Bashkim Alibali: Rikthimi
im në festival pas 7 vjetësh

Bashkim Alibali: Rikthimi<br />im në festival pas 7 vjetësh
Këngëtari Bashkim Alibali, rikthehet pas shtatë vitesh në festivalin e këngës në RTSH, i cili këtë vit shënon 50-vjetorin e krijimit. Këtë radhë Alibali nuk vjen vetëm si interpretues, por edhe si kompozues i këngës me tekst të Jorgo Papingjit. Nostalgjia e artistit për vitet e shkuara, reliket që ruan në shtëpi nga festivali i 10 dhe i 11, kujtimet dhe ajo çka i mungon sot, organizimet muzikore, si "Festivali i interpretuesve" apo "Festivali i Pranverës", projektet e reja muzikore, planet për një koncerti recital, por edhe pasionet e tjera të Bashkim Alibalit veç muzikës.

Të gjitha këto i rrëfen në këtë intervistë për shqiptarja.com, ndërsa shkëputet për pak kohë nga provat e gjata të festivalit që do të zhvillohet në fund të dhjetorit.


Bashkim Alibali prezantohet në festivalin e sivjetshëm të RTSH si kompozitor e interpretues. Mund të na thoni diçka rreth këngës, me të cilën do të konkurroni? Pas sa kohësh i riktheheni skenës së festivalit të RTSH?
Shpesh ndër intervista kam folur për shqetësimin tim dhe të miqve të mi për gjendjen ku ndodhet kënga jonë e kjo jo vetëm në muzikën e lehtë
dhe moderne, por edhe në atë popullore. Natyrisht, që njeriu nuk duhet të ketë vetëm shqetësimet, por edhe të kontribuojë në përmirësim. Unë nuk kam mbaruar për kompozicion dhe nuk jam kompozitor i mirëfilltë, megjithëse kam bërë ndonjë këngë. Por, duke kujtuar gjithë ata krijues popullorë, që ndër dekada kanë dhënë thesaret e tyre të papërsëritshme, i thashë edhe unë vetes që të mundohem të jap një kontribut sado të vogël në këtë drejtim. Pasi e kemi diskutuar shumë e shumë herë me poetin Jorgo Papingji, u paraqitëm me këngën që do të këndoj, e cila u përzgjodh për të konkurruar. Kënga titullohet "Merr me vete këngën tonë" dhe bën fjalë për këngën tonë shqiptare. Po nxjerr pak "sekretin" e saj me disa vargje: "Dhe mikpritëse dhe bujare/ Me violinë, lahutë e dajre/ Pranë e pranë, iso e jare/ Kjo është kënga e jonë shqiptare". Këngën e kam bërë me karakter pak popullor. Mund të them që unë ngjitem përsëri në skenë pas shtatë vitesh, d.m.th pas duetit që kisha me Irma Libohovën "Tavernë e vjetër".

Si një prej këngëtarëve emblematikë të festivaleve në Radio Televizionin Shqiptar, si do e cilësonit rrugën prej pesë dekadash të këtij evenimeti të rëndësishëm të muzikës shqiptare?
Di të them se përpara se të bëhej festivali i parë në Radio Televizion, u bë një festival në Shkodër, ku ai ishte edhe si provë për këtë festival, drejtuesi i së cilit ishte i madhi Prenk Jakova. Festivalet kanë bukurinë e tyre dhe ato kryejnë një mision të madh, sepse ata ndër dekada ushqyen shpirtin e popullit. Unë tani kujtoj ato emocione të mëdha dhe të panevojshme që ishin në provat e përgjithshme, sepse të bënin të dridheshe, pasi edhe mbas një muaji provash dhe emocionesh për këngën, mund të merrje "valixhen" për në shtëpi. Kënaqësia e madhe për mua ka mbetur te festivalet e para vitit 1991, sepse pavarësisht politizimit, kënga kishte melodinë dhe kompozitorët ishin baballarët e muzikës shqiptare. Kështu që serioziteti, përgjegjësia dhe disiplina artistike ishte në nivelin e duhur. Edhe pas viteve `90, muzika eci mjaft, sepse edhe teknika iu afrua asaj bashkëkohores. Përveç pseudoartistëve, dolën edhe talente të mrekullueshme. Ka këngë shumë të bukura, por ato nuk mbesin në popull, sepse ndoshta i mungon "bakllavasë, sherbeti ynë". Megjithëse kanë kaluar kaq vite prapë se prapë ne nuk mund ta dallojmë muzikën tonë nga të tjerat. Nejse, nuk kam dëshirë të bëj kritika, sepse kënga e bukur mbetet tek njerëzit, sa do ta shash apo ta lavdërosh. Natyrisht, nga viti në vit është bërë një punë e madhe dhe kënga jonë ka evoluuar shumë. Kjo është e pa mohueshme.

Festivali i këtij viti, me regji të Osman Mulës e skenar të Pandi Laços dhe Edlira Birkos, i është besuar moderimit të Adi Krastës, Hygerta Sakos dhe Nik Xhelilajt. Si mendoni për këtë përzgjedhje?
Më duket përzgjedhje shumë interesante, sepse të gjithë janë figura të artit skenik dhe e njohin mirë gjendjen. Janë përzgjedhur këta, sepse ky është festivali i 50-të dhe jo i rradhës. Ky festival nuk do të jetë si të tjerët, por me më shumë përgjegjësi, sepse duhet të pasqyrohet edhe ajo punë titanike e gjysmë shekulli të kaluar. Unë për vete, me gjithë këta emra jam shumë i kënaqur.

Këtë vit, ndryshe nga herët e tjera që është trumbetuar shpesh, por pa bazë të vërtetë, do të këndohet realisht live. Ç'do të thotë për këtë festival ky fakt, si mund të përballen këngëtarët?
Ky festival do të jetë krejtësisht live, me orkestër dhe këngëtarë. Natyrisht, është një punë shumë e madhe, sepse organizatorët kërkojnë më të mirën. Nuk jemi më në vitin 1990, sepse duhet t'i përgjigjesh kohës dhe kjo është shumë e vështirë. Nuk mund të kuptohet nga spektatorët se sa punë e stërlodhshme është të bësh çdo gjë LIVE, por për të kënaqur sa më tepër njerëzit u mor kjo iniciativë nga drejtori i RTSH, zotni Petrit Beci. Di të them se një punë kolosale po bën mjeshtri Shpëtim Saraçi dhe them me bindje se vetëm guximi dhe profesionalizmi i tij mund ta realizojë. Natyrisht, ndoshta do të ketë edhe kritika, por kjo është rrugë e vështirë, që nuk do ndalet. Nga viti në vit do të perfeksionohet. Do të jenë më të lumtur ata artistë të vërtetë, që do të këndojnë live, sepse kjo ka emocionin dhe bukurinë e saj. Unë e them me bindje të plotë që publiku do të kënaqet shumë më shumë se herët tjera.

Sipas optikës së një këngëtari profesonit si ju, sot a është i vështirë organizimi i një festivali me peshë e përmasa të tilla në Shqipëri?
Jo i vështirë, por shumë i vështirë, megjithëse kanë ardhur edhe inxhinierë italianë të zërit. Kjo është një punë jashtëzakonisht e lodhshme për drejtuesit dhe ekzekutuesit, sepse e përsosura, kërkohet me shpirt.

Nga këngët që keni interpretuar në gjithë karrierën tuaj, cila ju ka lënë mbresa të veçanta?
Unë kam pasur fatin të kem disa hite të miat dhe të gjitha këngët më pëlqejnë, sepse jam munduar t'i fus brenda shpirtit tim. Mund të them disa këngë, duke filluar nga "Letër në kufi", "Motrës sime", "Në duart e nënës", "S'ma njohe zemrën", "E imja Shota", "Luledelet", "Çel si gonxhe dashurija", "Kur flasin zemrat", "Tavernë e vjetër". Këngën që e kam kënduar me emocione të veçanta ka qenë "Për ty baba".

Duke pasur parasysh angazhimin tuaj ndër vite në festivalet e ndryshme në RTSH, atmosfera politike që diktohej në atë kohë ka lënë mënjanë ndonjë projekt tuajin? Ndonjë peng nga ajo kohë?
Natyrisht që nuk kam qenë aq i lirë sa sot, por nuk më ka lënë ndonjë peng. Peng e kam sot atë, që mungojnë shumë e shumë aktivitete që janë bërë në atë kohë, duke filluar me grupet artistike të ndërmarrjeve, estradat, festivalet, nga të cilët sot RTSH i mungojnë dy prej tyre: "Festivali i interpretuesve" dhe "Festivali i pranverës".

Prej puntatave të shkuara të festivalit në RTSH, ruani ndonjë relike të asaj kohe?
Kam ruajtur disa ftesa të festivalit të 10-të, ku kam marrë pjesë për herë të parë si dhe posterin e festivalit të 11-të, festivali më me këmbë në tokë që është bërë ndonjëherë.

Qendrimi prej më shumë se dy vitesh në Gjermani, ndikoi në formimin tuaj kulturor rreth muzikës?
Formimin tim kulturor unë e kam marrë në Shkodër locen time, që e ve mbi tërë botën.

Origjina juaj është nga Shkodra, një qytet i rëndësishëm në zhvillimet kulturore e artistike të Shqipërisë. A ndiheni pjesë e këtij mozaiku?
Jam shkodran dhe kam pasur fatin e mirë të punoj me artistë të mrekullueshëm, që më ka shërbyer në rritjen time artistike. Kam pasur fatin të jetoj në një qytet, që ka qenë kurdoherë djep kulture. Kurse pjesa e ime e mozaikut është jo vetëm Shkodra, por e gjithë Shqipëria e madhe, motivet e mahnitshme të saj.

Ju jeni diplomuar në degën e Shkencave Politike. A ekziston ndonjë lidhje mes politikës dhe muzikës?
Si njeri, politikani punon e punon, plaket dhe vjen koha natyrshëm që ai vdes. Po ashtu edhe artisti, si njeri, punon e punon, plaket dhe vjen një kohë që ai nuk vdes kurrë.

Mendoni se politikës së sotme i nevojitet ajo harmoni që përshkon edhe partiturat muzikore?
Sa më e akorduar të jetë politika, sa më në harmoni të shkojë, vetëm atëherë do jetë e pavdekshme.

Nga kompozitorët botërorë, cilin do të veçonit si më të parapëlqyer dhe pse?
Më ka bërë përshtypje një sekuencë e filmit "Il Padrino". Kjo para shumë e shumë vitesh, por që më ka mbetur në kujtesë. Ishte një moment dasme, ku dasmorët këndonin një pjesë të Verdit. U habita me kurajën e regjisorit për ta futur Verdin si pjesë të këngëve të dasmës, por duke e dëgjuar me vëmendje, aty ishin motive të pastra napolitane. Prandaj kanë ngelur aq të mëdhenj edhe sot këta kompozitorë.

Angazhimet e tjera të Bashkim Alibalit, përveç muzikës? Vazhdon ende sot dashuria për sportin? Për teatrin?
Sportin e dua shumë, sepse edhe ai është pjesë e shpirtit të popullit, por më vjen keq që nuk ka trajtim të mirë për ata që ngrejnë flamurin shqiptar në bote dhe shoh me dhimbje që të detyruar ngrejnë sot flamurin bullgar, grek, gjerman apo belgjian. Teatri, megjithëse është goditur nga ekonomia e tregut, ka një brez shumë të mirë, vazhdues të traditës së teatrit tonë. Të atij brezi që pa frikë mund t'ju them se ishin më të mirë edhe se artistët e Hollivudit, por të lindur dhe të mbyllur në Shqipëri.

Historia dhe librat që flasin rreth saj janë një tjetër pasion i juaji. Ç'mund të na thoni për këtë?
E kam pasur zakon që sa herë merrja rrogën të bleja librat e rinj. Edhe sot, por jo me atë pasion, sepse koha është më e pakët. Janë detyrat familjare e të tjera angazhime. Kam një bibliotekë të pasur, që vazhdoj ta pasuroj.

Projektet muzikore në të ardhmen: këngë të reja, ndonjë album?
Po e zvarris një projekt timin, sepse nuk është i kollajtë. Kjo nga fondet që duhen, por që unë do e realizoj shumë shpejt. Ky është koncerti recital. Krahas festivalit të sivjetshëm, kam dy këngë të muzikës së lehtë, që po i punoj në studion e Altin Metohut në Berat dhe dy popullore në studion e Luan Dagestanit në Shkodër. Por, kryesorja për mua është Festivali, ku do të interpretoj këngën konkurruese dhe njëkohësisht edhe këngën që kam fituar çmimin e parë, me titull "Çel si gonxhe dashuria", të kompozitorit Vladimir Kotani dhe tekst të shokut tim Arben Duka.

  • Sondazhi i ditës:

    Listat e deputetëve të hapura në 2/3 dhe jo plotësisht, jeni dakord?



×

Lajmi i fundit

Nëse jeni beqar, mos u mbyllni në shtëpi... horoskopi për ditën e sotme

Nëse jeni beqar, mos u mbyllni në shtëpi... horoskopi për ditën e sotme