VLORË- Bashkia e Vlorës fiton gjyqin në arbitrazh në Paris kundrejt kompanisë së parkimeve "Tis Park". Lajmi është bërë i ditur nga kryebashkiaku Dritan Leli, i cili ka sqaruar se tani më firma do i paguajë Bashkisë mbi 700 mijë dollarë.

"Mbrëmë në darkë ka ardhur njoftimi nga gjykata e arbitrazhit në Paris që Bashkia e Vlorës ka fituar çështjen me Tis Parkun.

Tani kontrata me Tis Parkun quhet e përfunduar. Bashkia e Vlorës nuk do të ketë asgjë kosto në vazhdimësi. Dhe detyrohet firma Tis Park të paguajë një shumë rreth 700 mijë dollarë Bashkisë së Vlorës si dhe detyrimet e tjera që jenë për ketë çështje.

Nuk do jemi më peng e kërkesës absurde nga kjo firmë  e cila kërkonte 23 milionë euro dëmshpërblim për prishje të njëanshme të kontratës", tha Leli.

Kujtojmë që në shkurt të 2015-ës, Bashkia nisi zbatimin e kontratës për dhënien me koncesion të parkimeve të Vlorës me një afat 15 vjeçar. Por pas reagimit dhe protestave qytetare, bashkia prishi kontratën me kompaninë koncesionare. Ndërsa ishte "Tis Park" që e çoi çështjen në Arbitrazh.