Bashkia e Tiranës ka ngritur shqetësimin se prej tre muajsh, Drejtoria e Përgjithshme e Tatim - Taksave nuk ka kaluar në llogarinë e saj të ardhurat nga taksa e biznesit të vogël, të cilën qeveria prej vitit 2014 ka vendosur ta mbledhë përmes strukturave të saj tatimore.

Sipas bashkisë, në dhjetor 2014, në arkën e Bashkisë së Tiranës duhet të derdhej shuma prej 28 milionë lekësh, por deri më sot nuk është kryer asnjë veprim. Mosderdhja e taksave nga ana e Drejtorisë së Tatim-taksave, sipas bashkisë së Tiranës, ka krijuar një mungesë të ardhurash në masën 150 milionë lekë.

Në letrën që Bashkia e kryeqytetit i ka dërguar Ministrisë së Financave, i kërkohet të plotësojë sa më shpejt detyrimet, duke kaluar detyrimin e tatimit të thjeshtuar të fitimit, në interes së Bashkisë Tiranë.

“Çdo vonesë në realizimin e këtyre të ardhurave bën të mundur mosplotësimin e angazhimeve dhe detyrave që ne kemi për qytetarët dhe qytetin e Tiranës. Duke shpresuar se këto veprime nuk janë në vazhdën e angazhimit total të çdo strukture të shtetit për të bllokuar punën e Bashkisë së Tiranës, jemi në pritje të reagimit nga ana juaj” - thuhet në shkresën drejtuar ministrit të Financave.

Më tej, Bashkia e akuzon qeverinë për dështim në mbledhjen e taksave, gjë që është bërë shkak për mungesë transparence nga ana e saj.
 


Redaksia Online
(a.h/shqiptarja.com)