hoxha.

Ndërsa Geron Ibrahimi, Drejtori i Agjencisë për Mbrojtjen e Konsumatorit i ka bërë thirrje operatorit të linjës urbane Sauk, që të mos vazhdojë të dezinformojë qytetarët duke i shitur abonetë me karton. "Gjatë kësaj periudhe, që kur u bë paralajmërimi i parë, AMK ka ndërmarrë 23 masa për operatorin e Saukut, i cili ka krijuar dezinformim qytetar. Ne, si Agjenci e Mbrojtjes së Konsumatorit, kemi filluar vlerësimin e konkretizimit të propozimit të heqjes së licensës për këtë operator, ndaj i bëjmë edhe njëherë thirrje, që të mos dezinformojë qytetarët dhe të rrisë cilësinë e shërbimit të transportit publik", u shpreh Ibrahimi. Gjobat që i janë vendosur linjës së Saukut kanë qenë nga 5 000 lekë (të reja), deri në 20 000 lekë (të reja).

Gjoba, penaliteti i kontratës për këtë rast, i cili është përdorur 20 herë, është 20 000 lekë (të reja). Për këtë operator ka filluar edhe vlerësimi i performancës së tij. Kjo për tu konkretizuar më tej me propozimin për fillimin e procedurës së heqjes së licencës.

(j.l / shqiptarja.com)