Bashkiakët e rinj, ja personeli
që emërojnë e shkarkojnë

Bashkiakët e rinj, ja personeli<br />që emërojnë e shkarkojnë
TIRANE- Drejtuesit e rinj të pushtetit vendor ashtu siç edhe ishte parashikuar do të jenë të plotëfuqishëm për emërimin dhe shkarkimin e personelit në bashkitë e reja. Kryeministri Edi Rama në takimin informues që zhvilloi dje me ministrat e kabinetit të tij qeverisës nën sloganin “E nesërmja”, bëri publike disa nga kompetencat e reja që do të marrin drejtuesit vendor pas zgjedhjeve të 21 qershorit.

Duke kujtuar se ajo që është bërë deri më tani nuk është decentralizim por copëtim, Rama paraqiti planin e emergjencës pas zgjedhjeve. Menjëherë pas marrjes së detyrës së tyre, drejtuesit e pushtetit vendorë do të pajisen me një manual në të cilin do të shpjegohet strategjia që ka hartuar qeveria deri në implementimin përfundimtar të reformës administrative-territoriale. Kryebashkiakët e rinj në 61 njësitë e reja vendore do të “rrëmbejnë” nga ministria e Arsimit, kompetencën për emërimin dhe shkarkimin e personelit të kopshteve publike.

E njëjta e drejtë vendorëve që do të dalin nga zgjedhjet e 21 qershorit, do të jetë edhe personeli i qendrave shëndetësore. Fatkeqësitë natyrore të ndodhura gjatë dimrit që lamë pas, ka bërë që edhe kompetencën për menaxhimin e emergjencave civile dhe fatkeqësive natyrore, qeveria t’ia kalojë pushtetit vendorë. “Na duhet të rishikojmë emergjencat bazuar në eksperiencën e përmbytjeve por dhe impotencën e plotë që ka demonstruar pushteti vendor jo për faj të tij por për shkak të një pushteti super të centralizuar të emergjencave”, deklaroi Rama.

Në funksion të ndryshimeve të ardhura nga reforma territoriale, kryeministri Rama ka vendosur që edhe të drejtën për të dhënë titujt e pronësisë së tokës bujqësore ta kenë kryebashkiakët e rinj. “Na duhet patjetër të shikojmë titujt e pronësisë. Një pjesë të madhe të tokës bujqësore e kemi pa tituj pronësie. E kemi mbushur me konflikte dhe askush nuk jep zgjidhje. Hipotekat nuk e bëjnë dot. Na duhet patjetër të ndajmë përgjegjësitë me bashkitë.

Duhet patjetër të ndajmë përgjegjësinë dhe bashkitë të kenë pjesën e tyre të përgjegjësisë lidhur me kadastrat dhe lidhur me regjistrimin e titujve të pronësisë së tokës bujqësore”, theksoi kreu i qeverisë. Krahas kësaj edhe monitorimi dhe vëzhgimi i pyjeve dhe kullotave do të bëhet nga pushteti lokal. Premtimet e bëra nga një pjesë e madhe e kandidatëve të majtë në fushatë zgjedhore, për sigurimin e ujit 24 orë, lidhet me një tjetër kompetencë që vendorët e rinj do të kenë nga janari i vitit 2016.

“Jemi një turp i gjallë në sy të atyre që na rrethojnë, sepse jemi një vend i pasur si askush rreth nesh me burime ujore dhe kemi problem madhor ujin e pijshëm, sikundër kemi problemin e madh që kur uji na bie nga qielli gjithmonë përmbytemi. Ujësjellësat, një pjesë e mirë e të cilave të falimentuara, janë problematika më e madhe që do të trashëgojnë kryebashkiakët e rinj. Ndërkohë, nga 1 janari i vitit 2016, kompetencat dhe përgjegjësitë e tyre do të jenë shumë herë më të mëdha”, sqaroi kryeministri.


Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 13 Qershor 2015

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com) 

  • Sondazhi i ditës:

    Kë doni ju që të fitojë zgjedhjet në SHBA?



×

Lajmi i fundit

Stafi i Harris: Rezultatet e shteteve kryesore do të shpallen nesër

Stafi i Harris: Rezultatet e shteteve kryesore do të shpallen nesër